'Arsyet' dhe 'pasojat' e vendimit që Kosova të mos propozojë film për ‘Oscars’ 2024

Kosova nuk do të propozojë asnjë film për edicionin e ardhshëm të çmimeve të Akademisë amerikane të Arteve dhe Shkencave të Filmit, “Oscars” 2024. Kështu ka vendosur Komiteti selektues i formuar për të zgjedhur filmin që do të përfaqësonte Kosovën në “Oscars” 2024.

Ky komitet, javën e kaluar, më 27 shtator 2023, vlerësoi se 4  filmat e propozuar: “I Love You More” nga Erblin Nushi, “The Land Within Me” nga Fisnik Maxville, “Aktoret e Kanës” nga Mentor Spahiu dhe “Albanian Virgin” nga Bujar Alimani, nuk i përmbushin standardet për një prezantim të denjë dhe të suksesshëm në “Oscars”.

Vendimi i Komitetit selektues për zgjedhjen e propozimit të Kosovës për në “Oscars” 2024, është komentuar në mënyrë të ndryshme nga kineastët kosovarë.

Vendimi i Komitetit

Veton Nurkollari, anëtar i Komitetit selektues ka thënë në një prononcim për KALLXO.com se të katër propozimet u shqyrtuan me kujdes nga komiteti.

“Komisioni ishte unanim në vendimin se asnjë nga këta filma nuk i përmbush standardet për një prezantim të denjë dhe të suksesshëm në ‘Oscars’ duke marr parasysh standardet e vendosura në vitet paraprake dhe sidomos me paraqitjen e suksesshme të filmit ‘Zgjoi’ para dy viteve”- ka thënë ai.

Pos sipas tij, me rregullat e Akademisë (Oscars) nuk është e domosdoshme të dërgohet film çdo vit, andaj siç ka thënë ai komisionet paraprake mund te vendosin të mos dërgojnë.

Përveç, Nurkollarit në Komitetin selektues për përzgjedhjen e propozimit kosovar për “Oscars” 2024, ishin edhe Kaltrina Krasniqi, Sevdije Kastrati, Doruntina Basha, Fatmir Spahiu, Kushtrim Hoxha dhe Yllka Brada.

Qendra Kinematografike e Kosovës bëri të ditur se ky komitet kishte vendosur që Kosova këtë vit të mos propozojë film për garën e nominimeve në kategorinë e filmit ndërkombëtar për çmimet “Oscars”.

Si është vlerësuar vendimi i QKK-së?

Vendimi i Komitetit selektues që të mos propozojë asnjë filma për të përfaqësuar Kosovës në “Oscars” 2024 është komentuar në mënyra të ndryshme nga kineastët kosovarë.

Dramaturgu Arian Krasniqi ka thënë  për KALLXO.com, se viteve të fundit ka pasur realizime të suksesshme kinematografike. Po, sipas tij, numri i vogël i filmave të prodhuar brenda një viti po ndikon edhe në cilësinë e synuar të këtyre filmave.

“Por në parim, mendoj se më mirë është të mos propozohet ndonjë që nuk ka vlera sesa të improvizohet sa për hirë të aplikimit. Shqetësuese për mua mbetet numri i vogël i prodhimeve të filmit brenda një viti, prandaj, kur nuk ka sasi mungon edhe cilësia e dëshiruar apo edhe e synuar”- ka thënë ai.

Regjisori Ben Apolloni ka thënë për KALLXO.com se nuk e di arsye pse komitet përzgjedhës nuk ka bërë një propozim për “Oscars”, pos sipas nuk është se ka rënie të cilësi të filave kosovare. “Sa për nivel, nuk besoj që ka rënie. Kinematografia jonë është moti në gjendje stagmimi. Fatmirësisht disa individë ia kane dalë të lëvizin ngapak”- ka thënë ai.

Kurse, regjisori Mahir Musliu ka vënë në pikëpyetje vendimin e Komitetit selektues pasi, sipas tij, në të kaluarën ka pasur rast kur në festivalet tona “kanë ikur filma pa asnjë zhurmë”, kurse kanë fituar edhe çmimin “Oskar”.

“Po nëse ky komision ka qenë profesional e kompetent dhe ka vlerësuar ashtu është në rregull, e parregullt është ajo sesi vlerësohet një film. Pra cila është metoda dhe cili është kriteri. Çfarë ka thënë publiku e çfarë ka thënë ndonjë juri e pavarur e profesionale nëse i njëjti iu ka nënshtrua një vlerësimi të mëparshëm. Këtu mund të bëjmë ndonjë shkarje se ka pasur raste të tilla kur në festivalet tona kanë ikur filma pa asnjë zhurmë, pa u vërejtur vlerat e tyre, kurse pastaj kanë fituar edhe çmimin ‘Oskar’”- ka thënë Musliu.

Sipas tij,ka një rënie të nivelit artistik të filmave kosovarë.

“Mendoj që niveli artistik dhe estetik është në rënie prej kohesh. Sepse ne e dimë se edhe kur ka pasur ndonjë pjesëmarrje atje nuk është që është vërejtur për veçanti krijuese dhe artistike. Përjashto filmin metrazhit të shkurtër ‘Shok’”- ka thënë ai.

Musliu ka thënë se cilësisë e filmave kosovarë do të rritet me ngritjen e vlerësimit të të projekteve në QKK, pasi, siç ka thënë ai të ketë një vlerësim të drejtë të projekteve që do të përzgjedhjen për tu mbështetur me paratë publike.

Nga 2014, Kosova ka fituar të drejtën për të përzgjedhur një film për garën e çmimeve “Oscars” në kategorinë e filmit të huaj.

Suksesi më i madh kinematografik i Kosovës mbetet nominimi i filmit të shkurtër britaniko-kosovar “Shok” në kategorinë “Best Live Action Short”, në “Oscars” më 2016.

Ndërsa në viti 2021, Kosova me filmin “Zgjoi” arriti në 15 e filmave më të mirë të propozuar për kategorinë filmave të huaj (jo amerikanë) në “Oscars”.

Këtë vit Kosova u prezantua me filmin “Në kërkim të Venerës” në çmimet “Oscar”.