Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Zjarrfikësve nuk u doli paga e gushtit ani pse nuk janë në grevë

Zjarrfikësit e Kosovës nuk e kanë marrë pagën e muajit gusht ndonëse nuk janë pjesë e grevave që kanë filluar javën e kaluar në Kosovë.

Pagat e tyre nuk janë ekzekutuar në ditën e parë të muajit siç ndodh zakonisht.

Ketë e ka konfirmuar për KALLXO.com, kryetar i Sindikatës së Zjarrfikësve të Kosovës, Muharrem Beka.

Ai ka thënë se kjo kategori e punonjësve publikë asnjëherë nuk kanë qenë në grevë.

“Nuk janë ekzekutuar pagat. Unë sot kam biseduar me zëvendësministrin e Punëve të Brendshme dhe ai më tha që më informon çfarë po ndodh, jam duke e pritur një përgjigje. Unë nuk po besoj që është për hakmarrje, por ne jemi viktimë e çështjeve me greva tjera” – ka thënë Beka për KALLXO.com.

“Në asnjë rast, zjarrfikësit e Kosovës asnjëherë nuk kanë qenë në grevë dhe çdo herë kanë qenë në nivel të detyrës” – ka shtuar Beka.

Ai për KALLXO.com ka thënë se mos ekzekutimi i pagave i dëmton zjarrfikësit duke marrë parasysh edhe që shumë prej tyre janë në kredi dhe ju nevojiten pagat.

Edhe komandanti i zjarrfikësve në rajonin e Gjilanit, Rabit Murseli e ka konfirmuar për KALLXO.com se për muajin gusht nuk kanë marrë pagë.

Ai ka thënë se nuk e di se për çfarë arsye nuk ju kanë dalë ende rroga punëtorëve të njësisë së Gjilanit.

“E di që nuk i kanë shtua pagat ende për njësinë tonë. Unë vet nuk kam marrë pagë si komandant i njësisë. Në grevë nuk jemi sepse ligji na i ndalon grevat, ne duhet me qenë në funksion të qytetarëve, por pagat s’i kanë shtu, nuk e di pse na kanë shti në një pako neve krejtve” – ka thënë Murseli për KALLXO.com.

“Të punësuarit në Forcën e Sigurisë së Kosovës, Policinë e Kosovës, Shërbimet e Zjarrfikësve, Shërbimet Emergjente Shëndetësore dhe në organet e tjera me interes të veçantë për Republikën e Kosovës, nuk kanë të drejtë në organizimin e grevës, nëse me ligj të veçantë nuk është rregulluar ndryshe” –  thuhet në nenin 3 të Ligjit për Greva.

Edhe zjarrfikës në rajonin e Prizrenit dhe Lipjanit e kanë konfirmuar për KALLXO.com se ende nuk u ka dalë rroga e muajit gusht.

Lidhur me ketë çështje, KALLXO.com ka kërkuar informacione nga Ministria e Financave dhe Ministria e Punëve të Brendshme, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje.

Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se më 31 gusht është bërë ekzekutimi i pjesshëm i pagave të punonjësve publikë, por, sipas tij, jo të gjithë i kanë marrë rrogat.

Sipas ministrit kjo ka ndodhur për shkak të situatës së krijuar me grevat që kanë nisur më 25 gusht, pra për shkak të vonesave në procesimin e listave të atyre që kanë punuar dhe të atyre që nuk kanë punuar.

“Greva e deklaruar në fund të muajit gusht ka krijuar nevojën që të riprocesohen llogaritjet për disa organizata buxhetore. Ne kemi bërë kërkesë nga organizata buxhetore që të përditësojnë listat por vonesa në këtë proces ka pamundësuar gjithë procedimin e pagave ditën e sotme” – tha ministri në një konferencë për media.

Greva e përgjithshme në Kosovë ka filluar nga 25 gushti dhe ishte paralajmëruar më herët nga BSPK të cilët kanë thënë se kjo grevë do të vazhdojë deri sa qeveria të pranojë që të ulet dhe të dialogojë për kërkesat e tyre.

Në një konferencë për media, kryetari Bashkimi i Sindikatave te Pavarura te Kosovës (BSPK), Atdhe Hykolli kishte thënë se kërkesat për të cilat sindikalistët nuk janë ftuar nga Qeveria e Kosovës që të dialogojnë janë:

Rritje page prej 100 euro për të gjithë të punësuarit përderisa të miratohet e zbatohet Ligji për paga;

Plotësim- ndryshimi i ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti,

Ligjit nr.04/L-131, e sidomos ndryshimi I Nenit 8, paragrafit 1 e nënparagrafëve 1.2 dhe 1.3 të tij, që thirret në Ligjin e Sigurisë Pensionale të vitit 1983, e sipas të cilit kërkohet 15 vjet kontribut në skema pensionale para 1 janarit 1999;

Zbatimi sa më parë i ligjit të miratuar dhe të shpallur për sigurimin shëndetësor qysh në 2014-tën.