"Daja Sam"

Si fëmijë i viteve 1990, u rrita nën frymën e rezistencës ndaj regjimit serb që atë kohë mbretëronte në Kosovën e udhëhequr nga lideri Ibrahim Rugova. Ishte lindja e politikave të segragacionit ndaj shqiptarëve nga qeveria e Sllobodan Millosheviqit dhe në anën tjetër e lindjes së idesë dhe pasionit për themelimin e ”Republikës së Kosovës”. Nuk vonoi e Jugosllavia po vdiste, ndërsa vuajtjet, helmimet, demonstratat, vrasjet, maltretimet, dëbimet masive jashtë vendit, regresi kulturor, ”tanket mbi fletore” dhe dy gishtat përpjetë, ishin pjesë e rrugëtimit të shqiptarëve për një dekadë drejt së ”shenjtës” republikë. 

Më kujtohet si të gjithë e parafytyronim këtë utopi, këtë shtet i cili pas çlirimit nga Serbia do të sillte progres dhe lumturi për popullin e Kosovës. “Hej bre, po na e kemi Trepçën”, më kujtohet tek thoshte me pasion një arsimtar i imi, ndërsa ora e mësimit të menduar shkencor ishte shndërruar në “orë politike”, me besimin e plotë se sapo ta marrim nën kontroll këtë minierë të çmuar, problemet do të zhdukeshin ashtu siç ndodhi me Katarin pas vitit 1971. (Në këtë vit Katari u pavarësua nga Britania e Madhe dhe filloi rrugën e bumit ekonomik falë rezervave të naftës). 

Kosova u çlirua. Mirëpo, sot e vetmja gjë që e bashkon atë me Katarin është kontrata në negociim për dërgimin e fuqisë së lirë punëtore kosovare për t’i ndërtuar stadiumet e këtij shteti ku pritet të mbahet Kampionati Botëror i Futbollit 2022. 

Kosova, që sot udhëhiqet prej vetë nesh, është vendi më i prapambetur, më i korruptuar dhe izoluar i kontinentit. 14 vjet pas luftës, kosovarët janë në një rang me popujt e vatrave të konflikteve si Siria, Afganistani, Iraku e Pakistani. Ata dergjen nëpër ”hajme” në kërkim të azilit në vendet e Perëndimit, ndërsa pasaporta kosovare sot është ndër 8 pasaportat më të këqija në botë. Ajo nuk t’i hapë dyert gati askund. 

Kur flitet për këto gjëra, ata më cinikët thonë: ”Eh po kadale se Kosova asht shtet qe 5 vjet”, duke harruar që, të mira a të këqija, institucionet në Kosovë kanë filluar që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. Prandaj të thuhet se kemi mësuar të udhëheqim me institucione vetëm nga viti 2008 është sa cinike, aq edhe e pavërtetë. Kemi pasur institucione dhe sot i kemi më të gjera e më të fuqishme se kurdoherë më parë, por shteti mbetet siç e tregojnë të dhënat e mësipërme dhe qytetari nuk gjen mbështetje prej tyre.

Prapë, “Zoti në qiell, Amerika në tokë”, thoshin dikur shqiptarët e Kosovës, teksa administrata Clinton mobilizoi aleatët për ta sulmuar Jugosllavinë e mbetur, për ta ndaluar shfarosjen e shqiptarëve në këtë vend. Po atëherë, shqiptarët kishin një orientim të qartë e pragmatik amerikan. Por çfarë do të kishte ndodhur sikur modeli amerikan i qeverisjes dhe i organizimit të ekonomisë e shkencës të ishte përqafuar në të vërtetë? Sikur një prani e gjerë amerikane të ishte nxitur me metoda të ndryshme inovative?

 Hipotetikisht e vërteta do të ishte pak a shumë kjo. 

Së pari, Kosova do të kishte realisht një lloj statusi të një territori të painkorporuar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të ngjashëm, sado jo të njëjtë, me atë të Puerto Rikos, që do të thoshte në Kosovë do të aplikoheshin ligje si ato amerikane, megjithëse vendi do të kishte kushtetutë të vetën.

Siguria politike dhe ushtarake do të garantohej nga ushtria më e fortë në botë, gjersa kampi i “Bondsteel-it” do të ishte një mini-Pentagon i Kosovës.

Sundimi i ligjit dhe përfshirja e veriut në institucione nuk do të ishte çështje diskutimi, pasi sundimi i ligjit në territorin e një vendi me prani të atillë amerikane do të merrej seriozisht dhe nuk do të ishte një mision i pamundshëm dhe i dyshimtë siç janë konsideruar shumë të tillë në Kosovë. 

Duhet potencuar që serbët e veriut do të kishin pasaporta kosovare të fuqishme dhe joshja e tyre me pasaporta serbe të ishte më shumë emotive, sesa ekonomike. 

Zgjedhjet në Kosovë do të ishin në të vërtetë të lira dhe të padiskutueshme. Në listat e votuesve sigurisht nuk do të kishte persona që s’kanë më mundësi të jetojnë, si i ndjeri Mehmet Gjevori.  

Kosova do të ishte partner serioz në çdo nismë rajonale dhe politikanët e saj do të respektoheshin dhe cenimi i integritetit territorial të saj do të konsiderohej gabim fatal. 

Vendi do të shënonte një bum ekonomik dhe korporata të ndryshme amerikane do të interesoheshin të bartnin zyrat e tyre në këtë territor “amerikan” në Europë. Kosovarët nuk do të shkonin në Shkup për të ngrënë McDonalds dhe Starbucks do të kishte dyqanin e vet në Sheshin “Nëna Tereze”. Këtë të fundit nuk duhet parë nga aspekti i kulturës së konsumit, por i ekonomisë që krijon vende pune. 

Thirrja haptas për xhihad nga djali i kreut Bashkësisë Islame të Kosovës nuk do të ishte ide e mirë dhe në përgjithësi radikalizmi islam do të kërkonte vend diku tjetër. Arsimi dhe edukimi i mirëfilltë do të zinin fill. 

Talentet kosovare do të konkurronin në “Voice of America” dhe Eminem do të mbante koncert në stadiumin e Prishtinës. Kosova do të shndërrohej në destinacion turizmi për amerikanët kuriozë. 

Vendi do të ishte pjesë e historive të Hollyvood-it dhe Robert de Niro a Johnny Depp, ose edhe të dy bashkë, do të mund të vinin në Dokufest.

Kosova do të kishte problem me imigrantë ilegalë dhe do të kritikohej për dëbimin e tyre, pasi kërkesat për azil do tu refuzoheshin në shumicën e rasteve. 

Çështja e ujit dhe rrymës do të ishte rregulluar deri më tani, ndërsa mbeturinat do të ricikloheshin dhe vende si Prevalla nuk do të dukeshin si paralagjet e Punjabit, por do të ngjasonin me malet e Jutas.

Brezovica do të ishte privatizuar dhe ski-liftët do të funksionin si duhet, ndërsa Grandi do të ishte blerë nga ndonjë korporatë amerikane (Hilton, Holoday Inn , Hayat Hotels etj). As shefi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit nuk do të bënte vetëvrasje

Kosova do të kualifikohej në kampionatin botëror , që do të mbahet në Brazil vitin e ardhshëm dhe ne do të udhëtonim në Rio De Janeiro për të brohoritur sa herë që Januzaj a Behrami do të shënonin gola. 

Por nëse ëndrra e viteve ‘90-të u bë e mundshme, kjo tjetra duket si një dëfrim i pashpresë i momentit. 

Sepse, idealin e një demokracie të fortë e të organizuar mirë, që ka për synim ta bëjë çdo qytetar të vendit më mirë, nuk e kemi përbrendësuar as si teori, e as si qëllim e pasion. Kështu, ne nuk e kemi dëshpëruar “Dajën Sam”, por veten tonë. Madje, kur njeriu e shikon gjendjen e sotme, edhe ato institucionet tona të parapesëdhjetë vjetësh, që i shmangim nga diskursi ynë, me siguri do të flisnin me përbuzje.