Franca Ndërton Metron e Beogradit

Qeveritë e Serbisë dhe Francës, si dhe qyteti i Beogradit, do të nënshkruajnë një marrëveshje të premten, për ndërtimin e një sistemi metroje për kryeqytetin me trafik të mbingarkuar.

Por që beogradasit të bëjnë një udhëtim në metron e tyre, do t’iu duhet të presin për disa kohë. Do të duhen dhjetë vjet që metroja të jetë operative.

Metroja planifikohet të jetë 36 kilometra e gjatë dhe çdo kilometër do të kushtojë rreth 60 milionë euro për t’u ndërtuar.

Ekspertët parashikojnë një rrjet me tri linja, me 55 stacione, që do t’iu shërbejnë 660 mijë njerëzve në ditë.

“Trenat do të udhëtojë me mesatarisht 28,2 kilometra në orë, kështu që udhëtimi nga stacioni i parë deri te i fundit, do të zgjasë rreth 26 minuta”, tha Dragan Gjilas, kryetar i Beogradit.

Rruga e parë do të fillojë të hapet nga lagjja Zvezdara deri në Zemun dhe duhet të jetë gati pas gjashtë vitesh.

Stacioni “Spomenik Vukov” mes dy lagjeve do të bëhet një qendër e madhe e transportit.

Kryetari i komunës shpjegoi se për sistemin e pagesave për ndërtimin e hekurudhës nëntokësore ende nuk është rënë dakord.

Një mundësi është që të francezëve t’iu jepen 500 milionë € për të financuar vetë ndërtimin.

Një tjetër mundësi është që Serbia të arrijë një marrëveshje me Francën, lidhur me çmimin e trenave e pajisjeve elektrike dhe pastaj të zgjedhin kontraktuesit e vet, duke përdorur një hua prej 150 milionë eurosh.

Beogradi është rritur në një qytet me rreth 2 milionë njerëz, në të cilën ka rreth gjysmë milioni automjete të regjistruara.

Sistemi aktual i transportit publik përfshin tramvaje, trolejbusë dhe autobusë, që pengojnë rrugët, i projektuar kryesisht për të përballuar trafikun relativisht të lehtë.

Me vetëm pesë ura mbi dy lumenjtë kryesorë të qytetit, Danub dhe Sava, trafiku në qytet po bëhet gjithnjë e më i bllokuar, sidomos gjatë orëve të pikut.