FOTO: Ilustrim

Taksisti nga Mitrovica Grabitet në Skenderaj

Policia në Skenderaj ka filluar hetimet lidhur me një rast grabitjeje të armatosur, që ka ndodhur dje rreth orës 18:30, ndaj një ngasësi taksie të kompanisë “Nori”, në fshatin Llaushë të Skenderajt.

Sipas informatës së  parë të pranuar nga policia, thuhet se dy persona të dyshuar, të panjohur dhe të armatosur, duke vënë nën kërcënim të drejtpërdrejtë viktimën e tyre, një mashkull 28-vjeçar, ngasës të veturës taksi, i kanë marrë 10 euro dhe një telefon celular.

Veç kanosjes së drejtpërdrejtë me armë, nuk është raportuar për vënie në përdorim të armës apo sulm fizik të drejtpërdrejtë ndaj viktimës së këtij rasti.

Sipas deklaratës së taksistit, dy të dyshuarit kishin angazhuar ngasësin e taxi “Nori”, në Mitrovicë, për t’i dërguar deri në Skenderaj. Me të arritur në Skenderaj, të dyshuarit, thuhet se kanë kërkuar që t’i dërgojë deri në fshatin Llaushë.

“Me të arritur në fshatin Llaushë, dy të dyshuarit, i kanë drejtuar armën në kokë, ndërsa kanë kërkuar paratë nga ngasësi. Viktima, i cili nuk kishte më tepër se 10 euro, i ka ofruar të njëjtat ndërsa të dyshuarit para se të largoheshin në drejtim të panjohur, i kanë marrë edhe telefonin celular ndërsa i kanë dëmtuar radiolidhjen e taksisë”, ka njoftuar zëdhënësi rajonal i policisë, Besim Hoti.

Rasti është kualifikuar si vepër penale “Grabitje” në bashkëveprim, e paraparë në bazë të nenit 255 të Kodit Penal të Kosovës.

Hetuesit policor të sektorit rajonal për hetime të krimeve serioze, janë duke përpunuar të dhënat dhe deklaratat e siguruara në ndërtimin e profilit të mundshëm të kryesve të këtij akti kriminal, ndërsa i bëjnë kërkesë qytetarëve që të ndihmojnë në dhënien e çdo lloji të informacionit të mundshëm që do të konsideroheshin si të vlefshme për zbulimin e kryesve të këtij akti kriminal.