Sali Berisha dhe kryetari i PD-së Lulzim Basha.

Fati i Berishës lë në hije rikthimin e opozitës në parlament

Partia Demokratike e Shqipërisë do t’i japë fund bojkotit të parlamentit të premten, por ajo përballet me pyetje serioze se si do të trajtojë një vendim të kreut të partisë Lulzim Basha për të larguar paraardhësin dhe mentorin e tij, Sali Berisha, nga grupi i tij parlamentar.

Parlamenti i sapozgjedhur i Shqipërisë mblidhet të premten në vazhdën e një vendimi dramatik të kreut të Partisë Demokratike për të përjashtuar paraardhësin dhe mentorin e tij, ish-presidentin dhe ish-kryeministrin Sali Berisha, nga grupi parlamentar i partisë, pasi ai u shpall “person non-grata” nga aleati kryesor perëndimor i Shqipërisë, Shtetet e Bashkuara.

Lulzim Basha theu disa javë heshtje mbrëmjen e së enjtes me njoftimin befasues në lidhje me 76-vjeçarin Berisha, fati i të cilit kishte lënë në hije kthimin e shumëpritur të Partisë Demokratike në parlament pas një bojkoti dyvjeçar.

Parlamenti do të mbajë seancën e tij inauguruese të premten pas zgjedhjeve të 25 prillit, ku kryeministri Edi Rama dhe Partia e tij Socialiste siguruan një mandat të tretë të pashembullt të njëpasnjëshëm në qeveri.

Me 74 nga 140 vendet e parlamentit, socialistët janë në një pozicion komandues. Demokratët, nga ana tjetër, kanë qenë të trazuar që kur SHBA-ja njoftoi në mes të majit se ish-liderit të vjetër të partisë, Sali Berisha, i ishte ndaluar hyrja në vend, duke përmendur përfshirjen në “korrupsion madhor”, “shpërdorim të fondeve publike” dhe ndërhyrje në “proceset publike”.

Pjesë e politikës shqiptare për 30 vitet e fundit që nga rënia e regjimit komunist të vendit, Berisha shërbeu si president dhe kryeministër, por u tërhoq nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike në 2013 pasi humbi pushtetin ndaj Ramës, i cili ka qenë kryeministër që atëherë.

Berisha, megjithatë, mbetet një figurë e pushtetshme për demokratët dhe kishte thënë se kishte në plan të merrte vendin e tij në parlament. Por në një fjalim televiziv 10-minutësh, Basha tha se kjo nuk do të ndodhte, në pritje të “sqarimit” të vendimit të SHBA-së.

“Kam vendosur që deri në përfundimin e shqyrtimit të kërkesës ligjore të Berishës për transparencë dhe zbardhje të plotë të kësaj ꞔështjeje në rrugë gjyqësore, ai nuk do të jetë anëtar i Grupit Parlamentar të PD”, tha Basha. Ky nuk ishte një vendim i lehtë, shtoi ai, “mbi të gjitha nga aspekti njerëzor”.

Berisha e refuzoi vendimin si “nul dhe të pavlefshëm”.

Mentor politik

Në vitin 2004, ishte Berisha si kryetar i partisë ai që e futi Bashën në radhët e demokratëve ndërsa kërkonte ta hapte partinë e atëhershme opozitare me fytyra të reja dhe të rimerrte pushtetin që kishte humbur në 1997. Nën kujdesin e Berishës, Basha u ngjit në radhët e partisë, duke u bërë përfundimisht kryetar i bashkisë së Tiranës  në 2011.

Basha tha se vendimi i tij do të “shmangte keqpërdorimin e çështjes nga kushdo” për të dëmtuar interesat e demokratëve dhe përpjekjet e tyre për të kundërshtuar atë që ai e quajti “keqqeverisje dhe korrupsion” nën drejtimin e Ramës.

Berisha, megjithatë, nuk tregoi asnjë se do të largohej i heshtur dhe e akuzoi Bashën për shkatërrimin e pavarësisë së partisë.

“Basha më mori në telefon gjysmë ore para se të bënte njoftimin për mediat”, tha ai gjatë një daljeje në TV Klan. “Unë e kuptoj se ai ka qenë nën presion të madh, por njeriu pavarësisht presioneve ka vendime që nuk duhet t’i marrë kurrë.”

Basha kishte qenë vërtet nën një presion të madh.

Në korrik, pas një takimi me Bashën, ambasadorja amerikane Yuri Kim tha se “do të ishte një ironi historike, por edhe një tragjedi për vendin, jo vetëm për partinë, nëse partia do të hante bar për hir të interesave personale të një njeriu”.

Shqipëria ka qenë prej kohësh shumë besnike ndaj SHBA-së; ishte e pa mendueshme që Basha të rrezikonte marrëdhëniet e partisë së tij me Uashingtonin vetëm për të mbrojtur Berishën, thanë analistët.

“PD-ja rrezikonte të izolohej nga SHBA-ja”, tha Preç Zogaj, një analist shqiptar dhe ish-deputet i Partisë Demokratike.

“E imagjinon dot njeri që një parti në Shqipëri të fitojë pa mbështetjen e SHBA-së?”, tha ai në TV Klan të enjten në mbrëmje.

Bojkoti iu hakmorr 

Seanca inauguruese e parlamentit e së premtes do të shënojë kthimin e demokratëve pas një bojkoti më shumë se dy vjeçar, pas akuzave që ata bënë kundër socialistëve për mashtrim elektoral dhe korrupsion.

Por saga në lidhje me Berishën tashmë i ka kushtuar shtrenjtë partisë.

Teksa foli para njoftimit të Bashës, Afrim Krasniqi, Drejtor Ekzekutiv i Institutit shqiptar për Studime Politike me qendër në Tiranë, tha se partia nuk kishte arritur as të dilte me një platformë të qartë veprimi.

“Debati i brendshëm për lidershipin dhe stafin e ri drejtues, si dhe për zotin Berisha, ka lënë mënjanë r debatin e nevojshëm mbi strategjinë dhe platformën politike”, tha Krasniqi.

Ekspertja e komunikimit Edlira Gjoni gjithashtu duke folur për BIRN para fjalimit televiziv të Bashës, u pajtua: “Për sa kohë që nuk ka sqarime nëse Basha apo Berisha mbajnë pushtetin e vërtetë vendimmarrës në parti, çdo veprim i Partisë Demokratike është i destinuar të jetë jetëshkurtër.”

Përçarjet tashmë janë shfaqur, me deputetin e Partisë Demokratike Mark Marku që njoftoi në gusht se kishte hequr dorë nga mandati i tij. Në një letër të hapur të botuar në mediat vendase, Marku e përshkroi Bashën si “thjesht kryetar i partisë së Berishës”.

“PD po shndërrohet në një parti që mbron interesat personale të dy liderëve të vet, Berishës dhe Bashës dhe të një grupi të ngushtë drejtuesish të PD-së duke tradhtuar interesat e atyre që e kanë mbështetur me aq mund, përkushtim e sakrifica”, shkroi ai.

Gjoni, ekspertja e komunikimit tha për BIRN se “Berisha do ta mbajë peng partinë për sa kohë ai të marrë frymë, siç tha ai vetë këtë javë”. “Dhe PD-ja nuk ka luksin të durojë tekat e një njeriu të konsumuar politikisht, të sulmuar publikisht dhe të refuzuar ndërkombëtarisht.”

Në fillim të vitit 2019, partitë kryesore opozitare në Shqipëri, Demokratët dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, deklaruan se do të tërhiqeshin nga parlamenti, duke akuzuar Ramën dhe partinë e tij për minim të demokracisë.

Të dy partitë bojkotuan zgjedhjet vendore atë vit, të cilat sollën një fitore të thellë të Parisë Socialiste.

Sundimi i Ramës nuk ka qenë pa polemika, por analistët thonë se bojkoti iu kthye kundër. Pavarësisht se socialistët fituan një mandat të tretë radhazi në prill, demokratët vendosën të rizgjidhnin përsëri Bashën si kryetar partie në zgjedhjet e brendshme të saj.

Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike dhe deputeti Gazment Bardhi tha për BIRN se partia planifikonte të ishte “zëri i qytetarëve” dhe “mbrojtës i interesave publike”. /Reporter.al