Foto: Facebook/ AKP

'Aksham pazari' me pronat shoqërore

Nga procesi i privatizimit të pronave shoqërore në Kosovë, pati çmime të ndryshme, madje në disa raste shumë të ulëta. Një ari sipërfaqe në Kosovë u shit mesatarisht 225 euro, apo 2.25 euro për metër katror. Sipas Rajoneve, bazuar në raportin e AKP-së, i bie së çmimin më të lirë për ari e pati Rajoni i Gjilanit, me 86 euro/ari, ndërsa çmimin më të lartë e pati Rajoni i Prishtinës me 754 euro për ari.

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), është themeluar si organ i pavarur me ligj nga Kuvendi i Kosovës, ndërsa ky ligj është ndryshuar dhe plotësuar disa herë gjatë viteve.

AKP, si pasardhëse e Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit (AKM), që nga viti 2008 e tutje, ka zotësi të plotë juridike për të bërë kontrata, për të mbajtur, marrë dhe shitur pronat shoqërore.

Sipas një raportit të AKP-së, të publikuara së fundmi nga ky institucion, lidhur me kontratat e nënshkruara, shuma e parave nga shitja e aseteve të tjera, tokave bujqësore dhe tokave të tjera kapin vlerën e 752,667,287 euro, apo gjithësej numri i aseteve të shitura shkon në 2,065 me sipërfaqe të përgjithshme prej 334,295,331 metrave katrorë, ku 99 për qind është sipërfaqe tokësore ndërsa 1 për qind është sipërfaqe e objekteve.

Ndërsa për nga numri, nga 2,065 asete të shitura, më shumë se gjysma apo mbi 62 për qind janë asete në likuidim ndërsa pjesa tjetër janë ndërmarrje të reja. Nga numri i aseteve të shitura 895 janë toka bujqësore dhe toka të tjera, ndërsa 1,170 janë asete tjera.

Sipas rajoneve, për nga shuma e shitjeve të aseteve, prinë Rajoni i Prishtinës me mbi 293.2 milionë euro, pastaj Rajoni i Gjilanit me mbi 161.5 milionë euro, i treta renditet Rajoni i Pejës me mbi 127.7 milionë euro, rajoni i Prizrenit me mbi 114.3 milionë euro dhe rajoni i Mitrovicës me mbi 55.7 milionë euro.

Por sa kushtoi një ari tokë shoqërore në Kosovë e shitur nga AKP dhe nga paraardhësja e saj AKM?

Bazuar në të dhënat e këtij dokumenti, me një kalkulim të thjeshtë si raport i shumës me metra katror apo ari, rezulton se mesatarisht në Kosovë është shitur 225 euro një ari sipërfaqe apo 2.25 euro për metër katror.

Gjithnjë bazuar në këto të dhëna, një ari sipërfaqe në Rajonin e Prishtinës i bie se është shitur-blerë me çmim 754 euro apo 7.54 euro më metër katorë, në Rajonin e Gjilanit me 4.05 euro për metër katrorë apo 405 euro për ari, në Rajonin e Prizrenit me 164 euro për ari apo 1.64 euro për metër katrorë, tutje me çmim prej 106 euro për ari apo 1.06 për metër janë privatizuar në Rajonin e Prizrenit ndërsa me çmime mesatarisht 86 euro është shitur në Rajonin e Mitrovicës.

Bazuar në raportin e publikuar nga AKP, KALLXO.com, ka evidentuar disa raste ku kishte çmime nga më të ndryshme në shitjen tokave bujqësore. Në fshatin Ponesh të Gjilanit, raporti tregon se 216 hektarë tokë janë shitur me 9.77 euro për ari, në fshatin Selac të Mitrovicës së Jugut, të rajonit të Mitrovicë 1.67 euro për ari janë shitur 924.3 hektarë, në fshatra tjera të këtij rajoni, çmimet silleshin edhe 1 euro, 1.16 euro dhe 1.20 euro për ari.

Tutje, në fshatin Vrellë të Komunës së Istogut, të Rajonit të Pejës, 179.5 hektarë tokë janë shitur me çmim 4.57 euro për ari, gjithashtu në qytetin e komunës së Kaçanikut, raporti bën të ditur se me 1.22 euro për ari janë shitur 263.1 hektarë. Në fshatin Llapashticë e Poshtme e Podujevës, me 19.98 euro për ari janë shitur 4.1 hektarë tokë bujqësore.

Ditën e djeshme, KALLXO.com raportoi se asamblisti i Vetëvendosjes në këtë komunë bleu tokë nga privatizimi për vëllain e tij që jeton në shtetin e Zvicrës. Ai kishte blerë me çmim prej 44 eurove për ari.

Edhe ish kryeministri i Kosovës njëherësh kryetar i subjektit politik Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, kishte blerë tokë nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) me çmim prej 3.75 euro për 1 ari. Haradinaj në Agjencionin Kundër Korrupsion kishte deklaruar se kishte blerë 200 hektarë tokë me këtë çmim.

Shkrimet lidhur AKP-në mu ti lexoni këtu