Kundër Diferencimit në BIK

Më 20 gusht 2013 në një mbledhje të jashtëzakonshme, pasi ka përfunduar mbledhja e rregullt, anëtarët e Kuvendit të Bashkësisë Islame të Kosovës me 23 vota për dhe 1 abstenim shkarkuan kryetarin e Kuvendit të BIK-ut Xhabir Hamitin. 

Shkarkimi i tij erdhi pasi ai kundërshtoi futjen në rend të ditës pikën për ndryshimin e Kushtetutës së kësaj bashkësie me të cilën do të mundësohej që kryetari i BIK-ut të zgjidhet në më shumë se dy mandate. 

Me Kushtetutën e BIK-ut i njëjti person nuk ka të drejtë që të zgjidhet në këtë pozitë më shumë se dy mandate. Një mandat zgjat pesë vjet.

Kryetari i BIK-ut, myftiu Naim Tërrnava është në përfundim të mandatit të dytë dhe pas dy muajve është paraparë të mbahen zgjedhjet në BIK. Tërrnava nuk ka të drejtë të kandidojë edhe për një mandat të tretë.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut edhe më parë ka reaguar duke kërkuar që zgjedhjet në BIK të jenë transparente, të përgjegjshme, të paanshme dhe pa iu nënshtruar presionit. 

Krahu që ka përfaqësuar islamin tradicional me në krye Xhabir Hamitin është cilësuar negativisht nga krahu tjetër dhe janë bërë përpjekje që këta të eliminohen nga skena duke përdorur metodat të ndryshme. 

Përjashtimin e Hamitit nga posti i kryetarit të Kuvendit të BIK-ut, me një procedurë të përshpejtuar, në një mbledhje të jashtëzakonshme Kmdlnj e cilëson veprim arbitrar të kundërligjshëm dhe përpjekje për të ngulfatur lirinë e shprehjes brenda BIK-ut. 

Këtij vendimi i ka paraprirë deklarimi i z.Hamiti se brenda BIK-ut po bëhet fushatë që në mënyrë të kundërligjshme t’i sigurohet edhe mandati i tretë z. Tërrnava në krye të BIK-ut si dhe paralajmërimin se edhe Xhabir Hamiti do të kandidohet për kryetarin e BIK-ut. 

Duket se pozita e kryetarit në BIK përveç se sjellë përfitime të mëdha ekonomike, është i leverdishëm edhe në planin afirmativ, sidomos tash kur po ndërtohet Xhamia e Madhe dhe po bëhet garë se cili myfti do të bëhet pjesë e historisë duke prerë shiritin e inaugurimit të këtij tempulli fetar e shpirtëror. 

Në BIK duhet ta kenë të qartë se të drejtat fetare janë të drejta njerëzore dhe se çdo përpjekje për ngulfatje të lirisë së fjalës, dhunë fizike dhe eliminim është shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut dhe në kundërshtim të plotë me normat dhe vlerat fetare.