Pamje nga debati publik i organizuar nga BIRN me temën “Qasja e Publikut dhe Studentëve në Arkivat e Gjykatave për Nevoja Studentore” - Foto: KALLXO.com

Sfida e Mediave në Transmetimin Direkt të Procesve Gjyqësore në Kosovë

Një numër i madh i proceseve gjyqësore të zhvilluara gjatë vitit 2017 në Kosovë kanë zgjuar një debat të gjerë, jo vetëm në lidhje me përmbajtjen e procesit por edhe me transmetimin e drejtpërdrejtë të këtyre proceseve.

Hiq më larg se muajin dhjetor të vitit 2017, në procesin gjyqësor ndaj deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me hedhjen e gazit në Kuvend, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Beqir Kalludra nuk ka lejuar që mediat të futen në sallën e gjykimit, me arsyetimin se ato në seancën e kaluar kishin transmetuar direkt shqyrtimin pa lejen e trupit gjykues.

Rregullativa ligjore në Kosovë, në parim, parasheh që të gjitha proceset gjyqësore janë të hapura, me përjashtim të disa rasteve për të cilat publiciteti është i ndaluar më ligj.

Megjithatë, nuk rregullohet në mënyrë specifike liria e mediave për të raportuar drejtpërdrejtë nga seancat gjyqësore, dhe mbetet në diskrecionin e gjyqtarit të vetëm, apo trupit gjykues të vendos nëse lejohet apo ndalohet transmetimi i drejtpërdrejtë.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës parasheh, në kapitullin e të drejtave themelore, se “gjykimi është publik, me përjashtim të rasteve kur gjykata, në rrethana të veçanta, konsideron se, në të mirë të drejtësisë, është i domosdoshëm përjashtimi i publikut, ose i përfaqësuesve të mediave, sepse prania e tyre do të përbënte rrezik për rendin publik ose sigurinë kombëtare, interesat e të miturve, ose për mbrojtjen e jetës private të palëve në proces, në mënyrën e përcaktuar me ligj”.

Mbi të njëjtën frymë edhe Kodi i Procedurën Penale në Kosovë (KPPK) parasheh që shqyrtimi gjyqësor është i hapur. Ndërsa, shqyrtimi mund të mbyllet për publikun me aktvendim të gjyqtarit apo trupit gjykues në rastet kur rrezikohet fshehtësia zyrtare, për arsye të mbrojtjes së interesave të fëmijëve, mbrojtjes së të dëmtuarve, dëshmitarëve, etj.

Për më tepër, neni 301, paragrafi 3 i KPPK-së parasheh që “fotografimi, filmimi, regjistrimi televiziv dhe regjistrime të tjera përpos regjistrimit zyrtar të shqyrtimit gjyqësor lejohen”. Por edhe këto mund të ndalohen me aktvendim nga trupi gjykues apo gjyqtari i vetëm.

Megjithatë, as kjo rregull nuk qartëson nëse mediat lejohen të transmetojnë direkt prej shqyrtimit gjyqësor, duke lënë kështu plotësisht në diskrecionin e gjykatës për të vendosur mbi një gjë të tillë.

Publiciteti i procesit gjyqësor, e mbrojtur edhe me Kushtetutë, paraqet një të drejtë themelore të të akuzuarve për një proces të hapur, por është edhe një e drejtë e pandashme e publikut për t’u informuar lidhur me proceset gjyqësore.

Avancimi i teknologjisë ka bërë që mediat të jenë të gatshme të informojnë publikun drejtpërdrejtë nga seancat gjyqësore, duke rritur kështu transparencën e gjykatave. Por, transmetimi i drejtpërdrejtë përmban edhe rreziqet e veta. Në disa raste, gjatë procesit gjyqësor mund të përmenden emra të dëshmitarëve të mbrojtur, apo edhe dëshmi të cilat, nëse bëhen publike mund të dëmtojnë procesin gjyqësorë. Është gjithashtu e rëndësishme të mbrohet edhe prezumimi i pafajësisë së të akuzuarve.

Andaj është e rëndësishme që ky lloj i transmetimit të seancave gjyqësore të rregullohej në mënyrë specifike me akte normative, në mënyrë që të balancohej drejtë, e drejta e publikut për t’u informuar dhe mbarëvajtja e drejtë dhe e rregullt e procesit gjyqësor.

Mënyra më e mirë e rregullimit të transmetimit direkt të seancave do të ishte nëse gjykatat do të ndërtonin një sistem të vetin të transmetimit, të cilin mund t’a kontrollon në rastet kur transmetimit duhet të ndërpritet për të ruajtur fshehtësinë e dëshmive të rëndësishme.

Tribunali Ndërkombëtar i Hagës, gjatë gjykimeve ndaj të akuzuarve për kryerje të krimeve të luftës në Ballkan, ka administruar transmetimin direkt të seancave që kanë qenë i qasshëm për të gjitha mediat.

Në shumë raste, gjatë shqyrtimeve gjyqësore në këtë Tribuni, kryetari i trupit gjykues ka pasur të drejtën të ndërpres transmetimin në rastet kur është dashur të ruhet fshehtësia.

Implementimi i një praktike të tillë nga gjyqësori në Kosovë do të ishte tejet i mirëseardhur, por kërkon të njëjtën kohë një kosto financiare për t’u realizuar. Por, përmirësimi i infrastrukturës që ka ndodhur deri më tash në të gjitha gjykatat e Kosovës e lehtëson zbatimin e një praktike të tillë.