Kosovë, Ti Je Ende Ëndërr!

Atdheu në Kosovë mund të jetë emër njeriu. Ka Atdhe të mirë, ka Atdhe të keq. Ka atdhe që nuk ka perspektivë në jetë, por prindërit mund t’ia kenë lënë këtë emër në atë kohë kur atdheu ishte vizion, ishte dëshirë për të qenë i një lloji siç e donin. E ka Atdhe që është i kënaqur me jetën e tij, me familjen, me shtëpinë, por atdheun e ka në mungesë.

Ka kohë që dua të shkruaj për gjithçka që ndodh në atdheun tim. Por, nuk jam i sigurt nëse ky nocion mund të sqaroj çfarëdo që ndodh në atë idil timin. Atdheu im ka nepotizëm, paaftësi, irriton, nxjerr gjak, është si puçrra e fryrës me qelb që pret të nxjerrë diçka të rëndë në vetvete. Është atdhe që pret të heq këtë kruajtje lëkure për të nxjerrë një lëkurë të re.

Atdhe sikur timin dikur, tani kanë iranianët e opozitës që ëndërrojnë ta kthejnë në liri kundër tiranisë dhe sisteme që janë ndërruar për një shekull. Atdheu im dikur ka ngjarë me atdheun e egjiptianëve, libianëve të kohës së pranverës arabe, ka ngjarë me atë atdheun e sirianëve që duan që i tyre të bëhet shembull – të lodhur me atë se si dikush në një botë tjetër mund të dijë për ta. Me dëshirën për të mos e pasur atdheun refugjat, të përndjekur, atdhe të përdhunuar, të ndrydhur, të shkelur.

E prapë, unë ashtu e kam, nuk e kam tjetër.

Kështu është sepse kështu e kanë bërë ata që kanë heshtur për gjithçka. Ato elita të një apo dy dekadave me parë që janë grumbulluar në salla të vjetra komuniste, të njerëzve me flokë të gjata, gazetarëve, pak artistëve, shkrimtarëve, e filozofëve që puthnin cigaren si një vajzë të re për herë të parë duke dashur t’ia nxjerrin buzën prej vendi. Si në garë për të mbushur koshat e hirit të djegur me bishtat e gjatë të cigareve të lira. Një mendim për të nisur diçka që mund të sillte pak tru të ri, mendim të freskët dhe të nisnin një aventurë të rrezikshme për të krijuar atdheun siç e kisha imagjinuar unë. Atëherë për këtë duhej koqe. Ato mund t’i mbash nëse i ke.

Ashtu do ketë thënë çdo njeri që mund të ketë qenë një kohanik i tim at, duke përsëritur frazën skeptike për vetveten “ndoshta për fëmijët tanë do të jetë ndryshe”. E çfarë pastaj? Tash unë jam ai fëmija “për të ardhmen” e së cilit keni punuar në atë kohë. E ta dini, unë nuk po e shoh tash atë kohë siç e keni sakrifikuar e pritur ju për mua. Kjo kohë është krejt kot sepse disa nga ju keni bërë kompromis, të lodhur me pritjen. Ka pasur patriotë që kur i ndalonte policia e Kosovës pas lufte, thoshin “ndasht, më gjobisni, ju të paktën flisni shqip”. Ky kuptim i atdheut nuk është i imi dhe nuk dua që atdheu im të ngjasojë në shartim të atdheut të poshtër, atdheut okupues, një version për ta zbutur egërsinë. Është ai atdheu që është atdhe për të gjithë, i njëjtë, i barabartë, i ligjshëm dhe jo i lig si moti i keq. Atdheun, të tillë, mbajeni për vete.

Është tragji-komike se si duket një atdhe i huaj. Atdheun e tillë nuk e lë dot sikur një fryt të një shtatzënie të hershme, të padëshirueshme, dhe sërish që nuk do ta mbash. Nuk e di nëse mosha do ta rrisë në rrugën e drejtë për tu bërë njeri i mirë, burrë i fisshëm, i sjellshëm, me mend në krye, nuk e di nëse ky Atdhe do të jetë bashkëkohor, nëse nuk do ta ketë atë sëmundje ngjitëse nga e cila iket përherë, ndërron drejtim në rrugë kur e sheh. Nga atdheu iket, por iket siç ikin të gjithë për të parë vende, për të krijuar diçka në një vend tjetër dhe për të qenë atje ku diçka ofrohet. Por, ka atdhe në të cilin shkohet, rrihet dhe ngjizet me të. E atdheu ynë nuk është i tillë, ai është atdhe bandash, atdhe korrupsionesh, atdhe në të cilin njerëzit mendojnë njësoj, atdhe ku nuk lejohet t’ua thuash njerëzve të vërtetën ose të parashtrosh pyetje nga e cila nuk pret përgjigje. Pyetjet e tilla mund ta irritojnë sëmundjen e atdheut, të hienave të mbretit të fëlliqësisë, se ky atdhe nuk lejon t’ia cenosh gënjeshtrat.

Në bashkëbisedim me një mik të kahershëm i them që dëshpërohem shpesh që profesioni im nuk ka më vend pune sepse nuk ekziston adresë për të. Miku është aty, më dërgon një si panoramë tragjedish, si letër pa fotografi për të fshehur turpin, konfirmimin e tij për këtë gjendje që nuk ngjason si rënkim i kotë. Ne s’jemi plaka të rënduara nga gjithçka që sëmundjet tona i përshkruajmë si një përkufizim gjeografik, nga na hynë e dalin therjet, tek të cilat rënkimet janë një gjë e përditshme, rutinë, aq sa nuk u besohet më deri sa të shtrihen për dërrasash të vdekura në baltën e zezë. Por, ne jemi njerëz që kemi diçka në mendim, në kokë, e që na rri si gur i gatshëm për t’u mbytur në pus të cekët. Miku thotë në një letër të shkruar citoj: “Ndoshta duhet mësuar dhe kuptuar se kjo bota jonë minore është e tillë dhe zor e ndryshueshme. Nuk ka asnjë popull në botë që ka përjetu zhvillim pa luftë qytetare, pa u ndesh e mira dhe e keqja. Këtu te ne e mira është dorëzuar përballë së keqes, ndaj jemi kësisoj. Ndoshta një ditë, ndryshimi i brezave do të mund të sjellë ndryshim përmbajtjesor. Nuk di sa do të kemi durim ta presim, por ama aktualisht duket se nuk ka gjasa për ta parë një Kosovë tjetër. Për darkë, nuk besoj se ka ndonjë telashe. Unë jam këndej, kurdo që ti je këtu. Jam shndërruar në kosovar tipik, i cili i kufizuar nga vizat dhe gjendja materiale, mund të shkoje vetëm deri në Han të Elezit, ose anasjelltas”, thotë ai prerazi.

Për të kthyer përgjigje në një përgjigje të tillë duhet të bësh shumë pyetje, e duhet të dish shumë përgjigje të cilat unë nuk i di. Ndoshta pa të drejtë them diçka që nuk ekziston, ndoshta njerëzit që mendojnë dhe besojnë thellësisht në dogmat e vjetra mendojnë për mua: – “ky është njeri i çmendur”. Dhe, më pas disa “minj portalesh” nëpër faqet e internetit shkruajnë komente denigruese, kritike, sharëse. Për të më fyer, nuk më fyejnë, sepse shkruajnë ashtu sikurse flet një plak me pak dhëmb të mbetur, me gabime të mëdha, sikur u kanë ngelur shkronjat nëpër dhëmb. Patriotët e internetit që duan të çlirojnë vetveten duke sulmuar të fshehur. Ashtu siç më vijnë e-mailë dhe porosi nëpër rrjetet si “facebook” kur parashtroj pyetje të thjeshta si shembull “a i ka parë dikush dy policë”, duke iu referuar dy policëve të Kosovës, banalisht të arrestuar me armë deri në fyt nga policia serbe. Duke menduar se kam frikë. E si të mos bësh një pyetje të tillë kur vetëm dy policë patrullojnë, pa të keqën e tyre, e policia e tyre, komanda deri pasdite nuk e di se ku janë, nuk thotë fjalë. Është bërë si veshi pas daulles, e në Beograd policët e tyre shtrirë për tokë ekspozohen në triumfin e marrëzisë nacionaliste. Të shkelur përdhe, ata natën e kalojnë diku në një qeli të një qyteti të humbur serb ku askush nuk shkon për zor të madh.

Por, këtu nuk ka vend për të thënë asnjë fjalë për të gjithë protagonistët e skenës politike në Kosovë, nuk ka vend për të thënë asgjë për të gjithë ata brejtës që e kanë ngrenë atë ëndrrën e atdheut si bukë peshku. Nuk ka vend të krahasohet me asgjë Perëndimore, nuk ka vend të analizohet e të flitet për ta sepse shumë prej tyre nuk meritojnë të quhen, të përmenden. Ata duhet të fshihen si turpi i njeriut që ka nxjerrë gazra, me erë të tmerrshme, në një makinë të mbushur me njerëz të huaj e me xhama të mbyllur.

E përse atdheu im nuk është si ai i të tjerëve? Kjo është e thjeshtë sepse atdheu im nuk ka Vanja  Çalloviq, gruaja që proteston fuqishëm e flet në Podgoricë për korrupsionin. Nuk ka shkrimtar e njerëz të kulturës që flet si Andrej Nikollaidis, i lindur në Sarajevë e që jeton në Podgoricë, një kritik i ashpër i shovinistëve të ish-Jugosllavisë. Nuk ka një Natasha Kandiq, një grua që ka mbrojtur të drejtat e viktimave, nuk ka një Sonja Biserko, që ka folur aq shumë për politikat serbe në krye të Komitetit të Helsinikit në Serbi, nuk ka një qendër kulturore për dekontaminim si ajo e Borka Paviçeviq në Beograd, nuk ka një Denis Dezhulloviq, gazetar kroat, një Drago Hedel apo Pilsel, nuk ka një emision si ai në HRT “Të dielën në 2”, nuk ka një gazetë siç janë BH Dani në Sarajevë dhe mbi të gjitha nuk ka një frymë ku e mira dhe e keqja janë të shënjuara. Në çdo fushë ka minj, brejtës të shumtë që bllokojnë dhe hanë gjithçka. Në gazetari shpesh kritikohen pa meritë kolegët tanë në Radio Televizionin e Kosovës, një pjesë e tyre që janë ish-gazetarë të punësuar “për një rrogë shteti”.

E ne ku jemi, njerëzit tjerë të këtij atdheu, ku janë ata që rrinë përballë këtyre shkronjave të zeza apo ata që nuk lexojnë më?! Tani kemi krijuar atdhe ndryshe, atdhe që preokupim e ka për gjysmë viti vetëm veriun, e jugun nuk e ka rregulluar asnjëherë për 12 vjet. Kemi krijuar atdhe nacionalizmash e konfrontimesh me ide që nuk arrijnë as deri në Hanin e Elezit, kemi krijuar atdhe të huaj, atdhe për të qenë zgjuar në të. Atdheu është një nocion që nuk do të ketë më kuptimin e atij që e ka në Ballkan. Atdheu duhet të jetë një shtëpi, të jetë vendi ku njeriu mund të shtrijë krahët lirshëm, të ketë punë, atdheu mund të jetë vendi ku njeriu fle qetë, pa frikë, pa mendime për të udhëhequr politikat globale. Atdheu duhet të jetë vendi ndaj të cilit protestohet, kërkohet, thuhet. Atdheu është përgjegjësi dhe ka përgjegjësi ndaj nesh. Është vendi nga i cili shkojmë e vijmë, por e duam, është vatër në të cilën rrimë për t’u ngrohur dhe fotografi që ua tregojmë të tjerëve. Atdhe është çdo oborr i yni. Më fal tash Kosovë, por ti kështu nuk je më atdhe. Ti je ende ëndërr!