“Zgjidhje Afatgjata Që Nuk Cenojnë Funksionalitetin e Kosovës”

(E plotësuar) Presidentja Jahjaga përsëriti se i jep mbështetje të plotë procesit të dialogut dhe se është me rëndësi është që të arrihen zgjidhje afatgjata e përfundimtare që nuk do të cenojnë funksionalitetin e Kosovës. Ajo theksoi se pavarësia dhe integriteti territorial i Kosovës nuk mund të negociohen dhe nuk ka kthim prapa.

Presidentja Atifete Jahjaga dhe kryeministri Hashim Thaçi takuan të enjten në Prishtinë baroneshën Catherine Ashton. Në takim morën pjesë edhe ministrja e Integrimit Evropian, Vlora Çitaku dhe koordinatori politik në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Blerim Shala.

Sipas një njoftimi të Zyrës së Presidentes, të lëshuar pas takimit, presidentja Jahjaga e vlerësoi vizitën e baroneshës Ashton të rëndësishme, duke konsideruar se ajo kontribuon në kuptimin e rëndësisë së procesit të dialogut që po zhvillohet në Bruksel, i cili për synim ka normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Presidentja Jahjaga theksoi se i ka dhënë mbështetje dialogut si e vetmja zgjidhje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që është në interes të qytetarëve të të dyja vendeve dhe për paqen e stabilitetin në gjithë rajonin.

“Procesi i dialogut nuk ka hapur çështje të tjera që lidhen me statusin ose ato që mund të rrënojnë të arriturat e përbashkëta me bashkësinë ndërkombëtare, dhe marrëveshjet e arritura deri tash janë një bazë e mirë për lehtësimin e jetës së qytetarëve nga të dyja anët e kufirit”, deklaroi Jahjaga.

Presidentja shtoi se Kosova ka hyrë në procesin e dialogut e përkushtuar për të përmirësuar pozitën e komunitetit serb në Kosovë dhe për t’i integruar ata në jetën institucionale dhe politike të Kosovës. “Duhet të jemi të pakompromisë në insistimin tonë që qeveria e Serbisë duhet të shpërbëjë strukturat e saj ilegale dhe paralele në komunat në veri të territorit të Kosovës, sepse ato po mbajnë peng jetën e qytetarëve serbë”.

Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova ka treguar se është konstruktive dhe fleksibile brenda kornizës ligjore dhe kushtetuese të saj dhe tha se është me rëndësi arritja e marrëveshjeve që mund të zbatohen me sukses.

Ajo theksoi se i jep mbështetje të plotë procesit të dialogut dhe tha se me rëndësi është që të arrihen zgjidhje afatgjata e përfundimtare që nuk do të cenojnë funksionalitetin e Kosovës.

Presidentja Jahjaga theksoi se pavarësia dhe integriteti territorial i Kosovës nuk mund të negociohen dhe nuk ka kthim prapa. Ajo tha se Kosova dëshiron që të konsolidojë pozitën e saj ndërkombëtare dhe që të përafrohen më shumë me BE-në.

Më tutje, presidentja Jahjaga theksoi se me rëndësi është që Kosova të marrë sinjale pozitive nga BE-ja, posaçërisht në procesin e liberalizimit të vizave dhe atë të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, baronesha Ashton, theksoi rëndësinë e dialogut për gjetjen e zgjidhjeve dhe vlerësoi konstruktivitetin e palëve në këtë proces.

Ajo tha se është arritur një përparim i dukshëm në dialog dhe theksoi rëndësinë e zbatimit të të gjitha marrëveshjeve të arritura.

Asociacioni Sjell Ashtonin në Prishtinë

Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Europian, Catherine Ashton, në qendër të bisedimeve me udhëheqjen kosovare pritet ta ketë pajtimin e Prishtinës zyrtare me kompetencat e asociacionit të komunave serbe.

Kompetencat e asociacionit të komunave serbe, një trupi që do të rregullojë gjendjen në veri të vendit, pritet ta sjellin në Kosovë Përfaqësuesen e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Europian, Catherine Ashton.

Kur iu drejtua të martën deputetëve, për t’i informuar rreth rundit të gjashtë të dialogut, të mbajtur më 4 mars, kryeministri Hashim Thaçi deklaroi se baronesha Ashton çështjen e asociacionit dhe kompetencave që ai do të ketë, e konsideron të ndjeshme.
 
Thaçi kërkoi të martën që krerët e subjekteve parlamentare të Kosovës, shqetësimet e mundshme rreth dialogut për veriun, t’ia thonë vetë baroneshës Ashton.
 
Thaçi përmendi të njëjtën ditë një draft-dokument të shkruar të baroneshës që u është ofruar palëve, dokument ku përshkruhen në hollësi kompetencat e asociacionit të komunave serbe, por zëdhënësja e baroneshës, Maja Kocijancic, për Gazetën Jeta në Kosovë e mohoi dokumentin, duke treguar se po kërkohen pikat e përbashkëta mes palëve në lidhje me kompetencat.
 
Gazeta beogradase “Blic” bëri me dije se pajtimi rreth kompetencave të asociacionit mes Prishtinës dhe Beogradit është afër.
 
Këtë e lidhi me faktin se mbledhjet e përjavshme të qeverisë serbe, të enjten zakonisht mbahen pasdite, ndërsa këtë të enjte mbledhja e qeverisë në Beograd do të nisë më herët.
 
Sipas gazetës, Ashton pasi të marrë pëlqimin e kosovarëve për kompetencat e asociacionit të komunave serbe është e mundshme që të njëjtën ditë ta vizitojë edhe Beogradin për ta arritur marrëveshjen.
 
Asociacioni i komunave serbe përmendet edhe në planin e Ahtisarit. Serbët asociacionin e quajnë bashkësi të komunave serbe dhe kërkojnë për të kompetenca ekzekutive.
 
Kryeministri Hashim Thaçi thotë vazhdimisht se asociacioni i komunave serbe do të jetë si ai i komunave shqiptare.
 
Baronesha Ashton pritet të vijë në Kosovë paraditen e së enjtes.