KEK’u Humb Nga Hekuri

Fundjava e tretë e shtatorit ishte në prag. Punëtorët e njësisë së Koorporatës Energjetike të Kosovës (KEK) në Palaj të Obiliqit, që merret me riparimin e pajisje xehtare të ndërmarrjes, kishin dalë në mesditë nga puna asaj të premte. Ditët pasuese 17 dhe 18 shtator i kishin krejt të lira.

Kur të hënën, më 19 shtator, ata u kthyen në punë nuk i gjetën 100 elektromotorë në punishte.

Zyrtarët dhe punëtorët e KEK’ut nuk pranojnë të flasin për detajet e ‘zhdukjes’ enigmatike dhe i mbajnë ato të fshehura, por zëdhënësi i policisë së Kosovës, Brahim Sadriu, ka konfirmuar për Gazetën Jeta në Kosovë se atë ditë ishte denoncuar një rast për shpërdorim të pozitës zyrtare në njësinë e Palajt.

Sadriu thotë se ky denoncim ka të bëj me nxjerrjen e jashtëligjshme nga punishtja të 100 elektromotorëve “të madhësive të ndryshme”. “Rasti është hapur si shpërdorim i pozitës zyrtare. Me të tani është duke u marrë drejtoria për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsion”, ka thënë ai.

Një numër punëtorësh të KEK’ut të anketuar nga Gazeta Jeta në Kosovë kanë sugjeruar se në këtë korporatë mund të ndodhë që pajisjet hedhen jashtë përdorimit, për tu shitur si hekur, edhe nëse ende mund të jenë funksionale.

Zëdhënësi i KEK’ut, Viktor Buzhala, megjithatë, thotë se kjo është e pamundshme pasi të gjitha pajisjet dalin jashtë përdorimit vetëm me vlerësim të komisionit përkatës.

Ai thotë se makineritë e nxjerra nga përdorimi shiten si hekurishte në mënyrë shumë të hapur.

“Këtë vit deri tash janë tërhequr dhe shitur 2057 tonë hekurishte të ndryshme nga të gjitha divizionet e korporatës”, thotë Buzhala.

“Asetet që klasifikohen si hekurishte janë ato që me procedura interne gjatë regjistrimit të fundvitit dalin jashtë përdorimit, sepse bëhen të papërdorshme. Komisioni i regjistrimit nxjerr vendim për t’i vënë jashtë përdorimit”, thotë ai.

Zëdhënësi ka shtuar se pastaj elaborati i regjistrimit aprovohet nga Komiteti i Auditimit, bordi dhe menaxhmenti i korporatës dhe se këto asete largohen nga librat financiarë e grumbullohen në hapësira të caktuara nga komisionet profesionale të formuara për këtë qëllim.

“Ato shiten për mbeturina, sipas tenderit që është publik”, thotë Buzhala. “I tërë procesi monitorohet edhe nga Komisioni për Përcjellje”.
 
Fitimi nga shitja e këtij “scrapi” është gati simbolik, pasi vlera e shitjes së metaleve vlerësohet e ulët. Por KEK’u lëvdohet se ka bërë shitjen më të mirë sipas çmimit të ofruar nga ofertuesit. Vlera e një kg vlerësohet 0.21 euro. “I bie shuma që e përfituar deri tash është 432 mijë euro”, thotë Buzhala.
 
Mirëpo, sipas sindikalistëve të KEK’ut, fitimi do të ishte shumëfish më i madh po të shiteshin këto hekurishte nga vetë ndërmarrja ose njësia “Metalkos” që ka punuar në kuadër të korporatës.

Kreu i sindikatës Izet Mustafa thotë se çmimi me të cilin janë shitur këto makineri të dala nga përdorimi është “tejet i ulët”. Sipas tij, hekurishtet e shitura kanë vlerë më shumë sesa 0.21 euro për kg.

“Paramendoni se sa do të ishte fitimi për korporatën nga një trafo prej 8 megavatesh, e cila në përbërjen e saj ka bakër, alumin dhe tonelata vaj, po të seleksionohej e të shitej veç e veç. Ndërsa këto shiten për një çmim qesharak”, thotë Mustafa.

Ai ka shtuar se janë shitur me qindra elektromotorë të cilët përmbajnë sasi të konsiderueshme bakri. Sipas tij, bakri dhe alumini kanë një çmim më të lartë dhe kompanitë që mbledhin hekurishte e shesin bakrin dhe aluminin me 4-5 euro për kg.

“Pjesë tjetër mjaftë e vlefshme janë edhe gypat e makinerive të cilët mund të shiten me çmim tjetër, po të seleksionoheshin”, thotë Mustafa, i cili tregon se sindikata ka ngritur këtë shqetësim tek menaxhmenti i korporatës.

Ai thotë se shitja e paseleksionuar është keqpërdorim. “Vlera e këtij scrapi përllogaritet të jetë afër 2 milionë euro, sipas të dhënave nga departamentet”, thotë ai.

Por zëdhënësi Viktor Buzhala thotë se hekurishtet po shiten me çmimin më të lartë të blerjes, sepse nga këto KEK ka pasur vetëm humbje duke i klasifikuar. “Nuk duhet të krijohet konfuzitet në lidhje me këtë çështje, sepse çmimi është i përgjithshëm dhe më i larti i ofruar. KEK më herët kishte vepruar duke i klasifikuar metalet, por nga ky proces KEK sh.a. kishte pasur vetëm humbje”, tha Buzhala.

Ai shton se për t’i ikur rrezikut të çfarëdo keqpërdorimi të mundshëm ose humbje financiare, KEK sh.a. ka vendosur dhe po i shet të gjitha hekurishtet me çmimin më të lartë të ofruar.

Kompania qe ka fituar tenderin për pastrimin e KEK’ut nga hekurishtet është “Shulcer CI-KOS-CRO”. “Hekurishtet shiten bashkërisht edhe për faktin se janë jashtë përdorimit dhe nuk mund të riciklohen”, ka thënë Buzhala. “Kompania në fjalë ofroi çmimin më të lartë”.

Ish-menaxheri i njësisë së KEK’ut “Metalkos”, Fehmi Grajqefci, thotë se në kohën kur kjo njësi e ka kryer punën, KEK’u ka pasur fitime edhe nga makineritë e nxjerra nga përdorimi.

Njësia “Metalkos” e regjistruar si shoqëri aksionare tashmë qe dy vjet është falimentuar, pasi që puna e tyre ishte e ndërlidhur kryesisht me korporatën. KEK’u filloi t’u shesë në tender kompanive që grumbullojnë hekurishtet.

“Ato e blejnë të paklasifikuar hekurin me kg, ndërsa ne i ndanim të gjitha metalet”, thotë Grajqefci. “Madje ne kemi ndjekur atëherë edhe çmimet në bursën e metaleve. Kjo nuk do të thotë se kemi arritur t’i shesim me çmimin e bursës, por i kemi shitur shumë më tepër sesa shiten tani”.

“Pas ndarjes nga KEK’u, ne nuk fituam asnjë tender, kështu që falimentuam”, thotë Grajqefci. “Kur unë kam menaxhuar këtë njësi, një ton bakër në bursën e metaleve është shitur deri në 6000 euro. Ndërsa nga korporata si hekurishte e papërdorur del sasi e konsiderueshme e bakrit. Pastaj ka trafo që kanë deri në 10 mijë litra vaj”.

Kompania e cila tashmë ka mbetur vetëm në regjistrat e Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve, ishte shpërblyer me mirënjohje në vitin 2008 nga Oda Ekonomike e Kosovës, Administrata Tatimore e Kosovës dhe Oda Ekonomike Amerikane.

Një zyrtar i një kompanie në Prishtinë, e cila shet koncentrat hekuri, i ka thënë Gazetës Jeta në Kosovë se ajo shtet hekurin e seleksionuar zakonisht rreth 20 për qind më lirë nga çmimi i bursës ndërkombëtare.

Të dhënat nga doganat e Kosovës sugjerojnë se pas Feronikelit, hekurishtet zënë vendin e dytë në eksportet e vendit. Nga Kosova vitin e kaluar si metale të hedhura janë shitur në vlerë prej 17,568,423 milion euro. Ndërsa për këtë vit deri më 19 tetor shitja e tyre ka arritur vlerën e 21,123,993 milionë eurove.

Sipas Doganave të Kosovës, në bazë të dhënave të saj të përpunuara në mënyrë elektronike, rreth 548,141 tonë hekurishte janë eksportuar që nga viti 2005. Zëdhënësi Adriatik Stavileci thotë se të dhënat elektronike nuk janë përpunuar përpara 2005’tës. “Në vlerë eurosh, nga viti 2005 janë eksportuar mbi 91 milionë e 302 655 hekur”, ka thënë Stavileci.

kek
Jonathan Buonocore

 

Në Zyrën e Auditorit të Përgjithshëm thonë se do ta vëzhgojnë këtë veprimtari vetëm në raportet e ardhshme për KEK’un.

Qëndresë Mulaj, zyrtare për marrëdhënie me publikun e Auditorit,  thotë se për vitin 2010 është kryer një auditim i KEK’ut që kishte për objektiv importin dhe blerjet vendore të energjisë elektrike.

“Pasi që objektiva ishte e përcaktuar ne nuk kemi mbuluar auditimin e të hyrave”, ka thënë Mulaj. “Për këtë vit ne kemi filluar një auditim tjetër në KEK, i cili do të jetë i fokusuar në ‘menaxhimin dhe rregullsinë në procesin e të hyrave’. Ky auditim sapo ka filluar dhe akoma nuk mund te nxjerrim ndonjë konkludim”.

Dëmet nga qitja e hershme jashtë përdorimit të pajisjeve dhe shitja e hekurit i shtohen problemeve të KEK’ut.

Ajo është shndërruar në një pacient kronik për ekonominë e vendit që nuk ia del të ringjallet as me ‘task forcat’ qeveritare, as me subvencione për import energjie dhe as me rreth 200 milionë euro kredi nga shteti.

Në fushën e subvencioneve, prej vitit 2009 e këndej vetëm për rastet sociale shteti ka paguar 14,5 milionë. Po ashtu edhe  4,5 milionë euro parashihen për vitin 2012 euro. Ndërsa subvencione për importin e rrymës prej vitit 2009 janë dhënë 139 milionë euro e për vitin 2012 do të ndahen edhe 13 milionë e 500 mijë euro.

KEK’u vazhdon t’i numërojë edhe humbjet  komerciale, teknike dhe ato në inkasimin e energjisë së shpenzuar. Sipas KEK’ut, 38 për qind e totalit të energjisë vjetore – që është rreth pesë milionë megavatë – janë humbje teknike dhe komerciale. Vitin e kaluar korporata kishte deklaruar 300 milionë euro borxhe të painkasuara, ndërsa sivjet zyrtarët e saj kanë përmendur shumën prej 400 milionësh.