Paqartësitë për Mandatin e EULEX-it

Vendimi i qeverisë së Kosovës për të vazhduar edhe për dy vjet mandatin e EULEX-it ka futur sërish në sprovë Kuvendin dhe institucionet e Kosovës.

Qeverisë iu desh të gjejë rrugë tjera të hënën në mbrëmje për t’i dalë në krye vazhdimit të mandatit, në minutën e fundit, pasi Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini, nuk i është përgjigjur Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në letrën në të cilën ky i fundit shprehte gatishmërinë e institucioneve të vendit për t’ia vazhduar mandatin EULEX-it edhe për dy vjet tjera.

Vendimi për vazhdimin e punës së EULEX-it duhet miratuar nga Kuvendi i Kosovës gjatë seancës që pritet të mbahet sot.

Në rastin e kundërt, mesnata e së martës do ta zë EULEX-in pa mandat për të operuar në Kosovë.

KALLXO.com ka provuar gjatë mbrëmjes së djeshme dhe paradites së sotme të marrë një përgjigje nga Zyra e Federica Mogherinit rreth komplikimeve në vazhdimin e mandatit të EULEX-it, por ata ende nuk janë përgjigjur.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka vlerësuar këtë vendim si të panevojshëm.

“Sistemi i drejtësisë nuk është më i mirë se në vitin 2008 kur ka ardhur EULEX-i, kjo shpjegon edhe ndikimin shumë të vogël dhe pothuajse mospërfillës që ka pasur EULEX-i në drejtësi në Kosovë”, ka thënë Konjufca për KALLXO.com.

Konjufca ka shtuar se ndër problemet kryesore të EULEX-it është qëndrimi neutral i këtij misioni ndaj statusit të Kosovës.

“Për shkak të kushtëzimeve të Serbisë, por edhe pesë shteteve të Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur Kosovën, EULEX-i u shtrëngua ta bënte një kompromis me Serbinë që është në kurriz të shtetësisë së Kosovës dhe e dëmton procesin e shtetndërtimit të Kosovës, e kjo është të qëndruarit neutral karshi statusit të Kosovës. Kjo i bie që ata kanë ardhur brenda neve, marrin vendime për neve, por nuk na njohin, që është shumë problem për një shtet sovran”, tha Konjufca.

Në anën tjetër, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, e ka vlerësuar vazhdimin e mandatit të EULEX-it si të nevojshëm në fusha të caktuara, sidomos në përgatitjen e gjyqësorit për të ardhmen.

“Tash duhet të tregohet afinitet në lëndët që janë shqyrtuar dhe ato që do të dalin. Të jenë të zot që t’i udhëheqin dhe t’i zgjidhin dhe tek atëherë edhe bashkësia ndërkombëtare e sheh që ne jemi serioz në këtë drejtim dhe nuk do të ketë nevojë për asnjë institucion tjetër ndërkombëtar në fushën e sigurisë”, ka thënë Zemaj për KALLXO.com.

EULEX ka ardhur në Kosovë në vitin 2008, pas shpalljes së pavarësisë, duke e zëvendësuar misionin e OKB-së, UNMIK, por me kompetenca më të kufizuara.

EULEX-it iu zvogëluan kompetencat edhe më shumë në vitet 2011 dhe 2012 kur Kosovës iu hoq ‘mbikëqyrja ndërkombëtare’ e pavarësisë.

Por ky mision vazhdimisht është përcjellë me afera të brendshme, ndërsa më i njohuri është rasti i denoncimit të ish prokurores britanike Maria Bamieh, lidhur me përfshirjen e zyrtarëve të EULEX-it në afera të pretenduara korruptive.

Ish zyrtari i lartë i Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO), Andrea Capussela, madje në një intervistë për Prishtina Insight, tha se EULEX duhet të largohet nga Kosova.

“Misioni është duke e dëmtuar Kosovën dhe në mënyrë indirekte edhe interesat e Bashkimit Evropian, kështu që duhet të tërhiqet”, ka thënë Capussela.

Analisti për çështje juridike Vigan Qorolli, vlerëson se dobia e EULEX-it për popullin e Kosovës nuk duhet të shihet me inerci dhe me perceptim negativ.

Por Qorrolli ka kritikuar EULEX-in në përzgjedhjen e stafit profesional pasi, sipas tij, shpesh aktakuzat janë ngritur mbi baza jo të mjaftueshme ligjore.

Por ai e ka një gjë të qartë.

“Po të mos ishin prokurorët dhe gjyqtarët e huaj, drejtësia në Kosovë fatkeqësisht do të mbetej e pakuptimtë”, tha Qorolli.

Në anën tjetër, sipas hulumtuesit të Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, institucionet vendore të drejtësisë ende janë të brishta, të ndikuara politikisht dhe kanë nevojë për ngritje të kapaciteteve njerëzore dhe profesionale.