Memorandum Bashkëpunimi Kosovë-SHBA

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Christopher Dell, nënshkruan sot një Memorandum të Mirëkuptimit, për ndihmë të gjithanshme të SHBA-së për Kosovën.

Me këtë rast, presidentja Jahjaga ka falënderuar Qeverinë amerikane për ndihmën e vazhdueshme që po i jep Kosovës në forcimin e sundimit të ligjit, në zhvillimin ekonomik, në përmirësimin e klimës së biznesit, për krijimin e vendeve të punës, për ngritjen e kapaciteteve institucionale dhe për përkrahjen e proceseve integruese rajonale dhe evropiane.

“Këto janë njëkohësisht prioritetet e institucioneve të Kosovës për një zhvillim të gjithëmbarshëm dhe të qëndrueshëm. Jemi të interesuar që në të gjitha këto fusha, për të cilat e kemi edhe ndihmën dhe përkrahjen e qeverisë së SHBA-ve, të bëjmë reformat dhe transformimet e nevojshme me të cilat i plotësojmë standardet që na mundësojnë të kemi institucione të përgjegjshme, demokratike dhe efektive”, tha Jahjaga, në një konferencë me gazetarë.

Sipas Jahjagës, kjo e përshpejton rrugëtimin drejt arritjes së qëllimeve strategjike të Kosovës për anëtarësim në Bashkim Evropian, në NATO, në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe në të gjitha organizatat e mekanizmat e tjerë ndërkombëtarë.

Qeveria e SHBA-së, nëpërmjet USAID-it, për 12 vjet të pasluftës i ka dhënë 1.2 miliard dollarë në Kosovë në projekte të ndryshme të rindërtimit, të zhvillimit ekonomik, të nxitjes dhe forcimit të proceseve demokratike në vend, së bashku me ndihmat në fushat e tjera, thuhet në një komunikatë të Presidencës.