Qeveritë e Kosovës në 13 vjet shtet

Republika e Kosovës, që nga shpallja e pavarësisë ka arritur që në krye të qeverisë t’i ketë të gjithë liderët e subjekteve më të mëdha politike në vend Hashim Thaçin, Isa Mustafën, Ramush Haradinaj e deri te Albin Kurti, i cili së bashku me Lëvizjen Vetëvendosje ishin kritikët më të mëdhenj për të gjitha proceset politike në vend.

Megjithëse gjatë viteve liderët e disa subjekteve kanë ndryshuar, Kosova numëron 6 qeveri të ndryshme që nga shpallja e pavarësisë e pesë legjislatura parlamentare, që kur Kuvendi i Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008 shpalli Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës.

14 shkurti është dita kur edhe janë mbajtur zgjedhjet e parakohshme parlamentare të këtij viti 2021 dhe vendi do ta ketë së shpejti edhe qeverinë e re, të shtatën me radhë që nga shpallja e pavarësisë.

Sipas rezultateve preliminare të shpallura nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje prinë bindshëm me 47.85 për qind të votave, duke e lënë mbrapa Partinë Demokratike të Kosovës me 17.41 për qind, Lidhjen Demokratike të Kosovës me 13.08 si dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës me 7.43 për qind.

Në këto zgjedhje, përveç rezultatit të ulët LDK nuk prinë në asnjë komunë e as në të ashtuquajturat bastione të saj.

Krijimi dhe rrëzimi i qeverive, që nga shpallja e pavarësisë

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të këtij viti, janë shpallur nga U.D presidentja Vjosa Osmani e cila e ka shpërndarë Kuvendin e Kosovës duke u bazuar në përgjegjësitë kushtetuese dhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese Nr. KO-95/20, si dhe pas diskutimit me partitë parlamentare dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Gjykata Kushtetuese në dhjetor të vitit 2020, kishte dhënë vendimin për rrëzimin e qeverisë Hoti.

Qeveria e Avdullah Hotit, erdhi në pushtet pas prishjes së koalicionit që kishin me Lëvizjen Vetëvendosje e cila u rrëzua në Kuvend me votën e mosbesimit vetëm 52 ditë nga krijimi i saj. Edhe qeveria Hoti, ndonëse ‘jetoi’ pak më gjatë se ajo Kurti, u rrëzua me vendim të Gjykatës Kushtetuese, pas ankesës së bërë nga Lëvizja Vetëvendosje për ligjshmërinë e votës së deputetit Et’hem Arifi, vota e të cilit doli të ishte përcaktuese për t’i dhënë mandatin qeverisë Hoti.

Për një vit kalendarik, 2020 u krijuan dhe u rrëzuan dy qeveri

Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti u rrëzua në fillimkohën e pandemisë, pas përçarjeve që kishin koalicioni LVV – LDK.
Më 23 mars 2020
 përmes një mocioni të mosbesimit të iniciuar nga partnerja kryesore e koalicionit qeveritar LDK, deputetët e Kuvendit të Kosovës me 82 vota votoi pro rrëzuan qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti. Mocionin e mosbesimit e votuan edhe subjektet opozitare të kohës.

LDK-ja, formoi një koalicion tjetër së bashku me AAK-NISMA-AKR-Lista Serbe, të drejtuar nga Avdullah Hoti.

Ky koalicion më 2 qershor u votua nga 61 deputetë për të udhëhequr me qeverinë vendit.

Mirëpo vota e deputetit, Et’hem Arifi, e cila konsiderohet të ketë qenë vendimtare për këtë qeveri, u shpall e pavlefshme nga Gjykata Kushtetuese.

Qeveria Hoti, për dallim nga qeveritë e tjera u shkarkua nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, ndërsa të gjitha qeveritë e kaluara, janë rrëzuar për shkak të mocioneve të mosbesimit, dorëheqjeve, etj. Asnjë nga qeveritë e Kosovës, që nga shpallja e pavarësisë, nuk e ka përmbyllur në plotëni mandatin kushtetues katër vjeçar.

Paraardhës i Kurtit në krye të ekzekutivit, ishte Ramush Haradinaj. Ai me 9 shtator të vitit 2017, ishte zgjedhur kryeministër i Kosovës, por kësaj radhe për të dytën herë pas 13 vjetësh, kur mandati i parë kryeministror i ishte ndërprerë me 5 mars të vitit 2005, meqë ishte ftuar nga Tribunali Ndërkombbëtare për Krime Lufte në Hagë.

Si një Déjà vu, kryeministrit nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Haradinaj, sa ishte për herën e dytë në krye të qeverisjes, iu dashtë të largohet. Ai merr ftesë nga Gjykata Speciale në Hagë në korrik 2019, për çka tha se u shty moralisht e politikisht të jap dorëheqje.

“Arsyeja e këtij vendimi që e kam marrë është për shkak të thirrjes së marrë nga Dhomat e Specializuara si i dyshuar. Qeveritë dhe pushtetet janë të ndërrueshme, jetojmë në demokraci, nderi i kryeministrit dhe shtetit duhet të ruhet dhe unë nuk e poshtëroj asnjëherë. Në Hagë, shkoj si Ramush Haradinaj, jo si kryeministër”, pati thënë ai.

Pasi përfundoi intervistimin, Haradinaj kërkoi prapë edhe një mandat të ri për kryeministër në zgjedhjet e 6 tetorit 2019. Koalicioni AAK-PSD 100 për qind Kosovë u radhit i 4-ti me 96 mijë e 872 vota.

Haradinaj kishte qenë kryeministër i Kosovës edhe para shpalljes së Pavarësisë, atëbotë në koalicion me LDK-në, të cilën e drejtonte ish presidenti, tashmë i ndjerë, Ibrahim Rugova.

Prej shpalljes së pavarësisë, në kryeqeveri ishte edhe ish lideri i PDK-së Hashim Thaçi, me dy mandate

Hashim Thaçi ishte zgjedhur kryeministër për herë të parë më 2007, përmes një koalicioni të madh me LDK-në.

Ky koalicion në atë kohë me Hashim Thaçin kryeministër, Jakup Krasniqin kryetar Kuvendi dhe Fatmir Sejdiun president i shtetit, i la në opozitë AKR-në, AAK-në dhe LDD-në.

Por, Thaçi nuk arriti ta çojë mandatin deri në fund dhe në 2010 vendi shkoi në zgjedhje të parakohshme.

Deri te zgjedhjet erdhi pasi që ish kryetari i LDK-së Fatmir Sejdiu kishte dhënë dorëheqje nga pozita e Presidentit të vendit për shkak të opinionit të Gjykatës Kushtetuese se presidenti nuk mund të ketë rol edhe në parti politike.

Zgjedhjet e 2010 e nxorën përsëri Hashim Thaçin dhe PDK-në të parën nga partitë politike në Kosovë. PDK kishte 32 deputetë, ndërsa LDK-në 29-të. Por Thaçi kishte anashkaluar partnerin paraprak, duke u bërë bashkë me AKR-në e Behgjet Pacollit, të cilit ia premtoi postin e Presidentit.

Ai u zgjodh president, por Pacolli e mbajti këtë post vetëm një muaj për shkak se në këtë rast ‘ndërhyri’ Gjykata Kushtetuese, duke e cilësuar si jo kushtetuese mënyrën e zgjedhjes së tij në Kuvend.

Pas Pacollit përfaqësuesit më të lartë politikë e ish-ambasadori amerikan Christopher Dell, ‘hapën zarfin’ e shumë përfolur, prej së cilit Atifete Jahjaga u zgjodh presidente.

Qeveria Thaçi II, zgjati deri në 2014, para se Thaçi ta dërgonte personalisht vendin në zgjedhje, pasi atij i kishte dështuar nisma për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.

Edhe lideri, tashmë i dorëhequr, i LDK-së Isa Mustafa e jetoi shefllëkun e ekzekutuesit të parë institucional të vendit

Në zgjedhjet e 2014 edhe pse PDK doli e para, Hashim Thaçit iu deshën mbi 6 muaj që ta thyejë bllokun opozitar që ishte krijuar kundër tij.

Fillimisht asnjë nga partitë tjera nuk pranonte të hynte në koalicion qeverisës më PDK-në. LDK, LVV, AAK dhe Nisma, kishin krijuar një bllok dhe njiheshin si blloku LVAN.

Mirëpo pas 6 muajve, Hashim Thaçi e shkëputi LDK-në nga LVAN-i dhe e morri në LDK-në në qeveri duke krijuar njërën nga Qeveritë me numrin më të madh të deputetëve.

Kjo marrëveshje politike e bëri Thaçin fillimisht ministër të Punëve të Jashtme e më pas president, atëherë kur Jahjagës i përfundoi mandati pesëvjeçar në krye të shtetit, në prill të vitit 2016.

LDK kishte pranuar që ta merrte kreun e Qeverisë, ndërsa kusht e kishin pasur që pas përfundimit të mandatit të Presidentes Atifete Jahjaga, LDK ta votonte Hashim Thaçin për pasues të saj.

Analisti politik Belul Beqaj: Gabimet elementare të qeverisjes, janë mbuluar me euforinë nacionale 

Analisti Belul Beqaj, ka thënë për KALLXO.com se qeveritë që nga shpallja e pavarësisë deri me sot kanë pasur një rrugëtim transformues.

Sipas tij në fazën e shpalljes së pavarësisë ka dominuar euforia emocionale kombëtare e cila gabimet elementare të qeverisjes, i ka mbuluar me euforinë nacionale dhe simboliken e pavarësisë.

Ndërsa qeverisjet e pastajme, sipas tij, më shumë kanë punuar për interesat e tyre partiake se sa për interesat publike.

“Si rrjedhojë e të gjitha legjislaturave kemi ardhur në një gjendje të degradimit moral dhe institucional, kur partia e cila ishte lëvizje problematike, doli fituese absolute e zgjedhjeve të sivjetme, ndërsa partitë që konsideroheshin shtet formuese, siç ishte LDK-ja, me rreth 700,000 anëtarë para pavarësisë, ka rënë në 100.000”, tha ai.

Beqaj ka shtuar se për shkak të keqqeverisjes kanë rënie të dukshme të besimit elektoral.

Gjashtë qeveritë e Kosovës që nga shpallja e pavarësisë, e shtata në ardhje

2007 – 2010, kryeministër Hashim Thaçi

2010 – 2014 kryeministër Hashim Thaçi

2014 – 2017 kryeministër Isa Mustafa

2017 – 2019 kryeministër Ramush Haradinaj

2020 – 2020 (shkurt – mars) kryeministër Albin Kurti

2020 – 2020 (qershor – dhjetor)  kryeministër Avdullah Hoti