BE-ja Dyshon në Nismën e Qeverisë Mustafa për Investimet

Projektligji për Investime Strategjike i Republikës së Kosovës akoma pa u miratuar në Kuvendin e Kosovës ka ngjallur mjaft kritika për nga përmbajtja e tij.

Përveç kritikave opozitare, edhe zyra e BE-së në Kosovë ka shprehur dyshimet e saj që ky projektligj mund të jetë në kundërthënie me legjislacionin e Bashkimit Evropian.

“Zyra e BE-së nuk e ka marrë ende Draft-Ligjin për Investimet Strategjike. Koncept dokumenti i hartuar së fundi tregon se potencialisht mund të jetë në kundërthënie me legjislacionin e Bashkimit Evropian- por kjo mund të vlerësohet atëherë kur ta marrim draft-ligjin. Në atë fazë, Komisioni do ta vlerësojë pajtueshmërinë e draft-ligjit me legjislacionin e BE-së,” thuhet në përgjigjet e Zyrës së BE-së në Kosovë.

Gazeta Jeta në Kosovë në artikullin “Ligji i Rrezikshëm i Qeverisë Mustafa”, publikuar javën e kaluar, tregoi për përmbajtjen e Projektligjit për Investime Strategjike që bie ndesh me kërkesat e Bashkimit Evropian.

Por për dallim nga BE-ja, përfaqësuesit e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, si sponsorizuese, këtë ligj e kanë vlerësuar pozitiv për tërheqjen e investimeve strategjike vendase dhe të huaja.

Pavarësisht dyshimeve të Zyrës së BE-së në Kosovë për këtë ligj, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka thënë se ligje të tilla kanë nxjerrë edhe dy shtete të cilat janë anëtare të Bashkimit Evropian.

“Qëllimi jonë është që të kemi një ligj i cili do të jetë i përafruar sa më shumë me legjislacionin e BE-së, njëjtë sikur kanë vepruar edhe Kroacia dhe Bullgaria. Për më tepër një ligj të ngjashëm ka nxjerrë edhe Republika e Shqipërisë,” thuhet në përgjigjen e MTI-së.

Kjo ministri ka bërë të ditur se ky projektligj është në fazën fillestare të draftimit.

“ Ne ende jemi duke i shqyrtuar dhe konsultuar parimet dhe konceptet që duhet t’i përmbajë ky ligj. Në këtë fazë të draftimit, nuk mund të japim ndonjë përgjigje definitive, për shkak se projektligji do të jetë subjekt i ndryshimeve,” thuhet në përgjigjen e MTI-së.

Gazeta Jeta në Kosovë kishte shkruar se si Ligji për Investime Strategjike të Kosovës eviton konkurrencën në shfrytëzimin e aseteve publike si dhe shpronëson dhunshëm pronën private të qytetarëve në interes të biznesmenëve.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë  në përgjigjen e saj thotë se ideja është që shpronësimi të mund të përdoret vetëm për projektet e mëdha në të cilat do të investohet shumë e konsiderueshme e kapitalit dhe në hapjen e vendeve të reja të punës.

“Një praktikë e tillë është zbatuar edhe në projektin e Brezovicës i cili është në implementim e sipër.

Mirëpo, pasi ligji nuk është përfundimtar, nuk mund të thuhet se institucioni i shpronësimit të pronës private do të jetë pjesë e këtij ligji,” thuhet në përgjigjet e MTI-së.

Sponsorizuesja e këtij ligji, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka vlerësuar se institucionet e Kosovës aktualisht kanë vështirësi të shumta për të nxitur dhe tërhequr investimet strategjike vendase dhe të huaja.

Madje ky institucion ka thënë se ky ligj pasi që të hyjë në fuqi do të eliminojë pengesat për tërheqjen e investimeve të huaja.

“Do t’i japë të drejtë Kuvendit të Kosovës që ta autorizojë Qeverinë e Kosovës që të bartë të drejtën e shfrytëzimit të pronës shoqërore dhe publike tek investitorët e huaj, pa pasur nevojë për hapjen e procedurave tenderuese, por me kusht që të plotësohen kriteret të cilat janë të parapara me këtë draft-ligj,” thuhet në përgjigjen e MTI-së.