Asfaltimi i rrugës në parkun e Mitrovicës

Asfaltimi “i nxituar” në parkun e Mitrovicës, i papranueshëm për banorët

Një rrugë në hapësirën publike të parkut qendror të qytetit të Mitrovicës, e ndërtuar pa leje, u kundërshtua fuqishëm nga banorët dhe shoqëria civile aq sa bëri që Drejtoria e Inspekcionit ngriti kallëzim penal ndaj pronarit të kompanisë private “Art Mall”.

Gjatë fundjavës së kaluar, një ngjarje jo shumë e zakonshme ka ndodhur në qytetin e Mitrovicës. Në mes të parkut të qytetit është shtruar asfalt!. Kompania private “Art Mall” nisi shtrimin e asfaltit të premten e kaluar, për të vazhduar të shtunën e për të përfunduar të dielën pasdite.

Krejt kjo ndodhi në kohën kur ekzekutivi lokal në Mitrovicë, është në tranzicion pasi në zgjedhjet lokale të 17 tetorit, partia që udhëhiqte komunën, humbi pushtetin dhe së shpejti pritët që në krye të saj të vie një subjekt tjetër politik.

Shtrimi i rrugës me asfalt në parkun e qytetit, po kundërshtohet nga qytetarët e Mitrovicës dhe shoqëria civile. Ata, përmes një letre të hapur, kanë kërkuar të hiqet asfalti e të kthehet parku në gjendjen e mëparshme.

“Hapësirat e gjelbra janë jetike për qytetin. Ato përmirësojnë cilësinë e ajrit, rrisin vegjetacionin, krijojnë mundësi jetese për kafshë të egra, u mundësojnë banorëve të qytetit të mbajnë lidhje me natyrën”, thuhet në letrën e shoqërisë civile dhe banorëve të Mitrovicës.

Letrën, e cila ka disa kërkesa për pushtetin lokal në Mitrovicë, e kanë nënshkruar disa organizata jo-qeveritare, qytetarët dhe aktivistë të këtij qyteti.

Komuna e Mitrovicës së Jugut në Raportin e Performancës që hartohet nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal për vitin 2019, u rëndit në pozitën e nëntë. Ndërsa, në treguesit e përformncës për sipërfaqet e hapësirave të gjelbra publike në metër katrorë, komuna që drejtohet nga Agim Bahtiri mori vetëm 2.78 pikë nga 100 të mundshme.

Sot gjatë ditës, një grup qytetarësh kanë takuar drejtorin i Inspekcionit, Fidan Ademi, për të marrë informata shtesë mbi rastin.

Asfaltimi i rrugës në parkun e MitrovicësNë një bisedë për KALLXO.com, Ademi ka thënë se inspektorët komunal me të marrë informacionin se po shtrohet asfalt në parkun e qytetit, kanë dal në vendin e ngjarjes. Fillimisht, ata kanë ndërprerë punimet por, siç ka thënë ai, ndalesa nuk ishte respektuar nga kompania “Art Mall”.

Ademi tha se kanë bërë edhe kallëzim penal për rastin, pasi sipas tij, kompania nuk ka pasur leje për asfaltim të rrugës.

“Ne si Drejtori, i kemi marrë të gjitha hapat e nevojshëm që parashihet me ligj. Kemi shkuar ditën e shtunë, inspektori i ndërtimit me kërkesën time ka shkuar edhe i kemi thirr policinë. Ajo (kompania), e ka paraqitur një leje për devijim të ujit dhe kanalizimit”, ka thënë Ademi.

“Ne kemi bërë edhe kallëzim penal për pronarin dhe kompaninë në fjalë. Ne të dielën i vendosëm shiritat në ora 4:30, po ata i kishin heq dhe kishin vazhduar punën. Ne po i ndjekim procedurat dhe të gjithë kanë të drejtë të ankohen”, tha ai.

Drejtori i Inspekcionit tha që i kanë dhënë tre ditë kohë kompanisë “Art Mall” që të heq asfaltin e shtruar në parkun e qytetit.

“Ne i kemi dhënë tre ditë afat me rrënu rrugën dhe me kthy atë pjesë në gjendjen e mëparshme. Ne do t’i presim afatet kohore nëse ankohet operatori ekonomik por ne si institucion jemi të gatshëm dhe do të hyjmë në rrënim”, ka deklaruar Ademi.

Se kompania nuk kishte leje e as pëlqim për shtrimin e asfaltit në parkun e qytetit e ka thënë edhe drejtori i Shërbimeve Publike dhe Infrastrukturës, Naser Muja.

“Jo, ne për projektin në fjalë nuk kemi dhënë asnjë leje. Ai (Art Mall) e ka pasur një leje prej Drejtorisë tonë për devijim të kanalizimit që i kalon në objekt dhe ai devijim ka qenë diku 200 metra nga objekti ku ka pasur me u kyç kanalizimi ekzistues por leje për ndërtim të rrugës nuk ka pasur nga drejtoria jonë”, ka thënë ai.

Muja tha se, në rast se kompania dëshiron të shtroj rrugë, duhet t’i ndjek procedurat.

Asfaltimi i rrugës në parkun e Mitrovicës

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me drejtorin e kompanisë “Art Mall”, Besart Baruti. I njëjti ka deklaruar se i kanë të gjitha dokumentet në bazë të të cilave edhe kanë vepruar.

“Ai është projekt që është votuar në Kuvend Komunal para një viti e gjysmë. Nga 34 asamblistë, 33 kanë votuar për dhe një ka abstenuar. Pra, ka kaluar me shumicë votash. Krejt kjo është që nga ajo kohë, asgjë s’kam bë jashtë procedurave. Ne i kemi krejt, me pëlqime me krejt”, ka thënë Baruti.

Përfaqësuesi i kompanisë “Art Mall” tha se shtrimi i asfaltit nuk ka dëmtuar drunjtë dhe hapësirat e gjelbra në parkun e qytetit. Ndërsa, tha se pret një zgjedhje nga Komuna e Mitrovicës së Jugut.

“Ai është proces që nuk kthehet. Nëse mua Komuna më bën ndonjë zgjidhje tjetër, unë jam gati me u tërheq për hatër të qytetarëve dhe qytetit, por nuk është ndonjë gjë sepse nuk është pre as ndonjë dru, nuk është dëmtuar asgjë. Gjithë rruga ka kaluar nëpër kubza ku kanë qenë”, deklaroi Baruti për KALLXO.com.

I pyetur nëse posedon lejen apo pëlqimin për shtrimin e asfaltit, Besart Baruti tha se të gjitha dokumentet tashmë i ka dorëzuar në Komunë.

“I kam dorëzuar krejt në Komunë, se unë kam pëlqimin për shtrimin e rrugës. Nuk e di kujt po i pengon, 1,500 vetë kanë me hy në punë. Unë asnjëherë, asnjë metër katrorë nuk e kam shtruar pa pëlqim e pa leje”, nënvizon përfaqësuesi i kompanisë.

Kritikat e shoqërisë civile dhe banorëve, se punët janë kryer në një kohë për t’u ikur autoriteteve komunale, Baruti i ka arsyetuar duke thënë se fundjava ka më pak qarkullim të njerëzve në atë zonë.

“Puna ka nis të premten, të shtunën dhe të dielën, se ajo punë për një ditë nuk kryhet. E kemi shfrytëzuar fundjavën se nuk ka qarkullim të njerëzve, por jo për me i ikë dikujt. I kam krejt letrat, se nuk është punë që bëhet fshehtë”, tha ai për KALLXO.com.

Ndërsa, përmes një reagimi publik në rrjete sociale, Besart Baruti ka thënë se kanë qëllim që të investojnë në hapësirat përreth biznesit për të sjellë një pamje atraktive.

“Për të treguar se qendra “Art Mall” ka vullnet për ta përmirësuar atë pjesë të qytetit, ne zotohemi që do të investojmë për të krijuar hapësira rekreative në parkun përreth. ‘Art Mall’ ka qëllim që Mitrovicën ta shndërrojë në një qytet atraktiv për qytetarët, të cilët sot zgjedhin të vizitojnë qendra nëpër qytete por edhe shtete të tjera”, deklaroi ai në Facebook.

“Një gjë që duhet theksuar është se ‘Art Mall’ posedon leje të ndërtimit si dhe leje e pëlqim për krijimin e qasjes në objekt përmes rrugëve”, thuhet tutje në reagimin e tij.

Në korrik të vitit të kaluar, Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Jugut mori një vendim për dhënie në shfrytëzim afatgjatë të pronës për operatorin ekonomik “Art Mall” me procedurë të negocimit të ofertës. Prona ishte dhënë në një kohë prej 99 vitesh dhe qëllimi ishte që të ndërtohet një qendër tregtare. Projekti parasheh edhe punësimin e mbi 1 mijë punëtorëve dhe për të do të investoheshin mbi 12 milionë euro.

Asfaltimi i rrugës në parkun e Mitrovicës