
"Bashkëpunëtori” i Nenad Rashiqit angazhohet si ekspert i jashtëm në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim
Ministria për Komunitete dhe Kthim në dhjetor të vitit të kaluar përmes procedurave të prokurimit ka angazhuar një ekspert të jashtëm për projektet e zhvillimit ekonomik të komuniteteve.
Në njoftimin për kontratë të datës 24.12.2024 figuron që tenderin e ka fituar Millan Dabiq nga Graçanica.
Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Millan Dabiq në zgjedhjet e parakohshme për Kuvend të Republikës së Kosovës në vitin 2021 i printe listës së Iniciativës Qytetare për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.
Tash, në zgjedhjet e rregullta parlamentare që mbahet më 09.02.2025, prijës i listës së këtij subjekti do të jetë Nenad Rashiq, ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës.
Vetë Millan Dabiq e pranoi se kryetar i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë është ministri Nenad Rashiq, megjithatë, përmes telefonit, e mohoi që ministri Rashiq ka ndikuar që ai ta fitojë kontratën nga e cila do t’i përfitojë mbi 8,000 euro për 1 vit.
“Unë e kam fituar tenderin dhe çka? E keni përcjellë ju konkursin? Nëse e keni përcjellë e shihni se procedurat janë respektuar, unë jam paraqitur në komision dhe kaq. Gjithçka ishte në rregull. Rashiq nuk ka ndikuar aspak”- tha Dabiq për KALLXO.com.
Në lidhje me bashkëpunimin me Millan Dabiqin gjatë zgjedhjeve të vitit 2021, por edhe tash, KALLXO.com ka tentuar të marrë një qëndrim nga ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, por ai nuk pranoi të deklarohet për çështjen.
Redaksia i ka dërguar edhe pyetje me shkrim Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, por deri në publikimin e kronikës nuk mori përgjigje.
Sipas specifikimeve teknike në dosje të tenderit, Millan Dabiq, do të asistojë në hartimin dhe zhvillimin e kritereve për aplikimin, implementimin dhe monitorimin e projekteve. Në koordinim me kolegët e departamenteve dhe divizioneve do të organizojë procesin e monitorimit dhe raportimit. Mes tjerash, në bashkëpunim me kabinetin e ministrit mbajnë sesione informuese dhe bëjnë vlerësime të nevojave të komuniteteve nëpër komunat e Kosovës lidhur me projektet e MKK-së.
Në thirrjen e hapur më 04.12.2024 kishte aplikuar edhe operatori ekonomik “ALY GROUP” SH.P.K., por ishte eliminuar meqë sipas Ministrisë për Komunitete nuk e kishte dërguar metodologjinë e punës dhe çmimi total i ofruar nga ky operator ekonimik kapte vlerën e 96 mijë eurove.