Vetëvendosja Kontrollon Rrymat Ekstreme

Fryrja e orkestruar e faturave po i bën shqiptarët të harrojnë se po legjitimohen “Serbitë” e vogla në Kosovë, derisa në muajin janar të këtij viti lapidaromania e orkestruar në Preshevë i kishte bërë shqiptarët që të harronin veriun e Kosovës.

Në të dy protestat përkatëse kosovare, bënte pjesë edhe Vetëvendosja. Në protestën e lapidarit, ajo ishte organizatore. Që të dyja erdhën rreth dy takimeve të rëndësishme Kosovë Serbi – ndërmjet kryeministrave Hashim Thaçi e Ivica Daçiq në janar dhe ndërmjet presidentëve Atifete Jahjaga e Tomislav Nikoliq më 6 shkurt.

“Mjeshtrit” e kontrollit të reagimeve qytetare nga “Vetëvendosje” duket se ishin marrë vesh me sistemin politik në vend. Ata do t’i dilnin përballë kësaj meseleje me retorikë. Natyrisht, është kohë kur Albin Kurti është lideri që ka monopolizuar protestat dhe reagimet qytetare në Kosovë.

Por, në të vërtetë, Albini dhe subjekti i tij, më nuk u prijnë organizimeve qytetare për të parandaluar zhvillimet politike në dëm të këtij populli. Që nga viti 2007, ata kishin zgjedhur të uleshin në karriget institucionale, në të cilat thoshin se nuk besonin. Për tu ulur në këto karrige, iu desh edhe të betoheshin para ligjeve kushtetuese të Pakos së Ahtisaarit – që prapë thanë se e bënin pa besuar në to. Më vonë , po ata edhe kishin kërkuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës për të mbrojtur kushtetutën ahtisariane.

 
Një aktivist i lëvizjes Vetëvendosje duke djegur votat në një nga aksionet protestuese kundër zgjedhjeve. “Nuk mund të zgjedhësh kur nuk ke të drejtë për vetëvendosje dhe referendum”. Nëntor, 2007.  

 

Lëvizja “Vetëvendosje” ka dëshmuar tanimë se që nga vitet e themelimit ka qenë një mekanizëm i krijuar për të kontrolluar masat e supozuara ekstremiste popullore.

Një nevojë emergjente e krijimit të këtij mekanizmi ishte paraqitur menjëherë pas ngjarjeve të marsit të vitit 2004, atëherë kur popullata shqiptare kishte reaguar me të drejtë kundër padrejtësive që sistemi i instaluar politik ndërkombëtar në emër të Kombeve të Bashkuara, kishte shtypur në vazhdimësi lirinë dhe të drejtat themelore të një kombi që sapo kishte dalë nga lufta e nisur për çlirim, që burgoste çlirimtarët, baza politiko-juridike e të cilit garanton(te) integritetin dhe sovranitetin territorial të Serbisë mbi Kosovën etj.

Për të mos u përsëritur më ngjarje si ato, u krijua lëvizja Vetëvendosje që na krijonte përshtypjen e një lëvizjeje kombëtare, që nuk do të dorëzohej deri atëherë kur të ishte zbatuar synimi i saj politik – e që ishte e drejta fundamentale e lirisë kolektive, ajo për vetëvendosje dhe referendum.

Kjo lëvizje gjithnjë ka bërë aksione për tu dukur në TV dhe për të dalë në shtyp, e asnjëherë aksione protestuese të cilat do të dërgonin drejt një rruge të re për të nisur zbatimin e synimeve tyre politike.

Vendimet për demonstrata dhe aksione protestuese vinin në mënyrë të mistershme.

Ato “vinin nga jashtë” dhe adresa e saktë nuk dihej kurrë. Ato tregonin qartë se kjo lëvizje e kishte “Zyrën e Vendit” diku tjetër. Atë, sot e asaj dite, e di vetëm Albin Kurti.

 
Xhandarmëria rumune e OKB-së, duke sulmuar protestuesit e dhjetë shkurtit 2007 me gaz lotsjellës, Prishtinë.  

 

Se ajo nuk ishte hiçgjë më shumë se një mekanizëm i kontrollit të masave popullore, më së miri argumentojnë ngjarjet e 10 shkurtit 2007 (vrasja e dy demonstruesve paqësorë shqiptarë nga ana e policisë UNMIK-ut).

Kur vritet popullata civile nga ana e policisë zakonisht shpërthen dhe rritet rezistenca popullore, por të kundërtën e kishte bërë Albin Kurti. Ai e kishte ndaluar rezistencën në vitin 2007.

Çfarë ndodhë tani?

Data e madhe po afrohej. Gjashtë shkurti 2013 ishte dita kur kryetarja e Kosovës, znj. Atifete Jahjaga do të takohej kokë-më-kokë me kryetarin Serbë Tomislav Nikoliq.

Sundimtarët e ligjit në Kosovë nuk kishin shumë shqetësime për ndonjë reagim qytetar. Kjo ngase ata kishin vendosur që të orkestronin një event shumë interesant.

Qeveria e vendit, përmes KEK-ut (Korporatës Energjetike të Kosovës) kishte vendosur që t’i fuste duart thellë në xhepat e qytetarëve të Kosovës.

Në të njëjtën kohë ishte planifikuar që mediat kryesore në vend t’i frynin këtij zjarrit.

“KEK-u shtrenjtoi energjinë elektrike”, “KEK-u fryn faturat e qytetarëve” thoshin titujt kryesorë të lajmeve qendrore të të tri televizioneve kombëtare në Kosovë, derisa zonja kryetare po takohej me kreun e Serbisë, për të vendosur për të ardhmen tone politike.

 
Protesta ku KEK-u u kritikua se po luan “poçe” me qytetarët  

 

Se çka u morën vesh ata nuk u informuam shumë, ngase mediat ishin të zëna me raportimin e gjendjes së energjisë elektrike në vend, por nga bashkëbisedimet me kolegët e mi gazetarë që raportojnë nga Brukseli, thuhet se mes tjerash dy kryetarët ishin dakorduar për vatikanizimin e kishave ortodokse në Kosovë, autoqefalija e të cilave është Beogradi.

Më gjashtë shkurt, një iniciativë në rrjetin social “Facebook” për të kundërshtuar ngritjen e çmimit të energjisë së elektrike ishte ndërmarrë nga gazetarë e artistë të Kosovës, të cilën iniciativë e kam përkrahur edhe unë.

Më shtatë shkurt, dolëm në protestë. Aty brohoritëm e ua shpalosëm kërkesat tona KEK-ut, e mediat vazhdonin ta mbanin atë dhe faturat si lajmin kryesor.

Në protestën e tetë shkurtit, individët e “Vetëvendosjes” siç është Rron Gjinovci, apo ndryshe i njohur si “Moleri i Partisë” pasi kishte hedhur ngjyrë në kokën e ish-rektorit Mujë Rugova, nuk u durua pa mbajtur një fjalim. Aty Rroni na shpjegoi gjithçka…që pjesë e këtij orkestrimi është edhe subjekti i tij.

“Tupani” kundër KEK-ut po vazhdon të tingëllojë, mediat po e raportojnë si lajmin kryesor, dita e hënë po ofrohet.

“Nuk do të jemi të qetë ditën e hënë”, thanë individët e sponzorizuar. Në rastin më të keq, do të kemi përdorim të gazit lotsjellës nga njësitet policore, dikush do të mund të lëndohet e disa do të prangosen. Dhe kështu do të përfundojë KEK-omania e orkestruar mirë nga mjeshtrit e kontrollimit të masave njerëzore.

 
Aktivisti Rron Gjinovci duke mbajtur fjalim, më 8 shkurt 2013, para masës protestuese kundër shtrenjtimit te faturave të energjisë elektrike.  

Më kujtohet se dikur i thosha një mikut tim të shtëpisë. “Mirë, mirë, që jemi në këtë lëvizje, por druaj se a do të vijë një ditë kur Albini do t’i ndalojë e shuaj përpjekjet popullore për rezistencë”.

Aktualisht rryma faturohet shtrenjtë nga KEK-u, e dritë po ashtu ka pak mbi negociata. Kam bindjen se këtij terri i ka ndihmuar Vetëvendosja.

Autori është ish-aktivist i lëvizjes Vetëvendosje. Opinionet e shprehura në këtë letër janë ekskluzivisht të tij. Ai ka raportuar nga rajonet e konflikteve në Lindje të Mesme, Kaukaz dhe Afrikën e Jugut që nga viti 2008. Përpjekjet e pavarura të tij në gazetari janë të dokumentuara në ditarin e tij në http://vedatxhymshiti.blogspot.com