Në foto: Afrim Gala

Punimi e djepit prej drurit, zeja që po rrallohet me kalimin e viteve

Djepi prej druri për një kohë të gjatë është përdorur për të vënë në gjumë fëmijët me ninulla në traditën shqiptare. Punimi i tyre me ngjyra e dizajne të ndryshme ka qenë një nga punët artizanale që kanë bërë zejtarë të ndryshëm në Kosovë. Por të njëjtit dita ditës po rrallohen.

Në foto: Djepat e Gjakovës

Këtë zeje, Afrim Gala nga Gjakova e ka trashëguar nga familja për disa breza me radhë.

Babai i tij ka punuar djepa deri në frymën e fundit, për t’ia lënë më pas trashëgimi djemve të tij, të cilët janë ndër të vetmit zanatli të vjetër të djepit në Gjakovë.

“Me punimin e djepit kemi filluar të merremi, ndoshta babai i ka 80 vjet që ia ka filluar. Para 5 vjetëve ka vdekur. Ai ka punuar deri në dy vite ose tri para se me vdekë” – rrëfeu Gala në një intervistë për KALLXO.com.

“Përpara ky zanat ka pasë shumë punë para luftës. Edhe pas luftës ka pasur shumë punë. Ato dy vjet e para mbas luftës se u kallën nëpër fshatra e qytete edhe kanë kërkuar maxhet e sofrat e djepat. Mirëpo mbas 2 ose 3 vjetëve që përfundoi lufta filloi të bie blerja”- shtoi Gala.

Në foto: Afrim Gala

Shkurtimisht Gala tregoi edhe procesin e punimit të djepit.

“Një pjesë e punimit të djepit është 70-80 për qind drurit breh (kedri) i kuq. Shulja dhe mullungat e djepit punohen prej drurit të ahut. Fillimisht druri duhet të sharrohet, të bëhen dimenzionet, të strobohet, të limohet dhe të vazhdohet deri në të bardhë. Vetëm formën për tu bërë djep zgjatë një ditë. Më pas fillohet të punohet me pjesën e dytë, pra ngjyrimin e cila zgjatë poashtu një ditë. Në fillim ngjyroset me ngjyrë të verdhë, pastaj me rend ngjyrat e tjera. Në fund i jepet shkëlqimi me llak pa ngjyrë” – tha ai.

Në foto: Sharrë bansek

Ai tregoi se interesimi për blerjen e djepave tani është shumë i vogël sesa viteve të kaluara. Gala theksoi se teknologjia ka ndikuar mjaft në zbehjen e këtij artizanati. Me trendet botërore, djepi rrezikon të mbetet si një suvenir në shtëpi.

“Nuk ka mundësi këtë me punu me digjitale, se kjo punë dore është, krejt art e me digjital nuk ma merr mendja. S’ka mundësi. Kjo si fillon prej A-së e deri në Zh-ë krejt është punim dore”- tha Gala.

Në foto: Ngjyrat e përdorurua