FOTO- Agan Kosumi

Qirezi e Likoshani: Masakrat që nxitën rezistencën në Kosovë 

Në 23 vjetorin e masakrës së Qirezit dhe Likoshanit, familjarë  e dëshmitarë të masakrës i mbajnë të freskëta kujtimet kur forcat serbe ekzekutuan 24 civilë shqiptarë.

Sheremet Sejdiu po e pastronte oborrin, para se të insistonte që të ulemi te lapidari i katër djemëve të tij të cilët para 23 viteve i gjeti të vrarë në oborrin e shtëpisë. 

Skalitur në një pllakë mermeri, poshtë Beqirit dhe Bekimit janë binjakët 24 vjeçarë Nazmiu dhe Bedriu, për të cilët babai i tyre preferonte të fliste më së shumti. 

‘‘S’ke mujtë me i dallu cili është cili, shumë kanë ngja!’’, thotë me një buzëqeshje nostalgjike plaku për binjakët e tij të vrarë.  Nazmiu dhe Bedriu ishin studentë të kimisë dhe fizikës në Universitetin e Prishtinës. 

Edhe pse studentët shqiptarë ishin dëbuar nga godinat e Universitetit të Prishtinës në vitet e 90-ta, Bedriu dhe Nazmiu ishin në mesin e mijërave studentëve shqiptarë të Kosovës që po studionin në sistemin paralel.

FOTO- Agan Kosumi

‘‘T’premten kish pas diplomu Bedriu e të shtunën e vranë. Po hiç s’ka kallxue që ka diplomu’’, e thotë sikur ende mban hatërmbetje 79 vjeçari. 

Në ditën e 28 shkurtit të vitit 1998, para se të ndodhnin masakrat në Qirez e Likoshan, luftime mes UÇK-së dhe policisë serbe në Likoshan i paraprinë, tek vendi i quajtur ‘‘Gjashtë Lisat’’. 

Por, në këtë ditë Sheremeti nuk ishte në fshat, ai ndodhej në një vizitë tek vajza e vëllaut të tij. Mirëpo, duke u kthyer për në shtëpi, ai kishte kuptuar se fshati ishte rrethuar dhe se nuk mund të shkohej tutje.

Sheremeti që nuk dinte asgjë për fatin e familjarëve të tij derisa në mesditën e 28 shkurtit kur ai ia mësyu të hynte brenda fshatit pasi aksioni i Policisë kishte përfunduar.

‘‘Rrugës e kam taku një bashkëfshatar tu kajtë, ia kishin vra dy anëtarë të familjes edhe babën ja kishin plagosë, e ai m’tha që edhe djemt e tu i kanë vra’’.

Masakra e Qirezit dhe Likoshanit për të cilën nuk ka as të dënuar as të akuzuar, përmendet edhe në një raport të organizatës për të drejtat e njeriut ‘‘Human Rights Watch’’, HRW, si një ngjarje cila shënon fillimin e pjesës më dramatike të luftës së Kosovës. 

‘‘Helikopterë e makina ushtarake, përpara se forcat policore të hynin më këmbë për të bërë ç’të mundnin brenda, kishin qëlluar mbi lagjet, shtëpitë, çatitë,” thotë një pjesë e raportit të HRW.

Siç shpjegon Sheremeti me fjalët e bashkëshortës së tij tashmë të ndjerë e cila ishte në brenda në shtëpi; tre pjesëtarë  me uniforma të Policisë serbe ishin futur në oborr, ku përveç katër djemve të tij, kishin ekzekutuar edhe dy burra të tjerë të fshatit që atë ditë gjindeshin në oborrin e shtëpisë së Sheremetit. 

Ndërsa brenda në shtëpi ishin bashkëshortja e Sheremetit dhe gruaja e djalit të tij të madh Beqirit dhe dy fëmijët e saj, një djalë dhe një vajzë. 

‘‘Kur shkova i kam pa djemtë të shtrirë në oborr edhe veç jam mbështetë te zoti’’, thotë Sheremeti.

Sheremet Sejdiu afër arkivoleve të djemve të vrarë

Forcë tjetër për ta vazhduar jetën thotë që kanë qenë gruaja dhe e reja e tij të cilat ishin dëshmitare të afërta të ngjarjes dhe kishin parë gjithçka që kishte ndodhur atë ditë në oborrin e tyre. 

‘‘As rejen as gruan nuk i kam lanë me u afru te kufomat, se thojsha po mbesin me  ndonjë pasojë e s’muj i kqyri,” thotë Sheremeti. “Mendova, nashta ma mirë kishin bo me ma pas myt edhe lokën (gruan) se me lanë me i pa djemtë ashtu,”shton ai. Gruaja e tij kishte jetuar deri në vitin 2020.

Krimet në rrethinë

Ndërkohë, ngjarje tjetër tronditëse e cila kishte marrur edhe vëmendje ndërkombëtare, atë ditë ishte dhe sulmi mbi familjen Ahmeti në Likoshan ku forcat serbe maltretuan e më pas ekzekutuan para dyerve të shtëpisë 11 burra, dhjetë prej të cilëve nga kjo familje. 

Ndër personat e parë dëshmitarë të ngjarjes mbi familjen Ahmeti është edhe Lah Hasani, fqiu i kësaj familje. Sipas tij, atë ditë për 28 orë fshati ka qenë i rrethuar nga forcat serbe të cilët sulmonin me mjete të rënda ushtarake dhe se i gjithë fshati ishte i ngujuar. 

Lah Hasani
FOTO- Agan Kosumi

Sipas, Lahut ngjarja në familjen Ahmeti kishte ndodhur në mëngjes kur forcat serbe kishin hyrë te kjo familje duke i detyruar të gjithë burrat të dilnin nga shtëpia.

‘‘I kanë qitë burrat në oborr edhe i kanë rrah për vdekje, tani i kanë qitë para dyerve ku është tash lapidari edhe i kanë ekzekutu. Tani i kanë nisë për në morg të Prishtinës’’, thotë Hasani, i cili me tu larguar forcat serbe nga fshati ishte nisur në drejtim të shtëpive të asaj familje.

‘‘Kena shku me vëllau dhe një djalë të mixhës te shpiat e tyne, vëllai iu ka thanë familjarëve dilni jashtë se shkuan dhe ju tha shkoni tek shtëpitë tona. Ajo zoja e shtëpisë po thotë ‘‘burrat na kanë mbytë’‘ vëllai i tha kush bre po të thotë? Po tha veç qitu në oborr çka ju kanë bo boll, plus i kena ndi pushkët’’, kujton atë bisedë Hasani.

Pasi që i kishin sistemuar familjen Ahmeti, Hasani me vëllain dhe kushëririn e tij e kishin kontrollur vendin ku burrat e kësaj familje ishin ekzekutuar. 

Pamjet e asaj dite, Hasani vazhdon t’i ketë të gjalla për çdo ditë. 

‘‘Të nesërmen, nja 3-4 veta të fshatit në shku në morg në Prishtinë i kanë marrë kufomat. Me qito duar të mia i kam shprazë kufomat prej kamioni’’. 

Lah Hasanit, të cilit në luftë i vranë babain dhe axhën e tij, tash e disa vite përkujdesët në baza ditore për mirëmbajtjen shtëpisë së familjes Ahmeti e cila është shndërruar në muze. 

Për të, përkujdesi për shtëpinë dhe oborrin është një barrë e rëndë emocionale dhe një kthim kujtese të vazhdueshme. ‘‘Sa herë vi e hapi derën e këtij oborri m’bjen n’men ajo ditë, unë këtu vi çdo ditë edhe çdo ditë më bjen në mend. Sa herë ja shti çelsin derës, më paraftyrohet çdo gjë’’, thotë ai.

Ndërkaq, shtëpinë ku kishte ndodhur masakra, shumë shpesh e viziton edhe Xhevdet Ahmeti, djali i madh i Ahmet Ahmetit, i cili ishte ekzekutuar së bashku me tre djemtë të tij. Mirëpo, sikurse Sheremeti, në ditën kritike edhe ai nuk ndodhej në shtëpi.

Xhevdet Ahmeti
FOTO-Agan Kosumi

‘‘Unë atë ditë, rastësisht ndodhesha në Prishtinë për disa obligime private’’, thotë Ahmeti. 

Për ngjarjen ai thotë se kuptoi përmes djalit të dajës së tij, kur kishte ardhur në Drenas. 

Xhevdeti, i cili ende nuk kishte mbushur të 30-tat, së bashku me djalin e dajës së tij kishin shkuar në pyllin që ndan fshatin Gllanasellë dhe Likoshan për të parë se çfarë kishte ndodhur në fshat. 

‘‘Pashë forca të shtuara serbe që e kishin rrethuar fshatin dhe vërejta një koncentrim tek shtëpitë tona. Dhe prej asaj çka shihhja e krijova përshtypjen që është zhduk gjithëçka, mendova se të gjithë i kanë vrarë’’, kujton ai, i cili drejt shtëpisë ishte nisur pasi që ishin larguar forcat serbe. 

‘‘Isha i bindur se nuk do të gjej askënd gjallë’’, përsëritë Xhevdeti. 

Mirëpo, me të shkuar në fshat, ku edhe ishte takuar me familjarët tjerë, e kuptoi se maltretimi dhe ekzekutimi i familjarëve të tij, ndër ta babai dhe tre vëllëzër kishte ndodhur pasi që forcat serbe kishin hetuar se kjo familje ka strehuar ushtarin e të plagosur të UÇK-së Rexhep Rexhepi, i cili veçse kishte ndërruar jetë në atë shtëpi më pastaj. 

Xhevdeti thotë që familja e tij ka qenë cak dhe nuk ka qenë një ngjarje aksidentale. 

‘‘Sulmi ka qenë që të tmerrojnë familjet tjera që mos të provojnë me rezistu apo me strehu njerëz të UÇK-së’’, thotë Ahmeti, i cili ai së bashku me pjesën tjetër të familjes jetojnë në Drenas. 

Mirëpo, ai thotë se shumë shpesh e viziton vendi ku kishte jetuar për 30 vite. ‘‘Unë edhe kur nuk e hapi atë derë, edhe kur nuk jam atje, unë jam për ditë me ta, jetoj çdo ditë me ta’’, përfundon ai.