Palestina në Duart e Bosnjës

Ka kaluar më shumë se një muaj që kur, më 23 shtator, Mahmoud Abbas kërkoi anëtarësi në OKB për Palestinën, ndërsa qëndrimi i Bosnjës në këtë çështje të rëndësishme për politikën e jashtme mbetet i panjohur. Bosnja mund të ketë në duart e veta zgjidhjen e situatës si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit për vitin 2011.

Palestinës i duhen nëntë nga 15 votat e Këshillit për t’u miratuar kërkesa e saj. Por, në lidhje me politikën e jashtme, ngjashëm si me shumë çështje të tjera, Bosnja nuk mund ta ndajë mendjen – apo, në fakt, është me dy mendje.

Deri më tani, Palestina mund të llogarisë në tetë vota – Afrika e Jugut, India, Brazili, Libani, Kina, Rusia, Nigeria dhe Gaboni. Për këtë arsye parashtrohet pyetja kyç – nëse Bosnja do të jetë vendi i nëntë.

Të hënën kjo mundësi dukej pak e mundshme, kur këshilltari i Kryesisë treanëtarëshe të shtetit tha se ndarja etnike e bën të pamundshme gjetjen e një pajtimi për këtë çështje. Xhenan Selimbegoviq tha se treshja ende nuk arrin të gjejë pajtim për këtë çështje dhe për këtë arsye nuk mund të ketë qëndrim zyrtar. “Zyrtarisht kryesia nuk ka qëndrim dhe nëse nuk ka qëndrim, ambasadori i Bosnjës në OKB nuk mund të ketë qëndrim”, tha ai për Associated Press.

Selimbegovic tha se Kryesia nuk do të ketë mundësi tjetër, veçse të abstenojë.

“Bosnja mbetet e ndarë për këtë çështje, sepse myslimanët janë për palestinezët, ndërsa serbët janë plotësisht kundër tyre”, i tha Gazetës JnK, Bosko Jaksic, ekspert për politika të jashtme në gazetën beogradase Politika.

Nëse Bosnja është e ndarë për çështjen e Palestinës, kjo ndodh vetëm sepse ajo është e ndarë për pothuajse secilën çështje tjetër.

Ky shtet nuk pa pasur qeveri për më shumë se një vit, që nga zgjedhjet e fundit të përgjithshme, falë mosmarrëveshjeve mes serbëve dhe myslimanëve lidhur me përbërjen e Këshillit të Ministrave, organit më të lartë ekzekutiv të vendit.

Çështje a Palestinës është vetëm një nga shumë kokëçarjet politike, me të cilat përballet ky shtet i ndarë i Ballkanit.

Milorad Dodik, kryetar i entitetit serb të Bosnjës – Republika Serbe, që është një nga dy entitetet autonome të vendit, i pari e ka paraqitur idenë e pavarësisë së serbëve nga pjesa tjetër e Bosnjës.

Që kur Mali i zi dhe Kosova kanë shpallur pavarësinë nga Serbia në vitin 2006, respektivisht 2008, “tensionet veç sa janë rritur”, tha për gazetën lokale “Zurnal”, Milos Solaja, drejtor i Qendrës për Politika Ndërkombëtare në Banja Llukë, në muajin tetor.

“Secila çështje e shpalljes së njëanshme të pavarësisë është çështje e ndjeshme për Bosnjën e Hercegovinën”, shtoi Solaja.

Në një farë mënyre është ironike që serbët e Bosnjës të kundërshtojnë pavarësinë e Palestinës nga Izreali, ndërsa që vetë kanë aspirata të fuqishme për ndarje nga Sarajeva.

Por, siç e potencoi Bosko Jaksic, Izraeli ka investuar mjaft shumë mjete kohëve të fundit në Republikën Serbe, dhe pjesërisht për shkak të këtyre lidhjeve të fuqishme ekonomike Republika Serbe nuk dëshiron ta nevrikosë Izrealin duke përkrahur anëtarësimin e Palestinës në OKB.

Përveç këtyre lidhjeve ekonomike, dialogu mes Izrealit dhe Republikës Serbe gjithashtu është karakterizuar me retorikë që thekson viktimizimin e serbëve dhe çifutëve nga Gjermania naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore (LDB).

Gjatë vizitës bërë entitetit serb në maj të këtij viti, delegacioni i Zëvendësministrit të Punëve të Jashtme, Daniel Ayalon, i shoqëruar me Dodikun nga Republika Serbe vizituan kampin e përqendrimit të Jasenovcit në Kroaci, në të cilin serbë, çifutë, romë dhe të tjerë ishin vrarë nga ustashët fashistë kroatë, gjatë LDB-së.

Pas vizitës nga Izraeli, sipas së përditshmes beogradase Blic, Dodik tha se marrëdhënia mes Izraelit dhe Republikës Serbe tani ishte “në nivel të lartë”.

Por, ndërsa serbët afrojnë lidhjet me Izraelin, shumë myslimanë të Bosnjës bashkëndiejnë me palestinezët e okupuar nga Izraeli.

“Boshnjakët (myslimanët) e dinë se e kanë vendin në Evropë dhe Ballkan dhe çmojnë lartë miqësinë që kanë me Perëndimin, por ata gjithashtu e ndajnë bindjen me pjesën tjetër të botës islame se populli i Palestinës ka të drejtën dhe drejtësinë në anën e tyre”, tha në tetor, Bakir Izetbegoviq, anëtari boshnjak i Kryesisë së Shtetit.

Zeljko Komsic, anëtari kroat i Kryesisë së Shtetit, gjithashtu ka deklaruar përkrahje për Palestinën.

Për këtë arsye, çështja e Palestinës dhe interesat kundërthënës nga dy entitetet mbi këtë temë pasqyrojnë pasiguritë dhe ndarjet me të cilat Bosnja përballet në përgjithësi.

Procesi vendimmarrës në Bosnjë, i cili varet nga konsensusi inekzistent mes tre anëtarëve të tri etnive në Kryesinë e Shtetit, paraqet një faktor ndërlikues për marrëdhëniet e jashtme të Bosnjës.

“Që nga fillimi, Bosnja e Hercegovina nuk ka pasur ndonjë politikë të jashtme të qëndrueshme”, tha Solaja, duke iu referuar pavarësisë së kësaj republike nga Jugosllavia në vitin 1992.

“Gjatë pesë viteve të fundit, as Këshilli i Ministrave, as Ministria e Punëve të Jashtme nuk kanë kryer kurrfarë analize serioze të punëve të jashtme apo të implementimit të obligimeve të tyre”, shtoi ai.

Ai i akuzoi të dyja palët për përpjekje që “t’i realizojnë caqet politike të brendshme përmes çështjeve të politikës së jashtme”.
 
Megjithatë, ky imazh i politikës së jashtme jokonsistente, nuk është edhe aq problematik, sipas Srecko Latal, analist politik i Grupit Ndërkombëtar të Krizave (ICG) në Sarajevë.

“Liderët e Bosnjës i respektojnë qëndrimet e njëri-tjetrit”, i tha Latal, Gazetës JnK.
 
Latal tha se Bosnja, në fakt, nuk ka politikë të jashtme të saj, pasi që në të shumtën e rasteve ajo thjesht përkrah qëndrimin e BE-së lidhur me çështjet e ndryshme të punëve të jashtme.

Latal tha se iniciativat e ndryshme të politikanëve kanë qenë shkas i këtyre vështirësive të fundit lidhur me politikën e jashtme.

“Më së shumti është marrë në thua në kuptim të politikës së jashtme kur politikanët kanë dalë me deklarata për të cilat nuk janë marrë vesh paraprakisht”, tha Latal.

Ai i referohej paraardhësit të Izetbegoviqit në Kryesinë e Shtetit nga komuniteti boshnjak, Haris Silajdzic, retorika e fuqishme në qarqe diplomatike e të cilit ndikoi edhe më tej në përkeqësimin e marrëdhënieve mes entitetit serb dhe pjesës tjetër të vendit.

Kur iu parashtruar pyetja se cili entitet duhej fajësuar se po i shtyn idetë e veta të politikës së jashtme në dëm të tërë vendit, apo nëse të dy entitetet po e bëjnë këtë, Latal u përgjigj se edhe po të ishte kjo e vërtetë, kjo nuk do ta bënte Bosnjën të dallohet shumë nga pjesa tjetër e botës.

“Shumë regjione në shtete të ndryshme udhëheqin politika vetanake në kuptim të tregtisë dhe ekonomisë”, theksoi ai.

“Dodiku dhe Republika Serbe janë angazhuar shumë në SHBA për të lobuar dhe promovuar interesat e Republikës Serbe, por nuk shoh [se kanë pasur] ndonjë përfitim nga kjo,” vazhdoi ai.

Sipas Latal, veprimet e Republikës Serbe në kuptim të politikës së jashtme herë pas here kanë provokuar reagime jashtë vendit, por në përgjithësi ato “nuk kanë pasur as efekte pozitive e as negative”.

Ndërkohë, juria mbetet e brengosur lidhur me qëndrimin potencial të Bosnjës në lidhje me Palestinën.

Të mërkurën e kaluar, Ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Avigdor Lieberman, filloi edhe një vizitë zyrtare Bosnjë e Hercegovinës, të dytën gjatë këtij viti, si pjesë të misionit të tij për të fituar përkrahje për qëndrimin e shtetit që përfaqëson.

Gjatë kësaj vizite, ai pati takime me Kryesinë e Shtetit, por sipas korrespondentit të B92 nga Beogradi, askush nuk deshi të zbulojë shumë lidhur me atë se çfarë u diskutua gjatë vizitës së Liebermanit.

E tëra që doli nga ky takim, sipas Zeljko Komsicit, ishte se Kryesia e Shtetit ishte pajtuar se nuk do të pajtohej për çështjen e Palestinës, gjë që e kanë zakon.

“Rruga më e sigurt të cilën mund ta ndjekë Bosnja është që të shpresojë se Bashkimi Evropian do ta ketë një qëndrim unik për këtë çështje, të cilin Bosnja do të mund ta adaptojë si të vetin”, shkruante Anes Alic, srejtor i ISA Intel në Sarajevë, në web-faqen e kësaj organizate.

Megjithatë, kjo këshillë mund të mos jetë shumë e dobishme me këtë rast; BE është po aq e ndarë sa i përket Palestinës, sa edhe Bosnja.