Debati i Munguar

Ndër paradokset e shumta të shoqërisë shqiptare është se ndonëse asnjëherë nuk ka pasur më shumë debat në shoqëri, debati mbetet i mangët e shpeshherë edhe i deformuar. Debati në shoqëri, qoftë në institucionet si Kuvendi, qoftë në media apo madje edhe në kafene, ka rol thelbësor jo vetëm për ndryshime dhe zhvillim të shoqërisë por edhe për evitim të dhunës e jo-tolerancës. Debati në shoqëri duhet të prekë çdo temë me të cilën përballet shoqëria, pa pasur tabu, e kështu evoluon jo vetëm mendimi por edhe sjellja e pjesëtarëve të shoqërisë.

Shoqëria shqiptare, në Kosovë por edhe në Shqipëri e Maqedoni e tutje, ka parë një zhvillim të debatit të përgjithshëm. TV-të kanë programacion të mbushur me debate, për çdo natë, zakonisht me tema të vlefshme dhe tërheqëse për audiencën. Njësoj edhe gazetat ofrojnë hapësirë të madhe për opinione për ndonjë dukuri a fenomen. Interneti ka sjellë një hapësirë të pakufishme për debat. Portale e forume të ndryshme janë bërë hapësirë për shkëmbim mendimesh për të gjithë.

Por, debati po çalon aty ku nevojitet më së shumti, në Kuvend dhe brenda klasës politike. Më saktësisht, nuk është se nuk ka debat, ka mjaft, por nuk është debat që merret me problemet dhe me idetë për zgjidhjen e problemeve. Përkundrazi Debati brenda klasës politike mbetet i dominuar nga fyerjet dhe sulmet kundër personalitetit, pa argumente dhe pa kritikë të ideve apo projekteve që cilido aktor i përfaqëson dhe promovon.

Politikanët, në përballje me kolegët e tyre, shpeshherë përdorin fjalor ofendues dhe denigrues për personalitetin e rivalit e kolegut të tyre. Mund të supozohet se me këtë besojnë se do të zbehin autoritetin e kundërshtarit politik në sytë e qytetarëve dhe votuesve të ardhshëm potencialë. Te votuesit e atij që ofendon e fyen ky fjalor mund t’i shërbejë mobilizimit më të madh prapa “të fortit” ndërsa përkrahësit e të ofenduarit do t’i mobilizojë të përkrahin të preferuarin e tyre edhe më shumë. Lufta, si zakonisht, bëhet për ata në mes, që në zgjedhje mund të çojnë kandar dhe të përcaktojnë fituesin. Në këtë luftë fjalësh shpesh përfshihen edhe pamfletet e partive që botohen nën siglën e “gazetës së pavarur” e gjithnjë më shpesh edhe mediat më të mëdha elektronike.

Në Kosovë në debat është i përfshirë edhe një faktor tjetër, joformal në shikim të parë por në të vërtetë shumë i fuqishëm. Shërbime inteligjente të partive politike, që kanë funksionuar jashtë çfarëdo mbikëqyrjeje civile, çfarë kërkohet në demokracitë çfarë synon të bëhet edhe shoqëria shqiptare, kanë ushqyer debatin me të dhëna që nuk mund të verifikohen por që aludojnë e sugjerojnë fajësi që duhet të dënohet. Kjo fut frikën te të gjithë ata që kërkojnë të shohin një shoqëri të lirë, në të cilën sundon ligji dhe drejtësia, si dhe rrezikon të ngufasë debatin, lirinë e të shprehurit dhe lirinë e të menduarit. Për shoqërinë kosovare ky është një shqetësim i madh. Askush nuk duhet të ketë të drejtë të vëzhgojë qytetarin dhe të mbledhë informata për qytetarin – së paku jo pa lejen e organeve kompetente gjyqësore – dhe të hyjë deri në detajet më intime të qytetarëve dhe pastaj këto t’i bëjë publike. Edhe më e papranueshme bëhet kjo kur dëshiron të shfrytëzohet për të kërkuar dënimin e dikujt. Nëse kjo ndodhë, atëherë organet e rendit e të drejtësisë por edhe vet Kuvendi i Kosovës duhet të merren me këtë çështje dhe t’i dalin në mbrojtje qytetarit.

Klasa politike duhet të ndryshojë gjuhën që përdor si dhe tërë qasjen ndaj garës politike me kolegët nga grupet e tjera. Kritikat dhe vlerësimet duhet të drejtohen kah idetë dhe projektet që promovojnë rivalët politikë. Kjo pastaj duhet të pasohet me prezantimin e alternativave që rekomandohen nga kritikuesit. Deri tani, të gjithë pjesëtarët e klasës politike në Kosovë, nga të gjitha subjektet politike, janë përqendruar në sulme personale, kundër personit, kundër familjes të tij, nganjëherë edhe kundër fatkeqësisë së tij. Kjo praktikë duhet të zëvendësohet me atë të vlerësimit të ideve dhe me prezantimin e projekteve dhe vizioneve alternative që janë në shërbim të përmirësimit të jetës së qytetarëve. Një debat i tillë do të sjellë një atmosferë krejt tjetër politike, pa tensione por me ballafaqime idesh e projektesh nga të cilat më së shumti do të përfitojë shoqëria. Thënë shkurt, deri sa jeta private vazhdon të ngatërrohet me atë publike, shpifjet të ngatërrohen me fakte, dëshirat me ide e vizione, shoqëria jonë nuk do të mund të bëje hap para. Praktika e deritashme vetëm se po i kontribuon shtimit të armiqësive, tensioneve dhe urrejtjes. Kjo shpie në dhunë e në degradim. Aty ku nuk zë fill debati i vërtetë aty nuk mund të ketë zhvillim të shoqërisë.