Çka Ndalon Turqia, Lejon Kosova

Dr. Yusuf Somnez gjatë vitit 2008 hynte e dilte shpesh nga Kosova. Policisë i kishte lënë përshtypje dukja e tij dhe fakti se për të gjitha hyrjet ai kishte garanci nga Arban Dervishi, djali i pronarit të klinikës Medicus dr. Lutfi Dervishit.

Faik Behrami, polic me gradën e togerit në pozitën e hetuesit të inteligjencës në policinë kufitare, para kolegjit në Gjykatën e Qarkut dëshmoi të mërkurën se ai kishte marrë informata se dr. Yusuf Somnez kishte hyrje-dalje të shpeshta nga Kosova. 
 
“Sipas ligjit dhe rregullave në Kosovë, që një i huaj të futet në vend duhet të ketë garantues”, tha Behrami. Fleta e garantimit i përmban të dhënat e garantuesit dhe të garantuarit dhe duhet të jetë e vërtetuar në gjykatë. Garantuesi garantonte se i huaji do t’i respektojë ligjet e Kosovës.

Behrami dëshmoi se garantues për hyrjen e dr. Yusuf Somnez në Kosovë ishte gjithmonë Arban Dervishi, djali i pronarit të Klinikës Medicus.
     
Behrami tregoi se Yusuf Somnez e kishte të ndaluar në Turqi veprimtarinë si mjek pasi që ishte i dënuar për transplantim organesh.

Bekim Shasivari ishte komandant i policisë në Aeroportin e Prishtinës në kohën e Medicusit, pra në vitin 2008. Për momentin ai mban gradën e majorit në Policinë e Kosovës.

Shasivari tregoi në gjykim se informatat e para për hyrje-daljet e shpeshta të një mjeku turk i kishte marrë nga një zyrtar policor (oficer hetuesie) me datën 20 gusht 2008. Ndërsa oficerëve të policisë iu kishte lënë përshtypje dukja e dr. Yusuf Somnezit, koka tullace, syzet e tij si dhe mjekra që mbante.

Pas hulumtimeve preliminare nga hetuesia kishte kuptuar se gazeta turke Today Zaman kishte shkruar për dënimin dr. Yusuf Somnez, i cili në atë kohë vinte shpesh në Kosovë.

Nga gazeta Today Zaman, policia kishte kuptuar se mjeku e kishte të ndaluar ushtrimin e veprimtarisë së tij si mjek pasi që i njëjti ishte marrë me transplantim organesh. 

Shasivari tregoi se oficeri policor që i kishte raportuar për ngjarjen pas hetimeve e kishte parë edhe një kartë vizitë (kartë biznesi) me emrin e dr. Yusuf Somnez dhe numrin vendor të telefonit si dhe mbishkrimin e klinikës Medicus.

Shasivari tregoi se policia kishte marrë informata edhe nga kompania turke e fluturimeve Turkish Airlines për lëvizjet e shpeshta të dr.Yusuf Somnez.
 
Për ndalimin e ushtrimit të veprimtarisë për dr.Yusuf Somnez, dëshmoi edhe koloneli Shaban Guda, i cili me vete kishte disa shkresa në të cilat ishin datat kur polica kufitare kishte marrë veprime dhe kishte lajmëruar njësinë e Krimit të Organizuar.      
     
Dëshmitari që ishte paraparë të dëgjohet sot, e i cili nuk u paraqit në seancë ishte Agim Krasniqi, me të cilin komunikuan zyrtarët e EULEX’it dhe i njëjti tha se do të paraqitet në seancën e radhës.

Gjatë kësaj seance, kolegji njoftoi palët se ka testuar linjën ISDN, për të dëmtuarit që do të merren në pyetje në këtë çështje, të cilët janë shtetas të huaj dhe nuk kanë mundësi që të paraqiten për shqyrtim gjyqësor.

Në seancën e radhës do të merren në pyetje dëshmitarët e tjerë të propozuar nga prokuroria.

Në këtë çështje të pandehurit janë Lutfi Dervishi, me profesion mjek dhe profesor i urologjisë, Arban Dervishi ekonomist i diplomuar, Driton Jilta mjek nga komuniteti turk në Kosovë, e po i njëjti ka qenë edhe punëtor shëndetësor i OSBE’së në Kosovë, Ilir Recaj mjek, njëkohësisht edhe Sekretar Permanent në Ministrin e Shëndetësisë në kohën e Alush Gashit, Sokol Hajdini mjek anesteziolog, Islam Bytyqi mjek dhe Sylejman Dula mjek.

Të gjithë këta akuzohen për ‘Krim të organizuar, Trafikim me njerëz, Ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe Shpërdorimi i detyrës zyrtare ose i autorizimit të gjitha në bashkëkryerje’.
     
Aktakuza si dy persona kryesorë për kryerje e këtyre krimeve përmend Yousuf Sonmez dhe Moshe Harel, i pari turk e i dyti një izraelit i lindur në Turqi. Për të dytë ka një urdhër arresti në Interpol.