Zjarri në fshatin Zasellë, Foto: KALLXO.com
Zjarr në fshatin Zasellë të Mitrovicës, flet drejtori i emergjencave (FOTO)
Pasditen e sotme një zjarr që po konsiderohet i përmasave të mëdha ka nisur në njërën nga fshatrat e Mitrovicës, më saktësisht në Zasellë.
Pamjet të cilat i ka siguruar KALLXO.com shfaqin zjarrin ndërsa për ta shuar atë janë dalë ekipet e zjarrfikësve të së njëjtës komunë.
Drejtori i Emergjencave në Komunën e Mitrovicës, Bahtir Maxhuni në një bisedë me KALLXO.com ka dhënë detaje në lidhje me zjarrin deri sa mohoi se janë duke evakuuar familje për shkak të rrezikshmërisë.
Maxhuni tha se kanë kërkuar nga disa komuna që t`u dalin në ndihmë në rast se zjarri merr përmasa më të mëdha.
Kjo kërkesë u bë për shkak të mungesës së mjeteve dhe zjarrfikësve.
“Kemi marrë ndihmë prej pjesëtarëve që kanë qenë në gjendje gatishmërie nëpër shtëpia. Jemi këtu me dy kamiona me pjesëtarë, kemi kërku ndihmë prej ‘112’ si komunë për me na dalë në ndihmë komunat që janë në gjendje gatishmërie, për me na ndihmu, prej Skenderajt apo Vushtrrisë”, tha Maxhuni deri sa shtoi tutje edhe se informacionet për zjarret i kanë marrë përmes informacioneve nga qytetarët.
Tutje Maxhuni shtoi edhe se kanë kërkuar që të kontaktohet KFOR dhe FSK.
“Kemi kërku që Agjencinë i Menaxhimit të Emergjencave (AME), që të kontaktojë me FSK-në dhe KFOR-in që me qenë në gjendje gatishmërie në momentin që kemi nevojë, duke u bazu që kushtet makineria, në mungesë të stafit të zjarrfikësve, jemi duke bo maksimumin. Policia është në vendin e ngjarjes, FSK-ja e ka pru një oficer me këqyr qysh është gjendja. Jemi këtu në vend të ngjarjes me nënkryetarin e komunës”, shtoi tutje Maxhuni.
Në lidhje me evakuimin e familjeve apo qytetarëve të fshatit Zasellë, drejtori Maxhuni tha se nuk ka pasur nevojë.
“Këtu në Zasellë një familje afër pyllit kish deshtë me u evaku, por erdhëm dhe e pamë që nuk është nevoja, këtu jemi në vend të tyre, nuk është nevoja për arsye se gjendja e vlerësuar që nuk ka nevojë, sepse nuk paraqet rrezik”, ka thënë drejtori Maxhuni.