‘Tragjedia Greke’, i Kanoset Kosovës

Fjala është natyrisht për borxhin publik. Është raportuar që borxhi publik i Republikës së Kosovës ka arritur vlerën e 650 milion eurove, kurse Thesari ia ka shtuar edhe 20 milion euro tjera.

Në krahasim me vitin e kaluar, borxhi i përgjithshëm është rritur 17.1 përqind. Edhe pse ky borxh është vetëm sa 11.2 përqind e ekonomisë kosovare, rritja e shpejtë e tij megjithatë përbën një shqetësim serioz. Shqetësim, natyrisht, për ata që mendojnë për të ardhmen e vendit.

Për ata që mendojnë ndryshe, madhësia e borxhit është e papërfillshme sepse është “vetëm” sa 1 e 10-ta e ekonomisë. Por ajo që është duke u harruar është fakti që vendet që kanë pësuar keq nga borxhi kanë qenë pikërisht ato të cilat e kanë shpërfillur atë në fazat e para.

Në vend të vlerësimeve numerike të rrezikshmërisë, të cilat janë subjektive dhe arbitrare, vendimet për borxhin duhet të bazohen në parime.

Një parim i mirë është jetesa brenda mundësive. Ajo që është e mirë për familjet është e mirë edhe për qeverinë, shkroi ekonomisti i famshëm Adam Smith. Ashtu si qytetarët që nuk duhet të zhyten në borxh duke shpërdoruar kreditë personale, as qeveria nuk duhet të shpenzojë përtej parave që i merr nga taksat.

Sa më shumë që një individ akumulon borxh, aq më të vështirë e ka të marrë më shumë në të ardhmen.

E njejta vlen edhe për qeverinë: sa më shumë që rritet borxhi publik aq më të larta do të jenë normat e interesit.

Me qenë se borxhi duhet të kthehet me interes, një pjesë gjithnjë në rritje e shpenzimeve buxhetore duhet të ndahen për interes. Kjo nënkupton që një vlerë gjithnjë më e vogël e buxhetit mbetet në dispozicion për shpenzime tjera shumë më të rëndësishme.

Qeveria e Kosovës është e privuar nga financimi i shpenzimeve duke shtypur para dhe kjo është pozitve marrë parasysh rreziqet që ndërlidhen me të. Mirëpo kjo nënkupton gjithashtu që çdo rritje e borxhit duhet të përkthehetdetyrimisht ja në kursime qeveritare ja në rritje të taksave.

Kursimet janë natyrisht të mirëseardhura por shumë pak të mundshme duke pasur parasysh presionet për rritje të shpenzimeve si dhe tendencat populliste të qeverisë.

Opsioni i dytë është me shumë gjasë i preferuari nga Qeveria por jo i miri sepse rritja e taksave e dekurajon prodhimin, krijimin e bizneseve, punësimin, etj. Ajo është e padëshirueshme sidomos në një ambient ku TVSh-ja veç është rritur kurse kosto e jetesës vazhdon të jetë brengë e madhe për qytetarët.

Kjo alternativë është e padëshirueshme edhe sepse duke i rritur taksat, Qeveria i largon ato tutje nga pika optimale (Kurba e Laferit), me ç’rast ndodhë e kundërta e asaj që ajo synon:në vend të rritjes së të hyrave nga taksat, normate rritura tatimore vetëm sa i fusin tatimpaguesit tutje në evasion dhe informalitet dhe kështu i ulin të hyrat e përgjithshme.

Qeveria e ka problem ta zvogëlojë një borxh sa gjysma e buxhetit aktual, kështu që një pjesë e dëmit veç është bërë. Por sa më shpejt që Qeveria e ndërprenë këtë praktikë të financimit dhe fillon të jetojë brenda mundësive të saja, aq më të mëdha i kemi gjasat t’i shmangemi një tragjedie greke në të ardhmen.