Parregullsitë zgjedhore nuk janë arsyetim për qasje anti-rome

Një vështrim nga afër i zgjedhjes së deputetëve që përfaqësojnë komunitetet etnike jo-shumicë të Kosovës është i nevojshëm të bëhet  pas rezultateve më 14 shkurt, mirëpo përdorimi i klisheve raciste është plotësisht i paarsyetueshëm.

Pak kohë më parë, një politikan i njohur me origjinë rome në Rumani, i cili gjithashtu ndodhi të ishte një përfaqësues i komunitetit në Parlamentin e Rumanisë, deklaroi si në vijim:

“Romët tanë janë budallenj. Ata të paktën mund të jenë dinakë por nuk janë. Ata janë thjesht primitivë dhe arrijnë të irritojnë të gjithë shoqërinë e cila tashmë po i vëzhgon nga afër […] Ata sillen vërdallë brenda vendit tonë dhe Evropë zbathur, shtatligë dhe të ndyrë, të veshur me rroba që ka më shumë të ngjarë të të neveritin sesa të bëjnë të ndjesh keqardhje për ata […]”

Mediat rumune e pranuan këtë deklaratë pothuajse me përplot entuziazëm, mirëpo pyetja reale është pse ai do të thoshte diçka kaq degraduese për komunitetin e tij.

Nuk është sekret që romët janë përdorur si ‘kurban’ në shumë shoqëri gjatë shekujve. Një herë kam shkruar se romët janë konsideruar gjithmonë më të ulët se shërbëtorët dhe madje në disa raste edhe ligjërisht janë skllavëruar.

Komunitetet tona gjithmonë janë mbajtur në kushte degraduese dhe të përjashtuara nga shoqëria, pjesërisht për të siguruar që komuniteti i varfër jo-rom të mos rebelohet kundër jetesës së tyre në përgjithësi. Edhe tani, në shumë fshatra, romët ‘më të mirë’ janë ata që ende punojnë për banorët lokalë, nga mëngjesi në mbrëmje për çfarëdo që t’i japin – “romët më të mirë në fshat”.

Pjesa tjetër, të cilët nuk duan të punojnë për shumicën etnike, janë “romë të këqij” dhe shihen si rebelë dhe/ose tradhtarë. Në këto situata, romët jonënshtrues nuk konsiderohen si njerëz të mirë dhe madje mund të konsiderohen si kriminelë – nuk je i mirë për qëllimin që supozohet t’i shërbeni dhe për këtë arsye duhet të mos ekzistoni.

Është diçka frikësuese të shohësh se në shoqërinë e sotme ka ende mendime të tilla dhe se nevojitet vetëm një raport apo deklaratë e papërgjegjshme mediatike nga një zyrtar publik për ta mbjellë të keqen mes njerëzve brenda një sekonde të vetme.

Kohëve të fundit, jemi përsëri dëshmitarë të një vale shprehjesh diskriminuese ndaj romëve në mediat sociale të provokuara nga rezultatet e zgjedhjeve të fundit dhe pretendimeve se përfaqësuesit fitues të komunitetit rom kanë hyrë në një marrëveshje klandestine me Listën Serbe.

“Do ta kemi rastin të shohim në Kuvend nëse ata janë të lidhur me Listën Serbe dhe, në rast se po, atëherë më mirë të shkojnë në Serbi pasi nuk kanë vend këtu,” shkroi një komentues. Të tjerët ishin më të drejtpërdrejtë: “Asnjëherë mos i beso një romi”.

Disa ditë para zgjedhjeve parlamentare kam shkruar se për njerëzit nga të gjitha komunitetet etnike jo-shumicë të Kosovës, këto ulëse shihen si ‘pseudo-demokraci’, të cilat shërbejnë vetëm si dekorim politik dhe nuk ofrojnë asnjë mundësi reale për të ndikuar në politikë.

Jo rastësisht gjatë një tubimi elektoral të Lëvizjes Vetëvendosje, anëtarët nga komunitetet jo-shumicë shtruan pyetje pse duhet t’i japin votën e tyre partisë që përfaqëson komunitetin e tyre dhe të mos mbështesin dikë më të zakonshëm.

Kjo pyetje ka të ngjarë të shtrohet për shkak të kuptuarit se varfëria dhe margjinalizimi ndikojnë ndjeshëm në drejtimin që marrin përfaqësuesit politikë nga këto komunitete. Shpesh e kufizon ndikimin e tyre në role të vogla dhe kërkesa për përfitime personale për veten e tyre ose një grup të ngushtë individësh përreth tyre, në vend që të përfaqësojë interesat e zonave të tyre elektorale.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile për romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët në vazhdimësi e kanë vënë në pah faktin se përfaqësimi politik i pakicave në parlament ka humbur prej kohësh qëllimin e tij të vërtetë. Në vend të kësaj, ulëset në Parlament janë bërë një përbindësh politik pasi që partitë serbe dhe shqiptare të Kosovës iu drejtohen atyre ulëseve vetëm për vota shtesë në parlament.

Dhe pse mos ta bëjnë një gjë të tillë? Partitë kryesore tani e dinë që ata lehtë mund ta bëjnë dikë si përfaqësues të interesave të tyre me më pak se 1.000 vota. Për krahasim, numri i votave të nevojshme që një politikani/e shqiptar nga Kosova i nevojiten të jetë pjesë e Parlamentit, është të paktën, 7,000 vota.

Si mund ta shpjegojmë ndryshe mbështetjen që partitë politike dhe iniciativat e qytetarëve morën në komuna të cilat kanë pak ose aspak qytetarë të regjistruar me përkatësi rome, ashkali dhe/ose egjiptiane? Fokusi ka qenë në votimin në komunat me shumicë serbe, mirëpo partitë nga komunitetet rome, ashkali dhe egjiptiane të Kosovës gjithashtu siguruan vota në zonat me shumicë shqiptare.

Në Malishevë, ku janë zyrtarisht 31 qytetarë të regjistruar nga këto komunitete, u hodhën 186 vota për partitë rome, ashkali dhe egjiptiane, duke përfshirë votat potencialisht vendimtare për Partinë Demokratike të Ashkalive të Kosovës. Sidoqoftë, shembujt më flagrant ishin në komunat me shumicë serbe të Kllokotit dhe Ranillugut, të cilat pothuajse nuk kanë banorë të regjistruar nga këto komunitete, por i dhanë qindra vota Iniciativës Romane, duke shkaktuar debat publik dhe duke provokuar rritje tensionesh dhe gjuhë urrejtjeje.

Si reagim ndaj këtij fakti, shoqëria kosovare duhet edhe një herë të rikujtohet se romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët vazhdojnë të jetojnë në kufij të shoqërisë, dhe ky nuk është krejtësisht faji ynë. Ne nuk jemi vetëm fajtorë, përkundër asaj që sugjeroi politikani nga Rumania.

Ky margjinalizim është produkt i mijëra veprimeve historike që solli persekutim dhe ndëshkim socio-ekonomik mbi romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët, si dhe injorancën e këtyre veprimeve të së kaluarës nga një shumicë etnike. Është gjithashtu produkt i qasjes jo të barabartë në gjëra të tilla si uji i pastër dhe strehimi i sigurt.

Është përgjegjësi e jona ta ngrisim zërin në çdo situatë të mundshme dhe të kundërshtojmë qasjen anti-rome, si dhe qëndrime kundër romëve, ashkalinjve dhe egjiptianëve, ose shprehjen e stereotipeve negative në sferën publike përmes gjuhës së urrejtjes.

Qasja anti-rome, e cila është formë specifike e diskriminimit racor ndaj romëve dhe grupeve të tjera të perceptuar si “romë”, është shkaktar kryesor pas faktit se romët janë një nga grupet më të diskriminuara në Kosovë. Njerëzit besojnë se për shkak të përkatësisë etnike ose racës së tyre, individët që i përkasin këtyre komuniteteve nuk janë disi të barabartë me njerëzit e tjerë dhe e përdorin këtë si një arsyetim për diskriminim dhe racizëm.

Përgjatë historisë, shumë shtete kanë miratuar ligje për të shtypur kulturën rome dhe për t’i mbajtur romët jashtë zakonshmërisë së përditshme. Ndonjëherë, shkonin edhe përtej kësaj. Romët u skllavëruan në Hungari dhe Rumani në shekullin e 15-të dhe u vunë në shënjestër për shfarosje nga Gjermania naziste.

Kohëve të fundit, në vitin 1995 në Danilovgrad të Malit të Zi, një komunitet i tërë u dëbua pasi dy të mitur romë u raportuan se  kishin përdhunuar një të mitur malazeze. Në të njëjtën ditë me raportin e bërë, rreth mesnatës, dyqind malazezë etnikë, të udhëhequr nga të afërmit dhe fqinjët e vajzës së përdhunuar, u mblodhën para stacionit të Policisë dhe kërkuan publikisht që Asambleja Komunale të miratojë një vendim që i dëbon të gjithë romët nga Danilovgradi.

Turma e mbledhur aty brohoriste parulla drejtuar romëve, duke kërcënuar ata me “shfarosje” dhe me djegie të shtëpive të tyre. Si rezultat, filloi edhe shkatërrimi i vendbanimeve të tyre. Kjo turmë theu xhamat e makinave dhe shtëpive që u përkisnin romëve, përpara se t’i vinte flakën atyre. Gjithmonë ka pasur një tendencë për të imponuar fajin kolektiv për romët për çdo gjë që dikush nga komuniteti e ka bërë e që ishte kundërshtuar nga shoqëria e gjerë.

Sa i përket zgjedhjeve, përfaqësuesit e pakicave në Kosovë e kanë ndaluar përzgjedhjen e përfaqësuesve të tyre institucional shumë kohë më parë, dhe Qeveria e Kosovës duhet që në mënyre shumë serioze t’i qaset mangësive në sistem dhe t’i korrigjojë ato sa më parë të jetë e mundur. Udhëheqësit politikë pritet të zhvillojnë debat demokratik, ndërkohë që e marrin në trajtim përdorimin e gjuhës përçmuese dhe i ndjekin rrugët ligjore për të korrigjuar sistemin zgjedhor.

Marrëdhëniet ndëretnike në Kosovë duhet të jenë plotësisht të zhvilluara. E gjithë shoqëria është ende duke u rikuperuar nga lufta e tmerrshme dhe, romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët, nuk duhet të përdoren si pikënisje për ndëshkim dhe më pas të fajësohen për të metat e sistemit. Tensionet ndëretnike midis shqiptarëve dhe serbëve që rezultuan në mizori dhe luftë i kanë vendosur romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët në situata të padëshiruara dhe të pakëndshme.

Rezultatet e zgjedhjeve për deputetë nga këto komunitete janë një reflektim i të metave në sistem. Secili përfaqësues i zgjedhur parlamentar nga këto komunitete (përfshirë Iniciativën Romane) tani duhet të dëshmojë se ata do ta përfaqësojnë vërtet interesin më të mirë të shoqërisë në përgjithësi, dhe komuniteteve të tyre përkatëse në veçanti. Kjo mbetet ende të shihet në këtë mandat.

Sidoqoftë, disa gjëra tashmë janë të qarta. Shumica e kosovarëve votuan për ndryshim në zgjedhjet e datës 14 shkurt, dhe përfaqësuesit e partive rome, ashkali dhe egjiptiane kanë një detyrim moral që t’i japin këtij ndryshimi një shans të pakushtëzuar dhe të bëhen partner konstruktiv.

Kjo përfshin gjithashtu edhe mos ngritjen e kërkesave absurde dhe vendosjen e kushteve joreale qysh në fillim. Një zyrtar i zgjedhur ashkali tashmë e ka kushtëzuar votën e tij për formimin e një qeverie të re me ndërtimin e 1000 shtëpive për komunitetin e tij. Sidoqoftë, partitë rome, ashkali dhe egjiptiane duhet ta dinë se integrimi social dhe drejtësia sociale nuk mund të arrihen përmes më shumë tullave dhe betonit.

Një shoqëri multikulturore dhe multietnike në të cilën mbizotëron sundimi i ligjit dhe drejtësia shoqërore nuk duhet të ketë asnjë alternativë dhe interesat më të mira të qytetarëve duhet të jenë modeli udhëzues në të gjitha pozicionet vendimmarrëse. Përfshirja sociale dhe barazia për komunitetet etnike të margjinalizuara duhet të bëhen një nga prioritetet kryesore për qeverinë e ardhshme, por veçanërisht përfaqësuesit politikë nga këto tre komunitete 

Artikulli është publikuar fillimisht në gjuhën angleze në PrishtinaInsight

Mendimet e shprehura në seksionin e opinioneve nuk paraqesin domosdoshmërisht pikëpamjet e BIRN

Isak Skenderi është drejtor ekzekutiv i OJQ-së “Zëri i romëve, ashkalinjëve dhe egjiptianëve”