
Kandidatët për deputetë nga partia "Narodna Pravda". Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com
Për mirëqenien e serbëve dhe kundër Asociacionit: Zotimet e Iniciativës Qytetare “Drejtësia Popullore”
Kandidatët për deputetë nga Iniciativa Qytetare “Drejtësia Popullore” (Narodna Pravda) të rreshtuar kundër Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe kundër Listës Serbe, premtojnë që nëse arrijnë të marrin një post ministror në Qeverinë e re do të kontribuojnë në arsim dhe shëndetësi për pakicën serbe.
Iniciativa Qytetare “Drejtësia Popullore” (Narodna Pravda), subjekt politik nga komuniteti serb është garuese në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 në Kosovë. Kandidatët për deputetë nga ky subjekt pos që synojnë të marrin ulëse në Kuvend, aspirojnë që të paktën të kenë edhe një ministër në Qeverinë e ardhshme.
Radoica Radomiroviq dhe Danijela Vuçiniq thonë se janë të rreshtuar kundër Listës Serbe dhe kundër Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, mirëpo e kanë si qëllim që “policët, prokurorët dhe gjyqtarët e ndershëm” t’i kthejnë në pozitat e tyre nëpër institucionet e Kosovës. Po ashtu, ata zotohen se do të plotësojnë kërkesat e serbëve të Kosovës në fushën e arsimit, shëndetësisë, bujqësisë dhe investimeve.
Ndër të tjera, këta dy kandidatë shpërfaqën mirënjohjen e tyre për sjelljen e mirë të policëve të Kosovës në veri të vendit dhe dënuan bandat kriminale të organizuara në atë pjesë. Duke e quajtur tradhtar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ata shfaqën shpresën që sa më parë të ndërrohet pushteti në Serbi në mënyrë që të krijohen ura komunikimi me Kosovën.
Duke shprehur qëndrimet dhe premtimet e tyre në “Debat Përnime”, më 07.02.2025, ata fajësuan Listën Serbe në lidhje me situatën kaotike të serbëve në Kosovë, duke deklaruar vazhdimisht që “nuk janë si ata”. Ndër të tjera, treguan se kanë marrëdhënie të mira me policët e Kosovës në veri të vendit, duke fajësuar në anën tjetër ministrin për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq për mënyrën se si i shpërndan fondet e përcaktuara për pakicën.
“Drejtësia Popullore” kundër Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe
Kandidati për deputet në Kuvendin e Kosovës nga “Drejtësia Popullore”, Radoica Radomiroviq, thotë që Asociacioni i Komunave Serbe nuk do t’ju sjellë asgjë të madhe serbëve dhe se shumica e popullsisë nga ky komunitet nuk e dinë se çfarë nënkupton ai Asociacion.
Madje, ai druhet se një Asociacion i tillë do të përdoret për të ushtruar presion mbi qytetarët serbë të Kosovës. “Unë, formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe e shoh si një gjë që nuk do të sjellë diçka të mirë për serbët. Kam frikë se ata që do të drejtojnë atë Asociacion do të mund të krijojnë një mendësi të ngjashme, siç kemi pasur me Listën Serbe, ku ata që do të jenë në atë Asociacion dhe do të kryejnë përgjegjësi aty do të ushtrojnë presion mbi qytetarët tanë”- u shpreh ai.
Në emër të shteteve që përfaqësonin, më 18.03. 2023 e njohur si Marrëveshja e Ohrit, dy liderët Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq u pajtuan që Kosova dhe Serbia të zhvillonin marrëdhënie normale të fqinjësisë së mirë me njëra-tjetrën dhe ndër tjera t’i njihnin dokumentet relevante dhe simbolet kombëtare të njëra-tjetrës, përfshirë pasaportat, diplomat, targat e automjeteve dhe vulat doganore.
Në kuadër të Marrëveshjes së Brukselit, në vitin 2013, është arritur pajtimi që të formohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë. Në vitin 2015, u arrit marrëveshja shtesë për parime. Megjithatë, po atë vit, Gjykata Kushtetuese e Kosovës konstatoi se këto parime nuk janë në harmoni të plotë me frymën e Kushtetutës së Kosovës.
Kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti, ka refuzuar zbatimin e kësaj Marrëveshjeje sepse konsideron se është e dëmshme dhe mund të çojë në krijimin e një “Republike Srpska të re” (një nga dy entitetet në Bosnje dhe Hercegovinë) në veri të Kosovës, ku jeton popullsia me shumicë serbe.
Në këndvështrimin e Radomiroviqit, qytetarët serbë të Kosovës interesin më të madh për atë si do të duken në të ardhmen shëndetësia dhe arsimi. Ndër të tjera, ai konsideroi se për partinë e tyre, presidenti serb Aleksandër Vuçiq është tradhtari më i madh pasi “ka tradhtuar interesat serbe në Kosovë dhe ka plaçkitur popullin serb”.
Në lidhje me vendimin e Qeverisë së Kosovës për ndalimin e dinarit dhe pranimin e shtesave me dinar, ai tha se transferimi i parave është bërë përmes kursimores postare, megjithatë, qeveria e Serbisë nuk ka qenë e interesuar që kursimorja postare të vazhdojë punën e saj.
“Por të kujtoj se tani kemi bankën NLB që ka blerë ish Bankën Komerciale në Serbi, ku qytetarët mund të marrin pensionet e tyre që u paguhen serbëve, në bankën NLB, por edhe në euro”- tha ai.
Radomiroviq tha se për qytetarët serbë është problem i madh që dikush të vijë nga Shtërpca dhe të marrë pensionin. Për këtë fajësoi Qeverinë e Serbisë për papërgjegjshmëri. “Ka banka në Kosovë që jam plotësisht i sigurt se mund dhe duan të bashkëpunojnë me bankën në Serbi që ato para të transferohen”, ka deklaruar ai.
Qytetarët, sipas tij, duhet të pajtohen me faktin se ato para do t’i marrin ekskluzivisht në euro.
“Gjithçka që ka thënë se nuk do të japë, e ka dhënë, pra nuk e shohim atë problem. Mendoj, pse do të shkonin qytetarët të marrin para në Rashkë ose në Kurshumli, kur mund ta bëjnë këtë në degët e tyre në Shtërpcë dhe në Prishtinë?”- u shpreh ai.
Më 01.02.2024 në Kosovë hyri në fuqi një Rregullore e Banka Qendrore e Kosovës, e cila ndalon përdorimin e dinarit serb për kryerjen e pagesave. Me Rregulloren e BQK-së, euroja është caktuar si valuta e vetme në Kosovë për kryerjen e pagesave.
Megjithatë, ai shpreson që së shpejti në Serbi të vendosen qeveritë demokratike, ku vetë këta si parti të jenë ura e pajtimit dhe bashkëpunimit midis qeverisë në Prishtinë dhe qeverisë në Beograd.
“Personalisht mendoj, dhe ne nga Drejtësia Qytetare mendojmë se është shumë e rëndësishme dhe me rëndësi për ne që të jemi anëtarë të Këshillit të Europës”- tha ai.
Nëse partia “Drejtësia Popullore” arrin të hyjë në Qeveri, kandidatja Danijela Vuçiniq shpreson që të paktën të kenë një ministër nga partia e tyre.
“Nëse do të jemi pjesë e qeverisë, do të biem dakord për këtë çështje, por mendojmë që do të kemi të paktën një ministër në qeveri- të gjinisë mashkullore”- u përgjigj ajo kur u pyet se a parapëlqejnë të jetë i gjinisë femërore apo mashkullore.
A do të ketë rikthim të serbëve në institucionet e Kosovës?
Nisma qytetare “Drejtësia Popullore” nuk e fajëson tërësisht Qeverinë Kurti për largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës. Një pjesë të madhe të fajit ia lë bandave kriminale në veri të vendit.
Radomiroviq, nëse zgjidhet deputet thotë se që nga dita e parë do të angazhohet për rikthimin e policëve të Kosovës, serbë dhe boshnjakë, por jo edhe të kriminelëve të veriut.
Sipas tij, policët që në shumicën e rasteve janë njerëz të ndershëm dhe të drejtë, megjithatë ata nuk vendosnin për asgjë dhe se shoqëria shqiptare duhet të kuptojë që në atë kohë kanë “jetuar në një kaos të plotë”.
“Nuk do të fajësoj qeverinë e Kosovës që nuk mbrojti atëherë gjyqtarët dhe prokurorët, por ata kishin presion nga ato banda kriminale që të linin ato pozita”- tha ai.
Qindra pjesëtarë të komunitetit serb në veri dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës, përfshirë komunat, policinë, gjykatat dhe prokurorinë, në nëntor të vitit 2022.
Ai tha se qëllimi i parë do të jetë, me hyrjen në parlament, që policët, gjyqtarët dhe prokurorët, kushdo që dëshiron nga ta, duhet të kthehen, në mënyrë që sistemi juridik të funksionojë në veriun e Kosovës.
Ndërsa për Policinë e Kosovës, ai tha se pjesa më e madhe e tyre e kryen punën në veri shumë profesionalisht.
“Nga përvoja ime personale mund të them, nuk më shkruante në ballë që isha zëvendësministër, por nuk kam përjetuar asnjë shqetësim nga ata policë, me të vërtetë. Mund të them me krenari që ne nga Narodna Pravda kemi pritur Vitin e Ri së bashku me policët”- tha ai.
Radomiroviq tha se dëshiron t’ia rikujtojë publikut se nuk janë pjesë e Listës Serbe, por duan të jetojnë me ndershmëri dhe drejtësi dhe të kenë marrëdhënie sa më të mira me të gjitha komunitetet.
“Nuk ka rëndësi që ata janë shqiptarë. Ata janë policë që kujdesen për sigurinë tonë. Ata na kanë ruajtur dhe na ruajnë nga kriminelët”- tha ai.
Momentalisht Qeveria Kurti refuzon t’i kthej policët që kanë lënë punën dhe kërkon që të njëjtit të kalojnë në një proces të riaplikimit.
Se cili është plani i tyre, ai tha se duhet të jetë një vendim politik, duke besuar që do të arrijnë një kompromis me shqiptarët.
“Megjithatë edhe qeveria e Kosovës mban një pjesë të përgjegjësisë, sepse ata të njëjtët policë, do t’ju kujtoj që ka policë që kanë lënë policinë në nëntor të vitit 2022, sepse u janë minuar shtëpitë, u janë djegur shtëpitë?” -tha ai, duke shtruar pyetjen se çfarë ka qenë në gjendje të bëjë qeveria e Kosovës në atë moment për t’i mbrojtur ata policë.
Pse nuk është më pjesë e Qeverisë?
Radoica Radomiroviq ka qenë për një kohë të shkurtër zëvendësministër në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim gjatë këtij mandati qeverisës.
Kryeministri Albin Kurti e kishte emëruar më 25.05.2023, pas shkarkimit të pararëndësit të tij Gazmen Salijeviq.
Se a është shkarkuar apo larguar, ai dha arsyen e tij që ndërlidhet me menaxhimin e parave për pakicat në këtë Ministri.
“Për problemin në ministri kam folur me miqtë e mi shqiptarë që në muajin qershor. Nuk do të them cilët, duhet t’i kuptoni. Megjithatë, vendimin për të lënë ministrinë nuk e kam marrë vetë, por kam mbledhur bashkëpunëtorët e mi, ndër të tjerët, aty ishte edhe Danijela Vuçiniq, në total rreth tridhjetë vetë”- u shpreh ai.
Ai pretendon se ka probleme në Ministri me menaxhim të parave që duhet të ndahen për komunitetet pakicë, të cilat sipas tij, nuk drejtohen si duhet.
“Pra, me përgjegjësi deklaroj se gjatë kohës që punova në Ministri, me bashkëpunëtorët e mi, arritëm të ndihmojmë qytetarët në veri të Kosovës në vlerën prej rreth 180.000-200.000 euro”- tha ai.
Radomiroviq akuzoi ministrin për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq për shpërndarjen e parave për veriun.
“Ka pasur më shumë para, por unë me përgjegjësi e them që ato para përfunduan, sikur edhe më shumë, siç përmendet nga Rashiq që ishin 340.000 euro, përfunduan te disa anëtarë të dalluar të Listës Serbe, por këtë duhet ta hetojnë hetuesit dhe prokuroria”- tha ai.
Rashiq, sipas tij, përdor metoda më të vrazhda në Leposaviq se Lista Serbe. Sipas tij, 40 njerëz kanë humbur punën në Komunën e Leposaviqit dhe nuk kanë marrë paga vetëm sepse nuk janë votues të Rashiqit.
Sipas tij, Qeveria ka dashur dhe ka bërë përpjekje maksimale për të ndihmuar vërtetë veriun e Kosovës, por qytetarët nuk janë të informuar për këtë.
“Kam para vetes shumë dokumente që tregojnë se nuk është kështu, që paratë nuk ndahen për qytetarët në veri të Kosovës. Dhe ky është një nga problemet pse ne u shpallëm tradhtarë, sepse treguam të vërtetën se si shpenzohen paratë në veri të Kosovës”- shtoi ai.
Radimiroviq që ishte vetë zëvendës i Rashiqit, thotë se OJQ-të janë ato që i kanë marrë ato para.
Ministria për Komunitete dhe Kthim në dhjetor të vitit të kaluar përmes procedurave të prokurimit ka angazhuar një ekspert të jashtëm për projektet e zhvillimit ekonomik të komuniteteve.
Millan Dabiq përmes telefonit e ka mohuar që ministri Rashiq ka ndikuar që ai ta fitojë kontratën nga e cila do t’i përfitojë mbi 8,000 euro për 1 vit.
“Unë e kam fituar tenderin dhe çka? E keni përcjellë ju konkursin? Nëse e keni përcjellë e shihni se procedurat janë respektuar, unë jam paraqitur në komision dhe kaq. Gjithçka ishte në rregull. Rashiq nuk ka ndikuar aspak”- tha Dabiq për KALLXO.com.
Ai pohoi se deri në ardhjen e kryeministrit Albin Kurti nuk kanë pasur asnjë kontroll mbi ato komuna në veri dhe askush nuk e dinte se si shpenzoheshin ato para.
Sipas tij, janë financuar shkolla, institucione shëndetësore, janë blerë automjete, por me çmime enorme. Po ashtu, pretendon se janë financuar projekte të dyfishta.
“Ja, kam përpara një faturë, nëse më lejoni, ta shpalos. Këto janë, për shembull, para që janë shpenzuar për një fushë lojërash që nuk ekziston në komunën e Leposaviqit. Atëherë kryetar ishte Zoran Todiq”- pretendoi ai.
Ky kandidat pretendon se ka fatura për fusha të lojërave për fëmijë në Leshak, prej 50.000 eurosh, gjatë kohës që kryetar ishte Jabllanoviq, e që ato fusha nuk ekzistojnë fare.
“Gjithashtu, për objektet e institucioneve shëndetësore, një objekt prej 120.000 euro, pra ai objekt nuk ekziston. Nuk e di nëse Jabllanoviq dhe njerëzit e tij janë përfshirë në këto fatura me atë aktakuzë. Por kjo është një shumë e madhe parash”- tha ai.
Në dhjetor 2024, Gjykata Themelore e ka shpallur fajtor Dragan Jabllanoviqin dhe 13 të tjerë për veprën penale ‘Keqpërdorim i pozitës’. Nuk dihet nëse është ankimuar vendimi.
Pretendime tjera të tij ishin që në Komunën e Leposaviqit ka rrugë të paguara, por që nuk ekzistojnë; e që sheshi në komunën e Leposaviqit është financuar një milion euro nga buxheti i Kosovës, derisa të njëjtën kohë u financua edhe nga Qeveria e Serbisë.
I pyetur se a janë këto të qeverive të kaluara, apo vetëm të Qeverisë aktuale, ai tha se posedojnë dokumentacion nga komuna, nga viti 2015 dhe 2019, por fatkeqësisht edhe nga viti 2022. Sipas tij, keqpërdorime të tilla kanë ndodhur në të katër komunat e vendit.
“Ja, për të kujtuar, shikuesit e dinë që komuna e Zveçanit kishte buxhet prej mbi 30 milionë eurosh nga paratë e Serbisë dhe të Qeverisë së Kosovës të destinuara për komunat”- tha ai.
Arsim, investime dhe bujqësi
Danijela Vuçiniq në lidhje me subvencionet në bujqësi që ndahen nga Ministria e Bujqësisë tha se ato nuk duhet të jenë vetëm në letër, por që duhet të punojnë në terren me qytetarët.
Sipas saj, mund të kontribuohet shumë në fillimin e bizneseve, hapjen e kooperativave dhe zgjerimin e blegtorisë.
Kurse, Radamiroviq tha se paratë e Zyrës të Kryeministrit për Komunitetet nuk kanë mbërri kurrë në veri, edhe pse janë ndarë nga ta.
“Pra, paratë që Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Bujqësisë kanë ndarë në periudhat e mëparshme janë abuzuar plotësisht. Mund të shkoni të vizitoni ato objekte dhe të shihni që ato objekte praktikisht nuk ekzistojnë”- tha ai.
Sipas tij, thelbi është nisja e bizneseve të vogla familjare, duke shtuar se ka arritur të siguroj një investitor për Komunën e Leposaviqit, ku investitori është zotuar që në gjashtë muajt e parë do të hapë 60 vende pune, dhe në tre muajt e ardhshëm edhe 30 vende të tjera.
“Pra, numri total i të punësuarve do të ishte 90 punëtorë. Mund ta lavdëroj edhe qeverinë. Atëherë kam marrë premtim nga kryeministri Kurti që ai do ta subvencionojë gjithashtu atë firmë që do të vijë te ne”- tha ai.
Mbi 40.000 qytetarë serbë, sipas tij, janë shpërngulur pikërisht për shkak të presionit të Listës Serbe.
Ndërsa për arsimin dhe shëndetësinë, ai tha se duhet të zbatohet modeli që është parashikuar tashmë në Planin e Ahtisaarit.
“Pra, deri më tani askush nuk na ka pyetur ne serbëve në Kosovë për asgjë dhe ju siguroj plotësisht se as këtë herë nuk do të ndodhë që dikush të na pyesë nëse ai model është i pranueshëm apo jo”- tha ai.
Në anën tjetër Daniela Vuçiniq, thotë se nëse bëhen pjesë e qeverisë, fillimisht do të përqendrohen në infrastrukturë, sepse kanë shumë rrugë që nuk janë përfunduar ose që janë në gjendje të keqe.
“Po ashtu, kanë furnizim të dobët me energji elektrike dhe mendoj se edhe për këtë duhet të punohet. Ja, në qendër të Leposaviqit, përballë vetë komunës, keni rrugë që nuk janë shtruar, që janë të hapura dhe ku vërtet vështirësohet lëvizja e përditshme e qytetarëve”- tha ajo.
Radomiroviq thotë se ka biseduar edhe me shumë serbë që janë pjesë e sistemit të Trepçës, dhe mendimi i tyre është se kjo ndërmarrje nuk do të mund të mbijetojë nëse nuk bashkohet Trepça e veriut dhe e jugut.
Sipas tij, Trepça nuk do të mund të zhvillohet, “nuk do të gjejë një partner strategjik, gjë që është shumë e rëndësishme për të, pa u ndryshuar udhëheqja e Serbisë dhe pa u bashkuar Trepça e veriut dhe e jugut për të qenë një kompani e vetme”.
Drejtësia Popullore (Narodna Pravda) është nismë e re që garon për zgjedhjet parlamentare në Kosovë.
Deri më tani, Lista Serbe e formuar në vitin 2013, është partia që i ka përfaqësuar serbët në Kuvendin e Kosovës. Deri më tani, në të gjitha proceset zgjedhore ku ka marrë pjesë, kjo parti ka fituar mbi 90 për qind të votave të komunitetit serb.
Misioni Vëzhgues i BE-së, në raportin e saj të vitit 2021, ka përfunduar se Lista Serbe ka “monopolizuar jetën politike ndërmjet serbëve të Kosovës” dhe janë shënuar raste të frikësimit dhe presionit ndaj votuesve nga kandidatët dhe aktivistët e kësaj partie.
Nga numri prej 20 ulëseve të garantuara në Kuvendin e Kosovës, dhjetë janë për përfaqësuesit e komunitetit serb në Kosovë, ndërkaq dhjetë ulëse të tjera janë për pakicat joserbe. Ulëset për komunitetet joshumicë në Kosovë në fakt janë ta garantuara me Kushtetutë.
“Debat Përnime” është format i cili është transmetuar për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 09 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që kanë prezantuar programet e tyre, janë përballur me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marr pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve.
RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “shenjëstruara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.
Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.
Jeta Xharra, drejtuese e “Debat Përnime” në emisionin e fundit zgjedhor ka ftuar Nismën Qytetare nga komuniteti serb.
“Kemi dashtë me e përmbyllë këtë seri të debateve zgjedhore duke i dhënë hapësirë një pjesë më pak të përfaqësuar të shoqërisë tonë. Kosova është shteti i të gjithë qytetarëve. Këtu ishim dashtë më u ndje rahat edhe të sigurt edhe shqiptarët, edhe serbët, edhe turqit, edhe boshnjakët, edhe romët, edhe ashkalinjët, edhe egjiptasit, edhe goranët, edhe terbeshet”- ka thënë Xharra.