Kufijtë e Mbikëqyrjes

I Nderuari President Obama,

Prokuror i përgjithshëm, EricHolder

Sekretar i Shtetit, JohnKerry

Po ju shkruajmë në cilësinë e organizatave të fjalës së lirë dhe lirisë së mediave nga e tërë bota për të shprehur shqetësimin tonë të fuqishëm lidhur me reagimin e qeverisë së SHBA-së për veprimet e informatorit Edward Snowden. Ju bëjmë thirrje që të ndërmerrni veprime të menjëhershme për t’i mbrojtur informatorët dhe gazetarët.  

Zbulimet e fundit të Edward Snowden kanë nxitur një debat të domosdoshëm dhe të vonuar për kufijtë e pranueshëm të mbikëqyrjes në një shtet demokratik, një debat që më 5 qershor e keni mirëpritur. Këto zbulime kanë vënë në pikëpyetje legjitimitetin e proceseve të fshehta të Gjykatës së Vëzhgimit të Inteligjencës së Jashtme dhe Komisioneve të mbyllura të Inteligjencës në Kongres si forume të duhura për përcaktimin e të drejtave themelore të njeriut të amerikanëve dhe të tjerëve në mbarë botën.

Prandaj, jemi të tronditur me faktin se janë ngritur akuza penale ndaj Snowden, duke përfshirë akuza nën Aktin e paqartë dhe shumë të gjerë të Spiunazhit të vitit 1917. Deklaratat e Departamentit të Shtetit se Snowden nuk është informator thjesht për shkak të natyrës së akuzave ndaj tij janë në kundërshtim të hapur me standardet ndërkombëtare për lirinë e shprehjes dhe informimit. Përpjekjet për të penguar lirinë e lëvizjes së Snowden, të drejtën e tij për të kërkuar azil, duke përfshirë tërheqjen e pasaportës së tij dhe format tjera të kundërpërgjigjes janë gjithashtu në kundërshtim me obligimet e SHBA-së sipas së drejtës ndërkombëtare.

Për më tepër, jemi të shqetësuar se akuzat ndaj Snowden nuk janë incident i izoluar, dhe se ka pasur një numër të paprecedent të ndjekjeve penale ndaj informatorëve gjatë administratës suaj, si dhe hetime ndërhyrëse për identifikimin e burimeve të gazetarëve që raportojnë për çështje që janë në interes publik. Kjo tendencë e qeverisë së SHBA-së drejt kontrollimit të gjerë të rrjedhës së informatave dhe versionin daj diskursit publik është demokratik dhe i paqëndrueshëm në epokën digjitale.

Marrë së bashku, ne konsiderojmë se këto veprime kanë vendosur një precedent të rrezikshëm për mbrojtjen e informatorëve dhe gazetarëve në mbarë botën. Siç jeni në dijeni, informatorët shpeshherë përballen me akuza penale kur zbulojnë informata që shkaktojnë turpërim të rëndë për qeveritë, për të shkëputur vëmendjen nga keqbërjet e zbuluara. Ngjashëm, gazetarët gjithashtu sulmohen për botimin e informatave të zbuluara. Ne jemi jashtëzakonisht të shqetësuar që qeveritë do të mbështeten në shembullin e SHBA-së për të justifikuar sulmet ndaj informatorëve dhe gazetarëve të cilët vënë veten në rrezik të konsiderueshëm për të ekspozuar apo raportuar keqbërjet e qeverisë, korrupsionin, apo rreziqet tjera ndaj shoqërisë.

SHBA-ja ka një histori të gjatë të njohjes rolit të rëndësishëm që informatorët luajnë në demokraci, qysh nga Ligji i Abraham Linkolnit më 1863, Akti për Deklaratat e Rrejshme. Gjersa Akti për Avancimin e Mbrojtjes së Informatorëve i vitit 2012 ka ngritur këtë mbrojtje, ato përjashtojnë posaçërisht mbrojtjet për zbulimet në interes publik të informatave të sigurisë kombëtare apo inteligjencës. Gjersa Direktiva e kohëve të fundit e Politikave Presidenciale /PPD-19 për “Mbrojtjen e informatorëve me qasje në informata të klasifikuara” dhe udhëzimet e Prokurorit të Përgjithshëm Erik Holder për mbrojtjen e privilegjit të gazetarëve janë pozitive, si politika ato nuk janë ligje të detyrueshme dhe nuk ofrojnë mbrojtje ligjore ose mjete juridike për informatorët apo gazetarët që mëtojnë mbrojtjen e zbulimeve të informatave. Prandaj, në këtë fushë janë të nevojshme mbrojtje më të mëdha ligjore.

I bëjmë thirrje administratës suaj që t’i ndërmerr veprimet në vijim:

Të hiqen akuzat me paragjykim ndaj Edward Snowden

Të rikthehet menjëherë pasaporta e EdwardSnowden dhe të ndërpriten përpjekjet që kanë për qëllim të pengojnë të drejtën e tij për të kërkuar azil në shtetin e zgjedhur nga ai 

Të iniciohet një konsultim publik ekzekutiv lidhur me aktivitetet e Agjencisë Kombëtare të Sigurisë 

Të udhëzohet Departamenti i Drejtësisë që t’i deklasifikojë dhe publikojë të gjithë urdhrat e lëshuar në kuadër të Aktit për Vëzhgim të Inteligjencës së Jashtme, pas përfundimit të tyre 

Të zotohet që të synohet miratimi përmes Kongresit i një zgjatjeje të Aktit për Përmirësimin e Mbrojtjes së Informatorëve dhe reformimi i Aktit për Spiunimin për të siguruar se ka mbrojtje të duhura dhe ligjërisht të detyrueshme për informatorët që zbulojnë informata të sigurisë kombëtare dhe inteligjencës 

Të vazhdohet të mbështetet miratimi nga Kongresi i një ligji të fortë dhe të fuqishëm “për mbrojtjen e mediave” me përjashtime të ngushta për informata të sigurisë kombëtare.

Me respekt,

ARTICLE 19.