I ngarkuari me punë i përkohshëm në Greqi, Fitim Gllareva. Foto: Misioni i Posaçëm në Greqi në Facebook.

I ngarkuari me punë i përkohshëm në Greqi, Fitim Gllareva. Foto: Misioni i Posaçëm në Greqi në Facebook.

42 mijë euro qiraja vjetore e banesës së misionarit të Kosovës në Greqi

Greqia është njëra ndër pesë shtetet e Bashkimit Evropian që ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Por kjo nuk e ka penguar asnjërin vend që bashkëpunimin ndërshtetëror ta bëjnë përmes Zyrave të Posaçme. Siç e ka Greqia një zyrë të tillë në Prishtinë, ashtu edhe Kosova e ka zyrën në Athinë që përfaqësohet nga i ngarkuari i përkohshëm me punë, Fitim Gllareva.

Vetëm për një vit, Fitim Gllarevës nga shteti i Kosovës i është paguar qiraja me vlerë 42 mijë euro, që me një përllogaritje të thjeshtë del të jetë 3 mijë e 500 euro në muaj. Vlera e qirasë në Athinë hynë në katërshen e qirave më të larta për ambasadorët e Kosovës nëpër botë, pas atyre në New York, Washington, Paris dhe Londër.

Vlera e qirasë dhe shpenzimet për një person në Athinë vlerësohet të jenë 579 euro. Ndërsa për një familje prej katër anëtaresh vlerësohet të jetë 1 mijë e 64 euro e 69 centë, duke u bazuar në përditësimet e fundit në bazën e të dhënave të quajtur “Livingcost”, e cila bënë krahasimin e kostove të jetesës dhe çmimeve nëpër botë.

Sipas kësaj databaze, kostoja mesatare e jetesës në Athinë është 1 mijë e 177 euro e 31 centë në muaj, që i bie të jetë afër kostos mesatare të jetesës në botë.

Për shpenzime të telefonit të Gllarevës janë paguar 921 euro e 18 centë, ndërsa për derivate të stafit janë paguar 3 mijë e 437 euro e 93 centë. E, për drekat zyrtare të stafit diplomatik janë paguar 3 mijë e 229 euro e 14 centë.

Paga mujore e Fitim Gllarevës në vitin 2023 ishte 2 mijë e 162 euro e 4 centë.

Mbulimi i shpenzimeve të ambasadorëve është i përcaktuar me ligjet e Kosovës. Përveç pagës mujore, ambasadorët e Kosovës që nga viti 2023 përfitojnë edhe nga Rregullorja për kompensime përmes së cilës përfaqësuesi diplomatik kompensohet për shpenzimet e fëmijëve nën moshën 18-vjeçare. Për fëmijën e parë llogaritet shtesa prej 10 për qind e pagës mujore; për fëmijën e dytë, 8 për qind; për fëmijën e tretë, 6 për qind, kurse për katër e më shumë fëmijë llogaritet shtesa prej 5 për qind e pagës mujore.

Greqia ka njohur pasaportën e Kosovës dhe ua ka mundësuar kosovarëve që të hyjnë në këtë shtet pa viza, prej 01.01.2024 kur hyri në fuqi liberalizimi i vizave për qytetarët nga Kosova.

Një copëz shpresë se Greqia do ta njoh Kosovën ishte ngjallë në vitin 2023, gjatë kohës kur kryeministri kosovar, Albin Kurti, pati shpeshtuar vizitat zyrtare në Athinë. Por, gati një vit më pas homologu grek i tij, Kyriakos Mitsotakis zbehu optimizmin që ishte krijuar në Kosovë.

“Qëndrimi i Greqisë sa i përket Kosovës mbetet i pandryshuar”- tha Mitsotakis, gjatë një vizite në Beograd më 12.02.2024.

Greqia bashkëpunuese me Kosovën, e palëkundur nga qëndrimi rreth njohjes