Vjena, Kjo Zonjë Fisnike

Qyteti i muzikës dhe i ëndrrave, Vjena, një nga qytet më mahnitëse të kontinentit të vjetër, është imponuese me madhështinë e saj. Kryeqyteti i Perandorisë së Habsburgëve apo i Perandorisë së Danubit, rri në udhëkryqin e kulturave dhe epokave arkitektonike që janë përplasur në zemër të Evropës Qendrore e Lindore, faktor që asaj i ka falur disa veçanti.

Ndonëse e paketuar me histori perandorake, me rrugët, muzetë e skutat përplot histori të vjetra, Vjena ka njëkohësisht një ndërthurje të jashtëzakonshme të bashkëkohores, me godinat, muzetë, kafenetë, restoranet, kuzhinën, jetën e natës dhe këndet e qeta. Madhështia imperialiste e disa shekujve ka lënë shenjat e fuqishme të cilat vizitorët i ndjejnë kudo në këtë qytet, jo vetëm pranë kompleksit monumental Hofburg, pallateve si Schönbrunn e Belvedere, Filarmonisë apo godinave të tjera përrallore.

Kjo zonjë e rëndë, e bukur, elegante dhe e qetë, është fisnike kur eksplorohet në këmbë nëpër parqet e qendrës historike apo rrugët më pak të shfaqura, dizejnur plot me lule në formën e notave muzikore, dyqanet e çokollatave dhe ambienteve komode për kafe.

12910374_10207572737010661_237314794_n

Në sytë e Freud-it, Mozart-it e Bethoven-it

“Është vendi që s’do ta ndërroja me asnjë tjetër”, i shkroi W. A. Mozart të atit kur nga Salzburgu u vendos në Vjenë. Kësisoj të pëshpërit në vesh zëri i “audio-ciceronit” që të hap dyert e shtëpisë së gjeniut të muzikës klasike dhe muzicientit me ndikimin më të madh të asaj epoke. Historia e jetës së Mozartit është e ndërlikuar dhe e mahnitshme njëkohësisht, siç është e mitizuar edhe vdekja e tij e hershme. Në shtëpinë trekatëshe ku u kompozuan kryevepra të artit muzikor, dhomat janë të ngushta dhe duket sikur muret kanë fshehur përbrenda përgjithmonë historinë e dikurshme të banorëve të tyre. Ciceroni flet, siç flasin edhe fotografitë e reliket tjera, por çdo gjë duket e largët nga jeta e dikurshme e gjeniut Mozart.

Jo larg mureve ku lindën tingujt e Mozartit, rri godina ku banoi ai që gërmoi thellë në psikikën e njeriut, Sigmund Freud, themelues i Psikanalizës. Portreti i tij, bastuni, kapela dhe çanta e punës të ekspozuara në hyrje të apartamentit, rikthejnë përditshmërinë e mjeshtrit të ëndrrave, falë të cilit qyteti mori epitetin e qytetit të ëndrrave. Në dhomën tjetër një pamje e improvizuar me divanin ku trajtoi pacientët dhe nisi teorinë e eksplorimit të psikës njerëzore. Në zyrën ngjitur tavolina e punës, karrikja dhe pasqyra, për të cilën biografët thonë se mjeshtri i sëmurë nga kanceri, kish pyetur sa herë- “se si do të mund të punonte pa thithur një cigare?”. Në hapësirën tjetër, nga ekrani televiziv rrëfen e bija e Freud-it, Ana Freud, për jetën me të atin e pa të, dhe deportimin e tyre nga Vjena pas pushtimit të Austrisë nga nazistët. Salloni i madh ndërkaq është i mbushur rrëfime biografike dhe relike që mjeshtri çdo herë i kish sjellë nga udhëtimet e shumta që pati në vendet e Lindjes.

12884390_10207572736450647_1128702108_n

Disa lagje më tej, rezidenca e një tjetër gjeniu të muzikës, Beethoven-it. Për bashkëkohanikun e Mozart-it e të kompozitorit Joseph Hydn, Vjena ish skena e dëshiruar dhe ëndërruar. Kompozitori gjerman, për tetë vite banoi në katin e katërt të apartamentit në “Pasqualatihaus”, aty ku edhe kompozoi Simfoninë 4, 5, 7 dhe 8, dhe operën “Fidelio”.

Mozart, Bethoven, Freud, Strauss, Gustav Klimt, Egon Schiele, e të tjerë mjeshtër, e kishin dashur e adhuruar qendrën e bukur të monarkisë së fuqishme, dhe me po aq dashuri i kanë falur asaj artin e tyre.

Dyert e botës

Pak më poshtë, në zonën e vjetër, dyert e mëdha të muzeve të hapin kryeveprat e artit të botës. Të shfletosh nëpër shekuj, nëpër histori atë që gjenitë i falën botës së artit: në kuartetin e arteve Museum Quartier, Muzeun e Historisë së Artit, Leopold Museum, Muzeun e Arteve Moderne MUMOK, muzeun Albertina, muzeun e Belvederes, Muzeun e Arkitekturës, Muzeun Hebrej apo katedralet o pallatet e familjes mbretërore.

Arti i botës nis kur hapen dyert e mëdha të muzeve dhe merr fund me kërcitjen e dyerve që mbyllen. Një listë e gjatë e vendeve për të vizituar, për të cilën nuk mjaftojnë pak ditë. Por çdo gjë jashtë mbetet po aq pompoze sa brenda ndërtesave të veshura me flori të perandorisë së dikurshme.

12910206_10207572730290493_1109572091_n

Muzeu në qendër të Vjenës, konsideruar nga më eminentët në botë, me një numër të madh veprash të historisë së artit evropian, është Muzeu i Historisë së Artit (Kusthhistorische Museum). Godina u ndërtua në vitin 1891 pranë Pallatit Hofburg, për të ruajtur e ekspozuar koleksionin e pasur të familjes së monarkisë së Habsburgëve. Veprat e piktorëve botërorë: Rafael, Vermer, Velazquez, Rubens, Rembrandt, Durer, Titian dhe Tintoretto rrinë të ekspozuara në galeritë e pikturave. Pranë tyre koleksionet e lashta të jetës nga Lindja e afërt dhe Egjipti. Po në këtë godinë, ka edhe një sallë të veçantë, e quajtur Dhoma e Arteve dhe Mrekullive (Kunstkammer Vienna) hapur në vitin 2013, që përmban vepra unike nga thesari privat i Habsburgëve, kryesisht nga koleksioni i Perandorit Kaiser Rudolf II. Ekspozita shfaqë koleksionin më të rrallë të llojit në botë, me vepra të çmuara nga epoka e Mesjetës, Renesansës dhe Barokut. Magjia dhe fuqia e artit e bëjnë të veten.

Reliket e Skënderbeut

Pikërisht në këtë objekt, mes historive nga bota e lashtë dhe piktorëve nga kontinenti evropian, rrinë edhe armët e atij që ne e njohim si “heroin e kombit”, armët e Skënderbeut. Në mesin e heronjve mesjetarë, në sektorin e armëve e të luftës, rrinë armët e “atletit të Krishterimit”.  Përkrenarja dhe shpata janë ekspozuar në meskatin e muzeut. Mendohet se ato kanë zënë vend në kryeqytetin e perandorisë diku rreth 300 vjet më parë. Historinë e rrugëtimit të relikeve e ka zbuluar diku para 72 vjetëve, Leo Alexander Freundilich, një austriak i apasionuar pas historisë së Shqipërisë. E pyes ciceronin për reliket e prijësit shqiptar, Skënderbeun, dhe ai ma kthen: “Ah, po, prijësi shqiptar, ja këndej, në mesin e luftëtarëve mesjetarë”. Përkrenarja me kokën e dhisë që mbante Skënderbeu thonë se është një simbol i huazuar nga legjendat e Pirros së Epirit dhe Aleksandrit të Madh. Ajo është me metal të bardhë dhe me një rrip (ruban) të larë me ar. Shpata ndërkaq i takon modelit të shpatave turke, e gjatë 121 cm. “Here is where your hero stands”, më thotë me butësi punëtori i muzeut. E falenderoj. Por jo shumë impresionuese në mesin e relikeve të shumta të botës së vjetër.

12900051_10207572726210391_1332621344_n

Jashtë “unazës së perandorëve”

Qyteti pompoz bie e thyhet pak më tutje “unazës së perandorëve”, nga ku patën vënë rrënjë arteriet kryesore të zemrës së kësaj perandorie. Pak më larg muzeut ku “bën hije” Skënderbeu, e tutje shtëpive të klasikëve të muzikës, godinat ndryshojnë, fytyrat ndryshojnë, çmimet ndryshojnë e edhe rregullat e thjeshta “të lojës” së një shteti, siç është lejimi i ndezjes së cigares në vende të mbyllura. Jashtë rrethit pompoz nisin ata që në mbiemër kanë një “iç”, të ikurit e ish-Jugosllavisë, të cilët jo rrallë thonë se nuk e dinë më se ku u shtrihet atdheu. Jashtë rrethit nisin edhe shqiptarët. Të paktë e më të rrallë, por i gjen gjithnjë në sheshin qendror, a para godinave të mëdha, tek punojnë si shpërndarës reklamash a ftesash, këta kryesisht studentë. Jashtë rrethit pompoz nisin dhe turqit e arabët, nisin romët… nisin “miljet e emigrantëve”.

Në Vjenë, më afër Ballkanit, do të thoshte ndonjë vjenez! Çmimi i Ballkanit është gjaku dhe izolimi. Pragjet e emigrantëve tjera janë plot dramë. Një plakë serbe thotë se bota ‘atje poshtë’ është e vrazhdë “Ata që e bëjnë jetën atje, edhe e shkatërrojnë! Këtu të paktën rrojmë në qetësi”.

Po jashtë Vjenës, ndonjëherë edhe qetësia di të bëhet e rëndë. Madje edhe qetësia e Danubit, që dikush jo pahiri e quan “lumi i fatit”, dhe me gjithë tokat që prek, i bën tokat perëndimore të jenë më afër e më larg Ballkanit. Rrëfimet dhe legjendat për lumin, supozojnë dhe pohojnë për jetën e tij, derisa ai i sigurtë tek vjedhë qytetërimet e Evropës Qendrore, vazhdon rrugën për në lindje, me një valixhe të pafundme historish.

12884634_10207572729650477_1938568860_n

Të rrosh “si perandor”

Vjena dikur me një popullsi të konsiderueshme hebreje dhe një numër kultesh fetare të këtij besimi, sot e ruan kujtesën e tyre në muzeun Hebre, afër sheshit kryesor Stephanplatz. Biçikleta e shkrimtarit kontravers, hebreut Arthur Shnitzler rri e varur përkarshi kujtesës së historisë hebreje ekspozuar në muze.

Pranë historisë hebreje, ndodhet godina e Katedrales-mëmë, Katedralja e Shën Stefanit në sheshin Stephanplatz, e cila në stilin e saj romanesk e gotik, mbahet për objektin më të rëndësishëm religjioz në Vjenë (1147). Kori i burrave jehon në brendinë e kishës katolike-romake, derisa jashtë kuajt e bardhë Lipizaner argëtojnë turistët nëpër karroca. Anash katedrales, kulla e lartë shumëshkallëshe ta falë një pamje si në pëllëmbë të qytetit.

Mbi gjithë bukurinë e monumentet historike, pallatet e kështjellat, arkitekturën klasike dhe atë moderne e posmoderne, kontrastet dhe integrimin e elementeve bashkëkohore në qytet, qyteti i arkitekturës pompoze, qyteti i Danubit, është edhe qendër e organizatave më të mëdha botërore, qendër e kongreseve dhe konventave ndërkombëtare. Po mbi të gjitha Vjena, është qyteti i shpallur disa herë, si vendi ku jetohet më së miri në Evropë dhe një ndër dhjetë vendet më të mira të botës për kualitetin që ofron.

12325940_10207572722650302_1336806427_o

Metropoli austriak, të pretë me tinguj të jashtëzakonshëm e të përcjellë me ëndrra. Qoftë pranë kështjellave, pallateve, parqeve e qoftë pranë Danubit – Vjena, kjo zonjë e vjetër e kontinentit të vjetër, është e bukur e fisnike, si dashuria e përjetshme.