Asamblisti i Vetëvendosjes në Gjilan privatizoi tokë për vëllanë që jeton në Zvicër

186 mijë e 34 metra katrorë tokë bujqësore ishin privatizuar në fshatin Velekincë të Gjilanit në vitin 2014 nga Nevzad Isufi, tani këshilltar komunal i Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan.

186 mijë metra katrorë përkthyer në hektar i bie 18.6 hektarë tokë. Kështu figuron në raportin e AKP-së për shitjet e aseteve.

Kjo tokë ishte privatizuar me vlerë totale prej 79 mijë e 999 euro, apo 1 euro më pak se 80 mijë.

Sipas llogaritjeve, një hektar tokë është blerë rreth 4 mijë e 444 euro apo rreth 44 euro ari.

Në një prononcim për KALLXO.com, Nevzad Isufi tha se ky privatizim ishte bërë për vëllanë e tij që jeton jashtë Kosovës dhe nga pamundësia që ai të vinte për t’i ndjekur procedurat e privatizimit këtë punë e ka kryer ai vetë.

“Është e vërtetë që unë i kam privatizuar, por në emër të vëllait tim. Dhe ajo është pronë e bartur e vëllait tim. Familjarët e mi kanë privatizuar rreth 1 milion euro tokë bujqësore. Kjo është tokë e klasit të katërt, kullosë. Unë këtë e kam privatizuar në emër të vëllait që s’ka pasë mundësi të vijë në Kosovë prej Zvicrës”, tha Isufi për KALLXO.com.

Isufi thotë se ai punon në arsim dhe s’ka pasur mundësi të bëjë privatizime.

“Unë punoj në arsim, unë s’kam pasë mundësi ta privatizoj me punën e profesorit. Është pronë e vëllait tim dhe familjarëve të mijë që kanë privatizu me djersën e familjarëve që i kam në Zvicër prej viteve të 70-ta”, tha ai.

“Kjo tokë është në emër të vëllait tim, Avni Isufi. E di Kuvendi Komunal që kur është bërë bartja. Unë ia kam bërë vëllait si shërbim këtë punë, sepse ai nuk ka pasë mundësi me ardhë. Kjo nuk është bërë e fshehtë”, tha tutje ai.

Ai ka treguar se çfarë lloj toke është ajo e privatizuar.

“Është një kodrinë atje, një kullosë, janë edhe 20 hektarë tjerë aty që i kanë privatizu familjarë të mijë. Unë s’kam qenë as pjesë e bordeve, as e ndonjë institucioni tjetër”, shtoi Isufi për KALLXO.com.

Ish-kryesuesi i bordit të AKP-së, Blerim Rexha para disa ditësh në Kuvend të Kosovës raportoi se në Kosovë ishte shitur një ari tokë për 1 euro apo 50 hektarë tokë për 5 mijë euro.

KALLXO.com raportoi dje se si ish kryeministri Ramush Haradinaj kishte privatizuar 200 hektarë tokë të shtetit me 3 euro e 75 centë arin.

Haradinaj privatizoi 200 hektarë tokë të shtetit me çmim 3.75 euro për ari