Trupi gjykues në përbërje të: Violeta Namani Hajra - kryetare dhe anëtarët: Arben Hoti dhe Vesel Ismajli gjatë shpalljes së aktgjykimit më 05.12.2024. Foto - Kallxo.com
Vendimi i Gjykatës Themelore, ish-kryetari i Leposaviqit shpallet fajtor bashkë me 13 të akuzuarit tjerë
Gjykata e Prishtinës e ka shpallur fajtor ish-kryetarin e Leposaviqit Dragan Jabllanoviq duke e dënuar me 3 vite burgim për veprën penale të Keqpëdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtar.
Fajtorë janë gjetur edhe 13 të akuzuarit e tjerë, përkatësisht: Haxhi Bejta, Aleksandar Ackoviq, Xhemajl Ferizi, Haki Haxhiu, Mehdi Haxhiu, Aleksandar Kostiq, Çedomir Timotijeviq, Mensur Rama, Mirosllav Ivanoviq, Bojan Banoviq, Nijazi Musliu, Ivan Kadiq dhe Boban Millovanoviq.
Shpallja e aktgjykimit u bë të mërkurën më 05.12.2024 nga gjyqtarja Violeta Namani- Hajra.
Sipas aktgjykimit të shpallur, Haxhi Bejta, Aleksandar Ackoviq, Aleksandar Kostiq, Çedomir Timotijeviq, Bojan Banoviq, Mirosllav Ivanoviq, janë gjetur fajtor se në bashkëkryerje dhe vazhdimësi kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Haxhi Bejta është dënuar me burgim prej 2 vite e 6 muaj. Aleksandar Ackoviq është dënuar në kohëzgjatje prej 2 vite dënim me burgim. Të pandehurit Aleksandar Ackoviq i është shqiptuar si dënim plotësues ndalim ushtrimi i funksionit në administratë publike në kohëzgjatje prej 2 vite.
Të pandehurit Çedomir Timotijeviq Gjykata i ka shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 2 vite. Timotijeviqit i është caktuar dënim plotësues ndalimi i ushtrimit të funksionit në administratë publike në kohëzgjatje prej 2 vite.
I pandehuri Bojan Banoviq është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 2 vite dhe i është caktuar denim plotësues ndalimi i ushtrimt të funksionit në administarë publike në kohëzgjatje prej 2 vite.
Ndërsa i pandehuri, Miroslav Ivanoviq ësthë dënuar me 2 vite dënim me burgim. I pandehuri Aleksandar Kostiq është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 1 viti. Kostiqit përpos dënimit me burgim i është shqiptuar edhe ndalimi i ushtrimit të funksionit në administratë publike në kohëzgjatje prej 1 viti.
Ivan Kadiq dhe Boban Millovanoviq janë gjetur fajtor se në bashkëkryerje kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.
Kadiq dhe Millovanoviq secili veç e veç janë dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 muajsh që me pëlqimin e tij mund të zëvendësoheeet në dënim me gjobë në shumë prej 5 mijë euro. Si dhe i është ndaluar ushtrimi i funksionit në Administratë publike në kohëzgjatje prej 1 viti.
Të pandehurit Xhemajl Ferizi, Haki Haxhiu, Mehdi Haxhiu, Mensur Rama, janë shpallur fajtor se në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike”.
Xhemajl Ferizi, Haku Haxhiu dhe Mehdi Haxhiu secili veç e veç për këtë vepër penale janë dënuar me dënim me gjobë në shumën prej 500 mijë euro (dënimi maksimal me gjobë i paraparë me Kodin Penal të Kosovës), dhe secilit veç e veç i janë shqiptuar dënim me burgim prej 2 vite.
I pandehuri Mensur Rama është dënuar me 50 mijë euro dhe burgim në kohëzgjatje prej 1 viti.
Tutje Gjykata ka gjetur fajtor edhe Nijazi Musliun për keqpërdorim të autorizimeve ekonomike, duke e dënuar me dënim me gjobë në shumë prej 100 mijë euro dhe 6 muaj dënim me burgim. Dënimi me burgim prej 6 muajsh i është dhënë mundësia që ta shëndrroj në dënim me gjobë në shumën prej 30 mijë euro.
Sipas aktgjykimit të shpallur obligohet secili i pandehur veç e veç, që në emër të shpenzimeve të paushallit gjyqësor të paguajë shumën prej 500 euro si dhe shumën prej 100 euro të fondit të kompensimit të viktimave të krimit.
Përfaqësuesi i autorizuar i palës së dëmtuar Avokatura Shtetërore në kaudër të Ministrisë së Drejtësisë për realizimin e kërkesës pasurore – civile është udhëzuar në kontest civil.
Pas shqyrtimit të të gjitha provave personale dhe materiale, kryetarja e trupit gjykues Violeta Namani- Hajra deklaroi se gjykata ka vërtetuar se në veprimet e të pandehurve të lartëcekur nuk manifestohen elementet e veprës penale të krimit të organizuar.
Palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese kundër këtij aktgjykimi në Gjykatën e Apelit.
Ky vendim u morr nga trupi gjykues në përbërje të: Violeta Namani- Hajra, kryetare, Arben Hoti dhe Vesel Ismajli, anëtarë.
Raportimet paraprake lidhur me këtë rast mund t’i lexoni duke klikuar këtu.
Çfarë thotë aktakuza?
Prokuroria Speciale akuzon Dragan Jabllanoviqin, Haxhi Bejtën, Aleksandar Açkoviqin, Xhemajl Ferizin, Haki Haxhiun, Mehdi Haxhiun, Aleksandar Kostiqin, Çedomir Timotijeviqin, Mensur Ramajn, Mirosllav Ivanoviqin, Bojan Banoviqin, Nijazi Musliun, Ivan Kadiqin dhe Boban Millovanoviqin se gjatë periudhës kohore 2015-2017 aktivisht kanë marrë pjesë në veprimtari kriminale.
Sipas aktakuzës, Dragan Jabllanoviq akuzohet se ka drejtuar dhe ka organizuar këtë grup kriminal pas emërimit në pozitën e kryetarit të Komunës së Leposaviqit, i cili duke keqpërdorur detyrën zyrtare ka punësuar 7 prej të akuzuarve në Komunë.
Prokuroria gjithashtu Dragan Jabllanoviqin e akuzon se në mënyrë të kundërligjshme ka emëruar të akuzuarin Haxhi Bejtën si drejtor i Prokurimit në Komunën e Leposaviqit, kurse të akuzuarve të tjerë i njëjti u ka caktuar detyra të ndryshme në prokurim për tenderë me vlerë disa milionë euro.
Ndryshe, në këtë rast akuzohej edhe J. B., por Gjykata ka pushuar procedurën penale ndaj saj, pasi ajo ka vdekur.