“Vota është personale, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë...”

Vota është e lirë. Kjo rregullohet nga  Kushtetuta  e Kosovës, neni 45 pika 2 që thotë se “vota është personale, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë”, dhe kështu thonë në retorikën e tyre edhe partitë politike. Por, përkundër këtij rregullimi kushtetues, partitë politike dhe qytetarët në zgjedhjet e kaluara e kishin cenuar këtë të drejtë duke vjedhur votat. Prandaj do të duhej që ngjarjet e 2010-tës të mos përsëriten e të jenë të fundit të atilla, ashtu që më 3 nëntor të kemi zgjedhje të lira.

Nëse këto raste na përsëriten në shkallën e cila konsiderohet se e lëndon vullnetin e votuesit, pasojat do jenë të shumëfishta. Do të krijohet një pushtet “inekzistent” i cili do të bartë me vete rritjen e abstenimit kolektiv të votuesit në Kosovë nga çdo lloj procesi zgjedhor dhe krijimin  pa legjitimitet  të strukturave të pushtetit. Kjo mund t’i hapë rrugë “krijimit” të pushtetit moral të qytetarit që do të veprojë vazhdimisht në mohimin e  pushtetit “legal” duke  qëndruar desident përballë tij dhe që ndikimin e vetë do ta ushtrojë  nëpërmes padëgjueshmërisë qytetare, refuzimit të përmbushjes së obligimeve ligjore dhe kushtetuese duke e vënë në rrezik ekzistencën e vetë shtetit.

Së paku, në rast të abuzimeve, mund të ndodhë që të kemi: (1) të kemi rritje të tensioneve politike dhe (2) kontestim eventual të rezultatit zgjedhor.

Në vend të këtyre skenarëve, partitë duhet të ndërtojnë në forcimin e institucioneve. Ato duhet të fillojnë të rikthejnë besimin tek qytetari i cili, përndryshe, gjithnjë e më shumë po shndrrohet në një abstenues kolektiv.