Regjistrat Kadastralë në Shpërputhje me Gjendjen në Terren

Një prej atyre problemeve, i cili lidhet drejtpërdrejt me regjistrat kadastralë, është i shkaktuar nga vetë zyrtarët përgjegjës të Agjencisë Kadastrale të Kosovës (AKK).

Bëhet fjalë për një problem vërtet madhor, i cili përfshin të gjitha komunat e Kosovës dhe që shkakton pasoja të shumanshme administrative e procedurale, si dhe ka një kosto të madhe financiare për qytetarët e Kosovës.

Më konkretisht, fjala është për mospërputhjen e pikave të ngastrave kadastrale të cilat sigurohen nga regjistrat e rinj në zyrat kadastrale komunale, qoftë për pronat private ose publike, në krahasim me gjendjen reale të objekteve fizike të cilat janë të ndërtuara që prej para shumë vitesh.

Personalisht, jam ballafaquar me problemin e sipërshënuar gjatë vitit të kaluar në Komunën e Mitrovicës. Kur kam shkuar në zyrën e kadastrës dhe kam kërkuar ta shoh planin e situacionit të terrenit në databazën zyrtare kadastrale, më është thënë se bazuar në programin e ri të digjitalizuar, një pjesë e pikave kadastrale të pronës familjare del në oborrin e fqinjit, ndërsa një pjesë e pikave kadastrale të pronës së fqinjit nga ana tjetër hyn në territorin e pronës sonë!

Sipas zyrtarëve kadastralë të Komunës së Mitrovicës, kjo mospërputhje e gjendjes në terren me programin e ri elektronik do të thotë se nëse vendosen pikat kadastrale sipas planeve të situacionit të regjistruar në databazën e re të Komunës, duhet edhe të rrënohen shumë prona të tjera për t’iu përshtatur gjendjes së re pas digjitalizimit!

Duke e parë këtë gjendje si të paqartë, shumë konfuze dhe krejtësisht të palogjikshme, e kam lënë atë punë të pakryer, në përpjekje për të siguruar marrëveshje me të gjithë fqinjët e lagjes me synimin për ta përshtatur gjendjen ekzistuese në terren me planin e ri situacional të Komunës, gjë që është dëshmuar si e pamundur për t’u realizuar.

Mirëpo, për ta kuptuar se ky problem ka shumë gjasa të jetë problem i përgjithshëm për krejt komunat e Kosovës, ka shërbyer inkuadrimi i një qytetari nga Suhareka në njërin prej emisioneve kontaktuese në radio më 31 mars 2015, i cili foli pikërisht për të njëjtin problem që edhe ai e kishte pasur me shënimet kadastrale në Komunën e Suharekës.

Pas disa hulumtimeve në atë çështje, duke konsultuar edhe zyrtarët përkatës të disa prej institucioneve përgjegjëse, mund të arrihet në përfundim se këto mospërputhje janë shkaktuar si rezultat i gabimeve që janë bërë me rastin e krijimit të databazave elektronike nga kompania e kontraktuar prej Agjencisë Kadastrale të Kosovës (AKK), për ta bërë incizimin e gjendjes nga dokumentet e vjetra të shtypura në databazat e reja elektronike/kompjuterike.

Të gjitha parcelat në krejt komunat e Kosovës janë regjistruar me gabime dhe ndryshime që lëvizin prej 0.5 metra deri në 2 metra (apo edhe më shumë!) nga gjendja reale në terren.

Prandaj, konsideroj se Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, bashkë me Agjencinë Kadastrale të Kosovës si institucioni kryesor dhe përgjegjës për këtë çështje, duhet të angazhohet shumë seriozisht dhe të punojë në drejtim të korrigjimit të gabimeve / problemeve të shkaktuara në dëm të qytetarëve të Kosovës.

Në funksion të sqarimit të këtij problemi akut, më 30 prill 2015 (e enjte) jam takuar me njërin prej zyrtarëve kryesorë të Agjencisë Kadastrale të Kosovës (AKK).

Kemi biseduar lidhur me problemin e mospërputhjeve të gjendjes në terren me planet e digjitalizuara të sistemit elektronik të kadastrës, prodhuar nga AKK-ja.

Ia kam prezantuar gjendjen lidhur me pronën familjare në Mitrovicë dhe qëndrimin e zyrtarëve të kadastrës në Komunën e Mitrovicës, se duhet të pajtohemi me humbjen e rreth 80 metrash katrorë sipërfaqe, për shkak se me sistemin e ri elektronik nuk përputhet gjendja ekzistuese në terren me skicat elektronike!!!

Zyrtari i AKK-së e pranoi se problemi qëndron te vetë Agjencia Kadastrale e Kosovës, për faktin se para pak vitesh ata kanë marrë donacione ndërkombëtare për të kompletuar AKK-në me pajisje të reja zyrtare, ndër të cilat u janë siguruar edhe disa skanerë, përmes të cilëve është bërë skanimi i regjistrave të vjetër tekstual (në letër-paus) dhe kthimi i atyre të dhënave përmes sistemit elektronik në versionin digjital.

Sipas zyrtarit të AKK-së, gabimi qëndron në mungesën e përvojës së të gjithë zyrtarëve të AKK-së, të cilët për shkak të mosdijes kanë pranuar pajisje elektronike (skanerë digjitalë) dhe programe softuerike të kompjuterit, të cilat nuk i plotësojnë të gjitha specifikimet teknike për të ofruar saktësinë më të madhe të transpozimit të të dhënave nga shënimet e shtypura në ato digjitale.

Shtetet tjera në regjion (Kroacia, Serbia, etj.) që kanë përvojë më shumë se Kosova në këtë drejtim nuk e kanë pranuar sistemin dhe pajisjet të cilat i ka pranuar shteti i Kosovës (AKK-ja) si donacion, ngase sipas tyre këto sisteme janë të tejkaluara në aspektin teknologjik dhe nuk ofrojnë saktësinë maksimale të kërkuar.

Problemet janë shfaqur edhe për shkak se transpozimi i të dhënave është bërë në mënyrë parciale (të pjesshme), duke skanuar e regjistruar sektorë të ndryshëm veç e veç. Këtu bëhet fjalë për zonat e ndryshme kadastrale sipas komunave të Kosovës. Dhe, kur janë paraqitur në sistemin e përbashkët elektronik, këto të dhëna të skanuara kanë reflektuar ndryshime mjaft të mëdha, duke ndërhyrë zonat kadastrale njëra në tjetrën me sipërfaqe mjaft të mëdha (p.sh. ZK Prishtinë ndërhyn në ZK Fushë Kosovë, etj).

Situatën problematike, e cila është evidente në të gjitha komunat e Kosovës, e dinë shumë mirë zyrtarët e AKK-së, mirëpo sipas tyre, ata vetë nuk kanë mundësi ta ndryshojnë/përmirësojnë këtë gjendje (edhe pse ajo është shkaktuar me fajin e tyre), por vetëm nëse kjo çështje bëhet problem madhor dhe sensibilizohet opinioni deri në atë masë sa që presioni të vijë nga Kuvendi i Kosovës, përkatësisht nga

Qeveria e Kosovës, atëherë ka mundësi që procesi i digjitalizimit të bëhet edhe një herë, duke aplikuar programe dhe pajisje më të sofistikuara, me çka do të mundësohej edhe definimi me një saktësi më të madhe i ndarjes së parcelave kadastrale.

Për të ilustruar gjendjen ekzistuese në terren, sipas fjalëve të vetë zyrtarëve të AKK-së: “më mirë është që palët të merren vesh mes vete e të përcaktojnë vetë pikat ndarëse, sepse nëse detyrohen të thërrasin gjeodetët e zyrave kadastrale dhe të vendosin pikat ndarëse sipas shënimeve zyrtare kadastrale, problemet vetëm sa do të thellohen e nuk do të arrijnë të rregullohen si duhet”!

Bile, në mënyrë ironike ata u shprehën: “ne nuk do t’i merrnim zyrtarët e kadastrës as për të vendosur pika ndarëse kadastrale nëpër male e lëre më nëpër zona urbane!?

Krejt kjo për shkak të pasaktësive të mëdha që reflektohen në terren pas procesit të digjitalizimit me gabime të ngastrave/zonave kadastrale.

Këto pasaktësi për fajin dhe gabimin e AKK-së kanë një kosto shumë të lartë për qytetarët e Kosovës, edhe atë në disa drejtime:

–          Për vendosjen e pikave ndarëse kadastrale duhet të paguhet një çmim i caktuar;

–          Meqenëse sistemi i digjitalizuar është me shumë gabime, domethënë që shumë prona duhet të ndryshohen/rrënohen, në mënyrë që t’i përshtaten sistemit elektronik;

–          Këto pika ndarëse, marrë parasysh faktin se ky sistem është me gabime të mëdha, domethënë se pas një kohe digjitalizimi duhet të përsëritet me pajisje më të sofistikuara, gjë që nënkupton se të gjitha këto pika ndarëse kadastrale që po realizohen tani sipas sistemit të ri elektronik do të dalin sërish të jenë të gabuara dhe do të duhet të ndryshohen përsëri.

–          Përveç kostove financiare, nxisin edhe shfaqjen e pakënaqësive, mosmarrëveshjeve dhe konflikteve (verbale e fizike) mes palëve, të cilat mund të përfundojnë edhe me pasoja fatale në njerëz.

–          Sërish, koston e lartë dhe pasojat e këtyre gabimeve dhe ndryshimeve në procesin e digjitalizimit të kadastrave të Kosovës do t’i bartin qytetarët e Kosovës.

Rrjedhimisht, kërkohet një ndërhyrje urgjente nga instancat përkatëse e relevante të institucioneve të Kosovës (Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës/MMPH), në adresë të Agjencisë Kadastrale të Kosovës, me qëllimin dhe kërkesën që procesi i digjitalizimit të përsëritet, të korrigjohen gabimet e bëra dhe të sigurohet një databazë e mirëfilltë elektronike, e cila do të ishte në shërbim dhe jo në dëm të qytetarëve të Kosovës.