Oliver Varhelyi; Foto: Bashkimi Evropian

BE propozon një metodë të re për zgjerim

Bashkimi Evropian e ka paraqitur një propozim apo një metodologji të re të zgjerimit e cila është miratuar dje, ditën e mërkurë, në Komisionin Evropian duke e ruajtur edhe më tutje qëllimin e saj, pra zgjerimin e mëtejshëm të këtij institucioni me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Këtë e ka konfirmuar edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duke deklaruar se propozimi i ri është një mesazh i mirë për vendet e Ballkanit Perëndimor për procesin e zgjerimit të BE duke propozuar një plan të besueshëm dhe dinamik, duke i hapur rrugën hapjes së bisedimeve të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Sipas saj, zgjerimi i BE-së është një situatë WIN-WIN.

Ndërkohë të njëjtën gjë e ka thënë edhe Komisioneri për Zgjerim, Oliver Varheley i cili edhe e ka bërë prezantimin e dokumentit të ri.

“I gjithë procesi duhet të jetë më i besueshëm, më i parashikueshëm, më dinamik dhe më politik”, deklaroi Komisioneri Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim Olivér Várhelyi ndërsa prezantoi propozimin e Komisionit.

Ai shpjegoi se qëllimi i propozimit është të rivendoset një perspektivë e besueshme e BE-së për Ballkanin Perëndimor.

Pikat kryesore të këtij dokumenti përfshijnë grupëzimin (clustering) e kapitujve të negociatave në fushat tematike, mundësinë e shpërblimit të reformave me më shumë fonde dhe faza të kandidatëve për politikat individuale, por edhe sanksionimin e mungesës së përparimit duke i mbajtur negociatat në fusha të caktuara, ose në rastet më serioze, pezullimi i përgjithshëm i tyre.

Mes tjerash, dokumenti në fjalë propozon një fokus edhe më të fortë në parimet fundamentale, me një kurs të qartë për sundimin e ligjit dhe institucionet demokratike. BE duhet të ofrojë përkushtimin e saj të palëkundur për një proces i cili është i bazuar në meritokraci dhe se natyra politike e procesit duhet të vihet përpara dhe të përqendrohet me mekanizma të tillë si samite e rregullta ndërmjet BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor pastaj me konferenca ndërqeveritare që janë specifike për vendin që synon anëtarësimin  si dhe më shumë përqendrim në çështjet politike.

Tutje, dokumenti i ri ofron më shumë mundësi vendeve anëtare të BE-së për të monitoruar përparimin. Ka kontribute financiare të BE-së që mund të shkojnë lart e poshtë varësisht performancës dhe 35 kapitujt e negociatave do të hapen dhe mbyllen në grupe prej gjashtë sosh dhe jo veç e veç siç është rasti tani. Me grupe, njëri kapitull nuk do të mbyllet derisa të mos mbyllen të gjithë kapitujt.

Një nga propozimet e dukshme është që angazhimi politik dhe publik i autoriteteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor që ka të bëjë me qëllimin strategjik të pranimit në BE do të vlerësohet më qartazi përmes raporteve vjetore dhe se fokus kryesor i këtyre vendeve duhet të jetë fusha e sundimit të ligjit. Lufta kundër korrupsionit, funksionimi i ekonomisë së tregut, sigurimi i funksionimit të duhur të institucioneve demokratike dhe administratës publike si dhe përafrimi me politikën e jashtme të BE-së.

Gjithashtu, kërkohet të bëhen përpjekje të mëtutjeshme për të forcuar bashkëpunimin rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, në mënyrë që të arrihet stabiliteti dhe prosperiteti për të gjithë qytetarët.

Ndryshimet e propozuara nuk përfshijnë automatikisht vendet që kanë filluar proceset e tyre të pranimit, në këtë rast Serbia dhe Mali i Zi. Sidoqoftë, ata mund të vendosen brenda kornizave ekzistuese me marrëveshjen e këtyre dy vendeve.

Reforma e metodologjisë së zgjerimit është një përpjekje e vazhdueshme e nisur vjeshtën e kaluar me dështimin e Këshillit Evropian për të hapur negociatat e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë si motivi i menjëhershëm.

Sipas këtij propozimi, krejt procesi i zgjerimit në të ardhmen do të bazohet në meritokraci.

Në momentin kur këto vende do t`i përmbushin kriteret e përcaktuara atëherë vendet anëtare do të propozojnë kalimin në fazën e radhës. Të gjitha palët do të duhej të përmbaheshin nga keqpërdorimi i çështjeve të pazgjidhura para hyrjes në BE. Po ashtu, vendet anëtare  si dhe institucionet e BE-së do të duhej ta kenë një zë të përbashkët në regjion duke dërguar sinjale të mbështetjes dhe inkurajimit, thuhet tutje në këtë propozim.

Metodologjia e re thotë se të gjitha përpjekjet duhet të bëhen drejt zgjidhjes së marrëveshjeve bilaterale që mund t`i kenë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe fokusi këtu drejtohet tek dialogu Beograd-Prishtinë ku sipas këtij propozim-dokumentit ky dialog  duhet të përfundohet me një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme për normalizimin duke kërkuar njëkohësisht angazhim më të madh nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor por edhe nga vetë vendet anëtare të BE-së.

Metodologjia e re e BE-së për zgjerim parasheh edhe një lloj shpërblimi për vendet kandidate në atë mënyrë që nëse këto vende i përmbushin reformat me prioritet  atëherë kjo do të rezultonte me një afrim më të shpejtë të integrimit të vendeve në BE. Njëkohësisht, shpërblimi përfshin edhe një rritje të fondeve financiare si dhe investime më të mëdha  në vendet e Ballkanit Perëndimor. Me një fjalë, të gjitha arritjet dhe rezultatet e mira që mund të bëhen nga vendet kandidate dhe aspirante, do të duhej të shpërbleheshin.

Mirëpo, krahas shpërblimit, metodologjia e re parasheh edhe sanksione për ato vende në të cilat vërehet stagnim apo edhe vonesa në zbatimin e reformave dhe përmbushjen e kërkesave të procesit të pranimit.

Vendimet për të pezulluar ose madje edhe për ta rikthyer procesin krejt në fillim duhet t’i bëhen të ditura Komisionit Evropian në paketën vjetore të zgjerimit dhe se në raste më serioze Komisioni mund, në çdo kohë, në mënyrë të pavarur ose me kërkesën e Vendeve Anëtare, të përgjigjet në ndonjë situate të veçantë, mundësisht duke e bërë lehtësimin e procedurave të anëtarësimit.