Lufta e Yjeve

Yjet përmbi iu vezullojnë. Tre, katër, pesë…Sa të duan pronarët. Por nëse ju qëllon të kaloni natën në hotelet e Kosovës, mos u habisni nëse rryma ndalet për disa ‘çaste’, derisa të ndizet agregati. Zhurma mund të mos ju lërë të flini, por fajin e ka KEK-u. Dushi juaj mos të stërzgjatet, pasi uji është ndalur, e pompat “diçka s’po funksionojnë”…

Në Kosovë aktualisht funksionojnë rreth 350 hotele, por të licencuara janë më pak se 200.

Ka edhe hotele me kushte dhe shërbime vërtet kualitative, por shumica janë larg standardeve. Nga yjet që i kanë të vendosura përbri emrit, nuk mund ta dish çka të pret brenda. Shumica e hoteleve, yjet i kanë vënë pa iu futur një procesi të mirëfilltë vlerësues. E për ta vlerësuar cilësinë e shërbimeve të këtyre hoteleve, përgjegjëse është Ministria e Tregtisë dhe e Industrisë (MTI), e cila është vonuar me procesin e licencimit dhe kategorizimit të hoteleve me yje.

Eksperti i turizmit, Zekë Çeku, thotë se hotelet në Kosovë, yjet i kanë vënë sipas dëshirës, porse ato nuk e paraqesin realitetin. “Yjet e hoteleve në Kosovë janë shprehje e vullnetit dhe pretendimeve të pronarëve të tyre”, shprehet ai, për Gazetën JnK.

Sipas tij, asnjë hotel në Kosovë nuk i plotëson kushtet për të pasur pesë yje.

Çeku fajëson Ministrinë e Tregtisë se është vonuar shumë me procesin e kategorizimit dhe të licencimit të hoteleve. “Kategorizimi ka mundur të ndodhë më herët, por në këtë drejtim nuk është punuar me përkushtim”.

Drejtori i Departamentit të Turizmit në MTI, Nijazi Shala, tregon se aktualisht në Kosovë janë 197 hotele të licencuara, të cilat i kanë plotësuar kushtet për të funksionuar si hotele.

Sipas tij, pengesë për të filluar me vlerësimin e cilësisë nëpër hotele është mosplotësimi i ligjit të turizmit. “Kategorizimi si proces nuk ka filluar, por vetëm është nxjerr Udhëzimi Administrativ. Kategorizimi do të fillojë pasi të plotësohet ligji dhe të formohet komisioni që do ta udhëheqë këtë proces tepër të rëndësishëm”, thotë Shala.

Ai thotë se ligji i ri do të përcaktojë të gjitha kushtet, duke filluar që nga hapësira, forma e dhomave, banjove, tualeteve etj. Po ashtu në ligj do të jenë të përcaktuara edhe kushtet që duhet t’i plotësojë një hotel, duke filluar nga hapësira e sallave për fitnes, parkingun dhe hapësirat e tjera të nevojshme.

Shefi i Departamentit të Turizmit në MTI, Hysen Sogojeva, thotë se 60 për qind e hoteleve nuk i plotësojnë kushtet për të funksionuar si hotele. “Aktualisht, të gjitha hotelet që i kanë yjet, për Departamentin e Turizmit janë jolegale, deri kur komisioni përkatës vlerësues të japë certifikatën se sa yje i meriton një hotel i caktuar”, thotë Sogojeva.

Cilësia e shërbimeve ka rënë edhe tek simboli i Prishtinës dhe hoteli dikur kryesor i vendit, ku kanë fjetur e ndenjur, shumë udhëheqës të lartë të ish-Jugosllavisë. Tito ende ‘ka’ dhomën e tij aty. Megjithëse mbi ndërtesën grandioze, e cila tash sa kohë po rinovohet, kanë mbetur pesë yjet e dikurshëm, sapo e fut këmbën brenda, e sheh se ata yje janë të rrejshëm.

Por pronari i ri i Hotelit Grand, Zylqif Berisha, thotë se pretendimet janë që mbi Grand t’i vendosin 5 yje të vërteta. Ai shton se janë duke punuar që ta rindërtojnë hotelin, sipas standardeve të Hotelit Sheraton. “Deri në fund të projektit parashikojmë t’i bëjmë mbi 30 milionë euro investime”.

Sipas Berishës, Grandi i ka të gjitha kushtet për të qenë hotel me pesë yje, pasi i ka hapësirat e nevojshme për një hotel, përfshirë parkingun.

Edhe Bardhyl Meta, drejtor në Hotelin Emerald, i ndërtuar së fundi, pret që kur Ministria e Tregtisë dhe e Industrisë të bëjë kategorizimin me yje, t’i kenë yjet maksimale, pasi i kanë kushtet dhe cilësinë e shërbimeve.

Por, ai do të preferonte që vlerësimi të bëhej nga ekspertë jokosovarë. “Nuk është se nuk i besojmë ministrisë, por është një çështje tjetër se nëse bëhen dallavere, sikur nëpër fusha të tjera, atëherë më mirë do të jetë që të kemi ekspertë ndërkombëtarë në këtë proces”, i tha Meta, Gazetës JnK.

Sipas Entit të Statistikave të Kosovës (ESK), kapacitetet e 197 hoteleve të licencuara e kalojnë mbi 3000 numrin e dhomave. Ndërsa, qytetet të cilat prijnë për nga numri i hoteleve janë Prishtina, Ferizaj, Prizreni dhe Lipjani.