Largojeni Betonin

Asfalti, objektet infrastrukturore dhe gëra të tjera që në përmbajtje kanë me shumicë beton, kanë qenë vazhdimisht pjesa përmbajtësore e fjalorit dhe veprimeve të pushtetarëve prizrenas që nga paslufta e deri me sot. Fokusi kryesor i të gjitha qeverive lokale kanë qenë dhe janë ndërtimet infrastrukturore, me theks të veçantë tenderët e rrugëve prej të cilave mbi 50 për qind janë të rishtruara ose rindërtuara. Përballë kësaj, tash disa vjet mbretëron edhe një klimë ndërtimesh dhe mbindërtimesh pa leje mu në zemër të qytetit, fenomen që të jep imazhin e një anarkie urbane, si pasojë e faktit se dora e ligjit është e padukshme.

Por Prizrenin historikisht nuk e kanë ngritur rrugët, banesat e as tenderët e shumtë infrastrukturorë. Përkundër retorikës së njerëzve të pushtetit, që e çojnë në qiell intenstitetin e politikës së asfalitit gjatë fushatës zgjedhore, Prizreni ka qenë një qytet i cili shquhej për kulturë, për sport e traditë. Kështu, këto ndërtime e punë infrastrukturore janë të mirësëardhura, për aq sa bëhen me planifikim adekuat dhe në përputhje me ligjin, por jo edhe si domonim i gjithë ofertës politike dhe mbi të gjitha si keqpërdorim për të krijuar disbalancime strukturore sociale pasi shpesh bëhen në mospërputhje me ligjin.
 
Para luftës qyteti ka pasur hiç më pak se 70 shoqëri kulturo-artistike, të cilat në rrethana krejtësisht tjera kanë vepruar dhe kanë mbajtur lartë kutlturën dhe traditën, duke ngërthyer dhe kultivuar vlerat kombëtare dhe njerëzore njëkohësisht. Ndërsa sot nuk ekzistojnë as gjysma e tyre. 

Në mungesë të kulturës e sportit, qyteti duket i zymtë pothuajse gjatë tërë vitit. Gjallëria vjen e shtohet vetëm gjatë muajve të verës, me disa aktivitete të mirëfillta kulturore të organizuara nga njerëz ose grupe të caktuara, në mënyrë të pavarur, që e mbajnë të gjallë krenarinë prizrenase. Si për shembull Dokufesti që jo vetëm prezanton vlera prizrenase por i sjell të hyra edhe ekonomisë së qytetit, me diku rreth 3 milionë euro deri më tash. Ndihmesa e komunës është minimale.  

Sporti është një segment tjetër me të cilin qytetarët e Prizrenit janë mburrur dikur. Shembulli më tipik është klubi futbollistik “Liria” që deri vonë ka qenë vatër e talentëve të futbollit. Pjestarët e saj sot mund të luajnë në klube të ndryshme, mund të gjejnë vend brenda dhe jashtë Kosove, por  më të voglen arsye e kanë që të mbrojnë ngjyrat e klubit të qytetit. Politikanët japin premtime sa herë të afrohen zgjedhjet. Këtë e kishte bërë edhe kryeministri i sotëm Hashim Thaçi, kur para 4 vjetësh sportdashësve prizrenas u premtoi stadium të standardeve të FIFA-s dhe UEFA-s. Por realizimi nuk ndodhi kurrë. Pak a shumë, e njëjta gjendje është edhe më klubin e basketbollit “Bashkimi”.

Prizreni vuan nga mungesa e hapsirave biznesore dhe tregtare.Ne ende kemi tregje të ngritura nga barakat dhe llamarinat të cilat ta krijojnë imazhin e vendeve të varfëra afrikane. Institucionet arsimore lëngojnë po ashtu nga mungesa e kuadrove profesionale, drejtorët e shkollave emërohen në bazë të afërsisë së tyre me partinë në pushtet. Qyteti “historik” është në “koma”.

Perderisa pushtetarët e kanë mendjën vetëm tek tenderët e rrugëve,shumë pak para hundëve të tyre kanë rrjedhën e Lumbardhit i cili ende kundërmon erë kanalizimesh. 

Të gjithë jemi të ofenduar nga kjo klasë politike e cila ka rrënuar identitetin e Prizrenit dhe dinjitetin e prizrenasëve.

Autori është student i shkencave politike në Universitetin e Prishtinës.