Pro-Perëndimor Është Shteti që Kujdeset për Qytetarin

Në debatin politik në Kosovë, argumenti më i fortë mbetet ai se kush është pro-amerikan e pro-evropian dhe të jesh anti-amerikan apo anti-evropian janë bërë thirrje për linçim dhe për lëçitje dhe për ta heshtur oponentin politik; janë bërë edhe mjet për të frikësuar kundërshtarët por edhe tërë qytetarët, duke u kthyer në mjet jo vetëm presioni por edhe terrori psikik kundër qytetarëve dhe atyre që dëshirojnë t’i dalin zot qytetarëve.

Po, çfarë do të thotë të jesh pro-amerikan apo pro-evropian? Në kuptimin më të thjeshtë, do të thotë që të përkrahësh vlerat që e cilësojnë shoqërinë amerikane e atë evropiane – tolerancën, liberalizmin, demokracinë, lirinë për të menduar në mënyrë kritike, për të pasur mendimin tënd për jetën dhe botëkuptimin tënd për lumturinë si dhe të drejtën t’i realizosh këto. Vlerë pro-amerikane dhe pro-evropiane është edhe e drejta të kërkosh nga shteti që të kujdeset për qytetarin, për mirëqenien e tij, të garantojë të drejtat dhe liritë e tij, të mbrohet qytetari dhe prona. Por, në Kosovë, duket se ky nuk është kuti matës me të cilin vlerësohet se çfarë është qëndrimi pro-amerikan e pro-evropian. Duket se kuti matës është pajtueshmëria deri në verbësi me mendimin e diplomatëve të vendeve të fuqishme, edhe atëherë kur kjo nuk është në interesin më të mirë të Kosovës.

Debati i zjarrtë për përfaqësimin e Kosovës në forume rajonale, që iu imponua Kosovës për ta bërë Serbinë të duket mirë, qytetarëve të Kosovës asnjëherë nuk i u prezantua në mënyrë të argumentuar. Përkundrazi, ata që guxuan të pyesnin se sa e drejtë është kjo zgjidhje, u denoncuan menjëherë si anti-amerikanë e anti-evropianë, e rrjedhimisht edhe si anti-kosovarë. Akuzat e tilla mjaftuan që t’ua mbyllin gojën dy partive politike opozitare, LDK-së dhe AAK-së, që nuk e përkrahën nismën e kolegëve opozitarë nga Lëvizja VETËVENDOSJE! që të kërkojnë debat në Kuvendin e Kosovës për këtë çështje. Koalicioni qeveritar në këto cilësime e gjeti argumentin e vetëm për të pranuar këtë pazar shumë të shtrenjtë për Kosovën duke e kthyer Kosovën në një gjendje në të cilën statusi i saj politik ende nuk është zgjidhur. Në fakt, kjo zgjidhje është zgjidhja më anti-amerikane e më anti-evropiane që ka mundur të gjendet.

Një zgjidhje pro-amerikane e pro-evropiane do të ishte ajo që u shkon për shtati interesave të SHBA-së dhe shteteve anëtare të BE-së. Interes i SHBA-së dhe shteteve evropiane në Ballkan është paqja, stabiliteti e prosperiteti, që do t’ua mundësonte këtyre shteteve që të largojnë prezencën e tyre nga kjo pjesë e Evropës duke kursyer resurse në këto kohë krize financiare dhe duke u lejuar që ato resurse që i kanë t’i përqendrojnë në pikat më të ndjeshme në glob. E paqen, stabilitetin e prosperitetin në Ballkan është duke e kërcënuar më së shumti nacionalizmi në Serbi dhe në Maqedoni e jo promovimi i interesave legjitime të Kosovës, pra politikat pro-kosovare.

Në raport me Kosovën, asnjë qeveri në Serbi, që nga rënia e Milosheviqit, nuk ka ndryshuar qasjen. Qeveria e udhëhequr nga DS e z.Boris Tadic, president i Serbisë, është po aq jo-konstruktive në raport me Kosovën sa edhe qeveritë tjera më të hershme. Vet Presidenti i Serbisë, Tadic, tërë kohën flet se nuk do të pranojë shtetësinë e Kosovës dhe se nuk do të shuajë strukturat ilegale të shtetit Serb brenda territorit të Kosovës ani pse kjo është në kundërshtim edhe me Rezolutën 1244 që Serbia thërret të respektohet. Këto struktura të Serbisë janë kërcënim i drejtpërdrejtë për shtetin e Kosovës dhe pengesë në konsolidimin e shtetësisë së Kosovës. Serbia nuk e fsheh që ambicie e saj është që Kosova të ndahet dhe që ajo të marrë veriun e Kosovës që nuk i ka takuar asnjëherë, pa çarë kokën se kjo zgjidhje është krejtësisht në kundërshtim me interesat e Evropës dhe Amerikës. Klasa politike në Kosovë duhet të tregojë qartë dhe me zë të lartë se kritikat dhe presionin Evropa e Amerika duhet ta adresojnë në Beograd e jo në Prishtinë.

Republika e Maqedonisë gjithashtu është duke punuar kundër interesave të Amerikës dhe Evropës. Ndonëse shteti është duke u zhytur në krizë ekonomike, udhëheqësit politikë, të paaftë që të bëjnë diçka për të rimëkëmbur ekonominë, kanë vendosur që këtë problem ta mbulojnë me nacionalizëm. Këto sentimente nacionaliste janë drejtuar më së shumti kundër shqiptarëve të Maqedonisë, që shihen si armiku më i madh i brendshëm i shtetit. Udhëheqësit politikë të Maqedonisë po dështojnë që të dënojnë atmosferën e tensionuar që ka sjellë deri në pikën kur zyrtarët e shtetit ndihen se kanë “fuqinë” që të vrasin të rinj shqiptarë edhe për shkaqet më banale. Edhe atje, klasa politike shqiptare nuk po gjen guximin të ngrejë zërin në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve.

E heshtur është edhe klasa politike në Tiranë. Frika nga cilësimet se janë anti-amerikanë e anti-evropianë duket se u kanë mbyllur gojën politikanëve po aq sa edhe preokupimi me luftën e paskrupullt për pushtet.

Klasa politike si në Kosovë, si në Shqipëri e si ajo e shqiptarëve në Maqedoni si duket nuk po di të bëjë dallimin mes patriotizmit dhe nacionalizmit. Të jesh patriot dhe të angazhohesh për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve nuk është nacionalizëm. Është e drejtë por edhe obligim i klasës politike shqiptare. Për më tepër, është politika më pro-amerikane dhe më pro-evropiane që do të mund ta artikulonte kjo klasë politike. Drejtimi i gishtit kah problemi i vërtetë – nacionalizmi në Serbi e në Maqedoni – dhe avancimi i të drejtave të shqiptarëve në rajon ashtu që këta të jenë të barabartë me fqinjët e tyre, janë rruga më e mirë për të siguruar paqe e stabilitet në rajon. Rrjedhimisht, kjo është edhe rruga më e mirë për të realizuar interesat e SHBA-së dhe aleatëve në Evropë.