Foto: BIRN

“Gjithë Shqipëria ty të do”: Përkrahësit e Berishës mblidhen çdo ditë për të dëgjuar heroin e arrestuar

Ishte e papritur kur ish-kryeministri Sali Berisha – ndërsa është me arrest shtëpie – vendosi të fliste me mbështetësit e tij që ishin mbledhur jashtë shtëpisë së tij më 3 janar nga dritarja, por tani kjo është kthyer në një normalitet të ri.

Irfan Shkodranit, një 70-vjeçar nga qyteti i Elbasanit, nuk i intereson nëse i duhet të udhëtojë rreth 80 kilometra në ditë vetëm për të marrë pjesë në një protestë ndryshe në kryeqytet, Tiranë.

Një rrugicë e ngushtë e mbushur me kafene është kthyer ditët e fundit në një shesh proteste për qindra mbështetës të liderit historik të Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha.

Ai tani qëndron në shtëpi në rrugën “Mustafa Matohiti” dhe me vendimin e fundit të gjykatës duhet të kalojë ditë e net brenda banesës së tij.

Por për kënaqësinë e Shkodranit dhe qindra mbështetësve të tjerë të Berishës, ai ndonjëherë kap një altoparlant dhe i drejtohet turmës nga dritarja e banesës së tij.

Shkodrani thotë se vjen çdo ditë për të dëgjuar Berishën. Fillimisht merr autobusin nga Elbasani. Kur kthehet, miqtë e çojnë ndonjëherë në shtëpi me makinë. Te Berisha sheh “shpresë, besim dhe fitore”.

“Unë e kam mbështetur Berishën që në vitet 1990… Përveç Berishës, askush nuk do ta mundë liderin socialist dhe kryeministrin Edi Rama. Jam nga Elbasani dhe vij çdo ditë. Vij me autobus dhe këto tre ditët e fundit jam kthyer me makinë”, thotë ai. Ai ka lot në sytë e tij.

Më 30 dhjetor, një gjykatë urdhëroi “arrest shtëpie” për ish-kryeministrin dhe liderin e opozitës, pas shtyrjeve të shumta gjatë asaj jave, ku politikani 79-vjeçar humbi imunitetin e tij parlamentar.

Sipas masave kufizuese, Berisha mund të komunikojë vetëm me familjarët me të cilët jeton. Vendimi i gjykatës mund të ankimohet brenda pesë ditëve.

Berisha i ka kundërshtuar akuzat ndaj tij si një “gjyq politik” dhe këmbëngul se do të vazhdojë kundërshtimin e tij ndaj qeverisë së Ramës.

“Vendim i padrejtë”

Irfan Shkodrani, një mbështetës i Berishës, 7 dhjetor 2024. Foto: BIRN

Figura dominuese politike në Shqipëri pas rënies së komunizmit në fillim të viteve 1990 dhe sërish në vitet 2000, Berisha u akuzua në tetor 2023, së bashku me dhëndrin e tij, për “korrupsion pasiv” që daton që nga viti 2008.

Akuzat lidhen me një ndryshim legjislacioni të bërë nga qeveria e tij e atëhershme në 2008 për të lejuar privatizimin e komplekseve sportive të shpronësuara në komunizëm.

Prokurorët thonë se ky ishte një nga një sërë ndryshimesh ligjore të ndërmarra nga qeveria e Berishës për të lehtësuar zhvillimet e biznesit në të cilat ai dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, kishin një interes financiar. Prokurorët pretendojnë se ata të dy së bashku kanë marrë rreth 5.4 milionë euro ryshfet.

Ndërsa Malltezi u arrestua, Berishës iu ndalua largimi nga Shqipëria dhe u urdhërua të paraqitet rregullisht në polici.

Mbështetësve të tij nuk u bën përshtypje lista e akuzave apo urdhri për arrest shtëpie.

“Vendimi i gjykatës nuk është i drejtë”, thotë Irfan Shkodrani, ndërsa shikon aparatamentin e e Berishës në mes të një shiu janari, të cilin ai e mposht me një çadër.