Kampi nudist Ada Bojana në Ulqin, Mali i Zi, FOTO: BIRN/Samir Kajosevic

Në Mal të Zi, kampi legjendar i nudistëve pret të shpëtohet

Dekada më parë, Ada Bojana gëlonte nga nudistët. Tani vendi është nën kërcënimin e detit dhe është lënë pasdore nga ana e shtetit.

Teksa shëtit midis shtëpive njëkatëshe të braktisura, guida turistike Ismet Karamanaga kujton periudhën e lulëzimit të Ada Bojanas në vitet 1970 dhe ‘80, kur 75,000 metra katrorë plazh buzë detit Adriatik tërhoqën shumë nudistë nga e gjithë Evropa.

Restoranti i kampit gumëzhinte nga zërat dhe nudistët mbushnin plazhet me rërë.

Dekada më vonë, i njëjti restorant që dikur ishte i mbushur plot me njerëz tani është shkatërruar nga erozioni i detit, ndërsa shumica e dhomave të nudistëve janë braktisur, duke pritur investitorët që nuk vijnë kurrë.

Për afro një dekadë, autoritetet në Mal të Zi janë përpjekur ta kthejnë kampin nudist në një zonë banimi, por me pak sukses.

“Kampi nudist në Ada ishte krenaria jonë gjatë epokës së artë të turizmit malazez”, tha për BIRN Karamanaga. “Në vitet ‘80, kampi nudist ishte plot me turistë gjatë gjithë verës. Kishte mysafirë nga e gjithë bota, të gatshëm për të shpenzuar para dhe për t’u kënaqur në natyrë.”

“Ada është pothuajse një ishull i braktisur dhe bungalot dikur të famshme tani janë thjesht disa barraka të vjetra.”

Kampi pushtohet nga natyra

Bungalo të braktisura në kampin nudist Ada Bojana, Foto: BIRN/Samir Kajosevic

I vendosur në kufirin midis Malit të Zi dhe Shqipërisë, Ada Bojana laget nga të anët nga lumi Bojana, 2.9 kilometra plazh me rërë nga Adriatiku.

Resorti u hap në 1973, kur Mali i Zi ishte pjesë e Jugosllavisë socialiste nën udhëheqjen e Josip Broz Titos.

Në vitet 80, sipas raporteve të mediave jugosllave në atë kohë, kampi priste 3,000 mysafirë në ditë në sezonin veror.

“Për këtë kamp u bënë filma dhe puna e shumë njerëzve nga qyteti i Ulqinit ishte e lidhur me Adën”, tha Karamanaga. “Tani ai është thjesht një kujtim dhe kampi është të lënë në harresë.”

Shkatërrimi i tij filloi në vitet 90, kur Jugosllavia federale u shpërbë dhe turistët qëndruan larg.

Shtëpitë dhe kasollet janë shkatërruar, çatitë e shtëpive njëkatëshe po bien dhe shtigjet e parkut për në plazh janë mbushur me bimësi. Në pjesën e vjetër të kampit, dyert dhe dritaret e çdo shtëpie janë thyer.

Vizitorët filluan të ktheheshin, nga Serbia dhe Mali i Zi, në fund të viteve ‘90, ndërsa disa turistë të huaj filluan ta vizitonin vendin në 2001.

Sot, vetëm një pjesë e resorit është rinovuar nga Kompania Ulcinjska Rivijera Hotel, një kompani shtetërore.

Kampi nudist tani ofron 350 shtretër, dy restorante dhe një bar plazhi. Ada Bojana është bërë ndërkohë një nga destinacionet më të njohura për sërf me balonë dhe uindsërfing.

Në vitin 2019, sipas të dhënave zyrtare, 44,774 turistë vizituan Ada Bojanan, pothuajse gjysma e tyre nga Republika Çeke dhe Serbia fqinje.

Drejtori ekzekutiv i Ulqinjska Rivijera, Bojan Djakonoviç tha restaurimi i pjesës së vjetër të kampit nudist kërkon një investim të konsiderueshëm.

“Besoj se duhet të kërkojmë një partner strategjik dhe me reputacion, që ka një histori të provuar në turizëm”, tha Djakonoviç për BIRN.

“Koncepti ‘Island Paradise’ nuk ka nevojë të ndryshohet në mënyrë të konsiderueshme, por sigurisht që është e nevojshme të investohet në akomodime të reja dhe ambiente të tjera.”

“Ne duhet të zgjerojmë gamën e ofertave dhe të trajnojmë stafin për shitje dhe marketing në mënyrë që të tërheqim operatorë seriozë turistik dhe të rifitojmë klientë perëndimorë dhe të tjerë.”

Dekadë e çuar dëm

Hyrja në kampin nudist Ada Bojana, Foto: BIRN/Samir Kajosevic

Investitorët e interesuar janë vështirë të arrihen.

Për rreth një dekadë, qeveritë e njëpasnjëshme janë përpjekur të joshin investime në resort. Në vitin 2009, qeveria u përpoq të shiste 60 për qind të aksioneve në Ulcinjska Rivijera, por thirrja publike nuk pati sukses.

Pastaj në vitin 2011, qeveria e atëhershme ofroi një qira 90-vjeçare për pak më shumë se 277,000 metra katrorë të kampit, por këshilltarët e privatizimit paralajmëruan për pasiguri të konsiderueshme ligjore për të drejtat e pronës që mund të vështirësojnë nënshkrimin e kontratave me investitorët.

Në shkurt 2019, qeveria miratoi një plan privatizimi, duke specifikuar që Ada Bojana nuk do të ishte më një resort ekskluzivisht nudist dhe se një pjesë e ishullit që mbulonte gjithsej 522 hektarë do të kthehej në një komunitet rezidencial. Qeveria bëri thirrje për ndërtimin e të paktën dy hoteleve.

Disa muaj më vonë, gazeta e përditshme malazeze Vijesti raportoi se qeveria po kërkonte investitorë për të marrë me qira një pjesë të ishullit për vila dhe ndërtesa të tjera banimi.

Ministria e Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Turizmit tha se po priste një analizë nga gjiganti i kontabilitetit Deloitte.

“Disa investitorë shprehën interesin e tyre, por ata nuk janë zyrtarizuar në drejtim të iniciativave dhe propozimeve specifike”, tha ministria për Vijesti. “Jemi ende në pritje të analizës.”

Gazetari nga Ulqini, Mustafa Canka nuk ishte aspak optimist.

“Pothuajse çdo vit qeveria njofton investime dhe hotele të reja, por për gati një dekadë nuk është bërë asgjë”, tha ai për BIRN. “Kampi nudist në Ada është thjesht një tjetër histori e trishtuar e turizmit malazez.”

“Erozion intensiv”

Bungalo të braktisura në pjesën e vjetër në kampin nudist Ada Bojana, Foto: BIRN/Samir Kajosevic

Ndërsa pritja vazhdon, natyra po vazhdon rrugën e saj. Deti ka shkatërruar pothuajse plotësisht restorantin e resorit, ndërsa çarje janë shfaqur në muret e resorit nudist.

Në shkurt të vitit 2019, aktivistët mjedisorë paralajmëruan se Ada Bojana po zvogëlohej për shkak të efektit të ndërtimit të planifikuar keq.

Në janar, qeveria njoftoi një studim se si të rigjallërojë plazhin, por asgjë nuk është arritur. Djakonoviç tha se vendi po shkatërrohej.

“Nën ndikimin e erozionit intensiv të plazhit, 10 apartamente dhe restoranti Maestral janë shkatërruar”, tha ai. “Për fat të keq, nuk ka zgjidhje për këtë problem kompleks, pavarësisht thirrjeve të shumta nga kompania jonë për të gjitha institucionet përgjegjëse në vend.”

Sipas gjetjeve të një investigimi të vitit 2019 nga BIRN dhe Qendra për Gazetari Ivestigative e Malit të Zi, CIN-CG, masat e marra nga shteti për të ndaluar procesin e erozionit të plazhit kanë qenë sporadike dhe, deri më tani, të pamjaftueshme.

Organi shtetëror i ngarkuar me administrimin e plazheve të Malit të Zi, Kompania Publike për Menaxhimin e Pasurive të Detit të Malit të Zi, paralajmëroi në korrik 2018 se tkurrja dhe zhdukja e plazheve mund të ketë “efekte negative të pafundme në zhvillimin e turizmit”.

Canka tha se është koha që autoritetet të veprojnë.

“Deri më tani, nuk është bërë asgjë për të ndalur erozionin dhe druhem se kjo gjë do të vazhdojë”, tha ai. “Autoritetet nuk kanë bërë asgjë për të shpëtuar plazhin dhe pa plazhin nuk kemi asgjë për t’u ofruar turistëve./Reporter.al