Vendimet gjyqësore për Srebrenicën: A kanë kuptim?

Para 23-vjetorit të masakrave të Srebrenicës, janë ngritur pikëpyetje mbi faktin nëse vendimet e dhëna deri më tani janë logjike, sepse disa komandantë janë dënuar për krime më pak të rënda sesa vartësit e tyre.

Ish-komandanti i Brigadës së Zvornikut i Ushtrisë Serbe të Bosnjës, Vinko Pandureviq, dhe ish-komandanti i njësive të policisë serbe të Bosnjës, Lubomir Borovçanin, u dënuan për krime kundër njerëzimit për rolin e tyre në masakrat e Srebrenicës, përvjetori i të cilit do të përkujtohet më 11 korrik.

Por ekspertët ligjorë kanë sugjeruar se vendimet ishin të palogjikshme, sepse gjykata e OKB-së në Hagë dhe gjykata shtetërore e Bosnjës në Sarajevë kanë dhënë disa vendime në të cilat eprorët e Pandureviqit dhe Borovçanin, si dhe vartësit e tyre, janë dënuar për gjenocid në vend të krimeve kundër njerëzimit.

Fakti se procesi ligjor i gjenocidit dhe krimeve të tjera të kryera kundër boshnjakëve nga Srebrenica në korrik të vitit 1995 është ndarë midis një numri prokurorësh të ndryshëm në Hagë, Sarajevë dhe Beograd ka çuar në një varg qasjesh dhe akuzash të ndryshme.

“Kjo shkaktohet nga fakti se prokuroritë e ndryshme iu qasën rasteve individualisht dhe nuk ishte e mundur të punonin në mënyrë sistematike,” tha ish-gjyqtari boshnjak Vlado Adamoviq.

“Prandaj, rastet kundër Pandureviqit dhe Borovçanin nuk kanë rezultuar me vendime për gjenocid, ndërsa njerëz të tjerë në rang shumë më të ulët janë dënuar për gjenocid,” shtoi Adamoviq.

Varret e masakrës së Srebrenicës. Foto: Wikimedia/Michael Büker

Sidoqoftë, historianë dhe ish-punonjës të prokurorëve në Hagë dhe Sarajevë theksojnë se gjenocidi dhe krimet e tjera në Srebrenicë janë hetuar dhe procesuar në një cilësi të lartë, dhe si rezultat, është përcaktuar një rekord i qartë historik.

Iva Vukusiq, një profesoreshë në Universitetin e Utrehtit në Holandë, tha se klasifikimet e krimeve që janë kryer variojnë sepse janë përpunuar në shumë raste të ndryshme që përfshijnë gjyqtarë, prokurorë dhe avokatë nga sisteme të ndryshme ligjore.

“Ligji nuk është i thjeshtë dhe madje me qëllim të mirë. Gjyqtarë kompetentë mund të arrijnë në përfundime të ndryshme pasi kanë parë dhe dëgjuar të njëjtat prova,” tha Vukusiq.

Gjykata e Hagës, gjykata shtetërore e Bosnjës në Sarajevë dhe Gjykata e Lartë në Beograd deri tani kanë dënuar gjithsej 39 persona me 616 vite burg, plus tre dënime me burgim të përjetshëm, për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime të tjera që lidhen me masakrat.

Vendimet e dhëna nga Gjykata e Hagës dhe gjykata shtetërore e Bosnjës kanë përcaktuar se në ditët që pasuan sulmin ndaj Srebrenicës nga ushtria dhe policia serbe e Bosnjës më 11 korrik 1995, u krye gjenocid, duke rezultuar në vdekjen e më shumë se 7,000 burrave dhe djemve boshnjakë dhe deportimi i mbi 40,000 grave, fëmijëve dhe të moshuarve.

Megjithatë, Serbia nuk e pranon se masakrat përbënin gjenocid, kështu që Gjykata e Lartë në Beograd i ka gjykuar të pandehurit e Srebrenicës për akuza të tjera.

Mendimet e gjyqtarëve evoluojnë me kalimin e kohës

Vendimi i parë që vendosi se ishte kryer gjenocid u dha në Hagë në vitin 2001. Pas një apeli, ish-zv/komandanti i Korpusit Drina të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, Radislav Krstiq, u dënua së fundmi me 35 vjet burg për ndihmë dhe inkurajim të kryerjes së gjenocidit.

Avokati veteran i Bosnjës Miodrag Stojanoviq thekson se, që nga vendimi për Krstiqin, opinionet e gjyqtarëve kanë evoluar në lidhje me krimet në Srebrenicë.

Si shembull, Stojanoviq tha se Dragan Jokiq, kreu i Korpusit të Inxhinierëve të Brigadës së Zvornikut të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, u përmend në vendimin për Krstiqin si një anëtar i një sipërmarrjeje të përbashkët kriminale.

Tre vjet më vonë, Gjykata e Hagës e dënoi Jokiqin me dhjetë vjet burg për krime kundër njerëzimit, por vendimi në gjyqin e tij tregoi se ai nuk ishte anëtar i sipërmarrjes së përbashkët kriminale.

Stojanoviq tha se ai mendon se ka një koherencë të përgjithshme në vendimet e Gjykatës së Hagës, por se vendimet e gjykatës shtetërore të Bosnjës janë më pak koherente në aspektin logjik.

“Pse? Epo, ndodh që disa pjesëmarrës janë përmendur në disa vendime të gjykatës shtetërore, por më vonë janë liruar nga akuzat, prandaj kam përshtypjen se kërkohet koordinim më i madh i ekipeve prokuroriale në rastet që kanë lidhje me Srebrenicën dhe se ata duhet, sidomos, të marrin parasysh vendimet që janë dhënë më parë,” shpjegoi ai.

Srebrenica. Foto: Julia Dowling/The Advocacy Project/Flickr.

Ndërkohë, ekspertët ligjorë argumentuan që është e palogjikshme që vendimet e shkallës së dytë në gjyqet e Pandureviqit dhe Borovçanin të vërtetonin se ata nuk kishin “një qëllim specifik për të shkatërruar boshnjakët në zonën e Srebrenicës”, ndërsa anëtarët e disa njësive serbe të Bosnjës, të cilëve iu dhanë urdhra në terren, kishin një qëllim të tillë dhe u dënuan për gjenocid.

“Vendimet kundër Pandureviqit dhe Borovçanin për krime kundër njerëzimit dhe vartësve të tyre për gjenocid tregojnë se ngjarjet e përgjithshme dhe të gjithë pjesëmarrësit nuk u trajtuan në mënyrë të unifikuar,” tha Adamoviç.

“Nëse ata do të ishin konsideruar kumulativisht, do të kishte qenë ndryshe, por nuk ndodhi, kështu që kanë ndodhur këto gjëra të palogjikshme,” shtoi ai.

Avokati nga Beogradi Aleksandar Lazareviq, i cili përfaqëson të pandehurit në gjykatën shtetërore të Bosnjës, tha se ai mendonte se ishte “absurdë nga pikëpamja ligjore që një komandant të mos kishte qëllime gjenocidale dhe vartësit e tij po”.

“Qëllimi gjenocidial nënkupton vetëdijen e një plani, por nëse një komandant nuk është në dijeni për atë plan, si mund të jenë në dijeni vartësit e tij në terren?” pyeti Lazareviq.

Si shembull, Stojanoviq përmendi një rast në të cilin Mendeljev Gjuriq, komandanti i Togës së Parë të njësive të policisë speciale serbe të Bosnjës të Qendrës Stërvitore Jahorina, u dënua me 20 vjet burg për gjenocid, ndërsa eprori i tij Borovçanin nuk u dënuan.

Vukusiq shpjegoi se secili rast trajtohet me meritat e veta dhe gjyqtarët shpesh nuk pajtohen, edhe pse ato përdorin të njëjtat standarde ligjore dhe analizojnë të njëjtat prova.

“Çdo gjyq është unik, prokurorët akuzojnë dhe gjyqtarët japin vendime në bazë të provave në atë gjyq specifik. Nuk është e lehtë të përcaktohet synimi gjenocidal. Ne nuk duhet absolutisht të kërkojmë qëllim dashakeq apo mungesë logjike apo kompetencenë të gjithë këtë,” shpjegoi Vukusiq.

Historiani Christian Axboe Nielsen tha gjithashtu se çdo rast duhet të merret në konsideratë individualisht.

“Gjykatat ndërkombëtare dhe ato vendase veprojnë bazuar në parimin e përgjegjësisë penale individuale,” tha Nielsen.

“Sigurisht që është e mundur që ushtarë, policë ose komandantë individualë të kenë synime gjenocidale, ndërsa pjesëmarrësit e tjerë në të njëjtin operacion nuk e kanë një qëllim të tillë. Është e mundur, si logjikisht ashtu edhe ligjërisht. Kam parë shembuj të qartë të rasteve të tilla në provat e shqyrtuara në Hagë,” shtoi ai.

E vërteta është gjëja më e rëndësishme

Sot në Srebrenicë. Foto: Anadolu

Nielsen argumentoi se dënimet për krime kundër njerëzimit nuk janë shfajësime dhe nuk janë më pak të rëndësishme sesa vendimet për gjenocid.

“Gjykimet e dënimit për krime kundër njerëzimit i referohen një prej krimeve më të rënda në tokë. Është gabim të mendosh se duhet të jepen vetëm vendime për gjenocid,” tha ai.

Sipas mendimit të Adamoviqit, klasifikimi i krimeve – duke specifikuar nëse dikush është dënuar për gjenocid apo krime kundër njerëzimit – është i rëndësishëm për profesionistët ligjorë ose historianët, por jo aq për viktimat e këtyre krimeve, të cilët dëshirojnë që autorët të dënohen.

“Mendoj se viktimës mesatare nuk i intereson se si e etiketojnë gjyqtarët krimin, por vetëm që personat përgjegjës të dënohen. Në fund, kjo është drejtësia,” tha ai.

Lazareviq tha se pavarësisht nga mungesës së logjikës ligjore, vendimet për krimet e Srebrenicës kanë vërtetuar atë që ndodhi në korrik të vitit 1995.

“Sa i përket fakteve, rreth 95 për qind e fakteve me siguri janë zgjidhur. Pyetja përfundimtare mbetet – ‘Kush urdhëroi vrasjen e të kapurve? – ndërsa klasifikimi i atij krimi është një problem dytësor,” tha Lazareviq.

Ratko Mlladiq me Izudin Aliq në Srebrenicë në korrik 1995.

Sipas Vukusiqit, nga të gjithë krimet e kryera gjatë luftërave në ish-Jugosllavi, Srebrenica është hetuar më së miri dhe ekziston “një pasqyrë e qartë e asaj që po ndodhte atje”.

Si rezultat, pa dyshim do të jetë e mundur të thuhet në të ardhme se vendimet e ndryshme kanë përcaktuar atë që ndodhi atje gjatë mizorisë më të keqe të kryer në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore, shtoi ajo.

“Ekziston një pasqyrë e qartë e asaj që ndodhi, duke filluar nga sulmi në enklavë deri në ditën kur ekzekutimet përfunduan, Ushtria Serbe e Bosnjës në veçanti, si edhe disa institucione dhe individë të tjerë, vepruan në mënyrë sistematike me qëllim shkatërrimin e popullsisë boshnjake në atë zonë,” shpjegoi Vukusiq.

“Për këtë qëllim, burra u vranë, gra dhe fëmijë u deportuan, xhamia u hodh në erë, trupat u varrosën dhe u rivarrosën dy muaj më vonë për të fshehur provat e krimit. Disa nga të dënuarit kryen gjenocid, disa krime kundër njerëzimit, por ne kemi një ide shumë të mirë të asaj që ndodhi dhe të mënyrës se si ndodhi,” tha ajo.