Vajzat, Foto: Pixabay

‘Abuzim i bazuar në nder’: Lufta kundër testimit të virgjërisë në Kosovë

Testimi i virgjërisë tashmë po bëhet vepër penale në Kosovë. Kjo praktikë tani është më pak e zakonshme, por ende vazhdon të aplikohet në klinika private dhe në rastet e hetimeve të abuzimit seksual.

Bergita Curri nuk kishte shumë kohë që kishte filluar punën si mjeke në Institutin e Mjekësisë Ligjore të Kosovës, kur në vitin 2006, një burrë me uniformë policie dhe vajzë e re po prisnin në korridor.

Kur u erdhi radha, Bergita pyeti çiftin se çfarë mund t’i ndihmonte. Një test të virgjërisë, tha burri, për të konfirmuar se gruaja me të cilën kishte planifikuar të martohej nuk kishte pasur marrëdhënie seksuale më parë.

“Ishte disi shokuese” – kujton Bergita . “Ndonëse, ishte ende diçka rutinë për Institutin e Mjekësisë Ligjore.”

Në vitin 2017, Instituti pushoi së kryeri teste të virgjërisë pas vitesh lobimi nga aktivistët lokalë të të drejtave të njeriut, Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Bashkimi Evropian. Megjiathatë, kjo praktikë vazhdoi në klinikat private.

Muajin e kaluar, ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu njoftoi se testimi i virgjërisë, me Kodin Penal do konsiderohet si shkelje e të drejtave themelore të njeriut, dhe se kushdo që vazhdon me këtë praktikë “rrezikon dënimin për vepër penale”.

Ky hap shënoi kulmin e viteve të fushatës nga kundërshtarët e kësaj praktike. Tani Bergita dhe kolegët e saj në Institutin e Mjekësisë Ligjore kanë një objektiv të ri – t’i ndalojnë prokurorët dhe policinë që të urdhërojnë ekzaminime të tilla në rastet e abuzimit seksual.

“Ka raste kur prokurorët kanë dhënë urdhra për ekzaminimin e virgjërisë edhe kur nuk ka pasur fare elementë të kontaktit fizik” – thotë Bergita.

“ Kam refuzuar sepse kam dashur të mbrojë integritetin e viktimës sepse ekzaminimi mund ta dëmtojë psikologjikisht viktimën dhe mund ta traumatizojë atë edhe më shumë” – thotë ajo. “Nuk mund ta lejojmë këtë praktikë, e cila i përforcon stereotipet dhe pabarazinë gjinore.”

“Nuk kishte gjak”

Naxhija e kujton mirë pasditen e 14 prillit të vitit 1980, kur burrat e familjes së bashkëshortit të saj u mblodhën për të diskutuar se kush do ta kthente atë në familjen e saj.

Kjo ndodhi një ditë pas dasmës. Naxhija ishte 17 vjeçare dhe martesa sapo kishte përfunduar. Ajo ishte e hutuar se çfarë po ndodhte derisa kunata e saj i tha se ajo nuk kishte lënë gjak mbi çarçafët ku kishte fjetur.

Të afërmit meshkuj të burrit të saj e informuan babanë e saj se “ajo nuk është vajzë”, që nënkuptonte se ajo nuk ishte e virgjër.

“Ishte një tronditje dhe shkaktar i turpit të madh për mua dhe familjen time” – thotë Naxhija për BIRN. “Nuk kisha pasur kurrë marrëdhënie seksuale me askënd. Por nuk kishte gjak”.

Tetë vjet më vonë, Naxhija u martua me një burrë shumë më të vjetër se ajo i cili tashmë kishte fëmijë. “Familja ime ma përkujtoi se nuk jam një person që mund të martohem me një burrë më të mirë, sepse kisha një reputacion të dëmtuar.”

Myrvete Paqarada, gjinekologe dhe ish-drejtoreshë e Klinikës kryesore Publike Gjinekologjike të Kosovës, tregon se si për vite me radhë, çdo të hënë, do të përballej me vajza të reja të frikësuara dhe të poshtëruara, të shoqëruara nga prindërit dhe vjehërria.

“Ishte e dhimbshme t’i shihje ato gra të reja, kryesisht nga zonat rurale, të cilat detyroheshin të dëshmonin virgjërinë e tyre” – thotë Paqarada për BIRN.

“Testet i ndihmuan gratë ta merrnin një certifikatë me të cilën mund të vërtetonin virgjërinë e tyre dhe të lidhnin martesë. Por në mënyrë shkencore një gjë e tillë nuk dëshmon se dikush është ‘i paprekur’ seksualisht”.

Dështimi për të provuar virgjërinë në një testi të tillë mund të shkatërronte jetët e tyre dhe, në disa raste, t’i japë fund atyre.

“Ka pasur vrasje në familje dhe pasojat kanë qenë shumë të rënda, për diçka për të cilën ata nuk dinin asgjë” – thotë Hajrullah Fejza, profesor i seksologjisë në Universitetin e Prishtinës.

Disa shkuan aq larg sa të qepnin himenin e (cipën e virgjërisë) shqyer. “Himenoplastika është një metodë tjetër që duhet të ndalohet” – thotë Fejza për BIRN. “Gratë nxiten të provojnë virgjërinë e rreme. Por gjaku në çarçaf paraqet ende pritshmëri në shumë kultura”.

“Gabimet” e policëve dhe prokurorëve në kërkesat për ekzaminim të himenit

Sipas Fejzës, pozicionet po ndryshojnë në Kosovë.

“Shumica e anketave të studimore tregojnë se të rinjtë nuk i japin shumë peshë virgjërisë”, tha Fejza. “Burrat po humbasin një mjet me të cilin i nënshtrojnë gratë”.

Megjithatë, testimi i virgjërisë ka vazhduar të aplikohet në disa klinika private, thotë gjinekologia Paqarada.

“Mendoj se shteti duhet ta forcojë monitorimin e klinikave private në mënyrë që t’i mbyllë të gjitha kanalet e kësaj praktike diskriminuese” – thotë ajo.

Naim Bardiqi, sekretar i përhershëm në Ministrinë e Shëndetësisë së Kosovës, thotë se autoritetet nuk e kanë shqyrtuar ndonjëherë praktikën e testeve të virgjërisë apo himenoplastikës. “Nuk mbaj mend se kemi pasur ndonjë kontroll për këtë” – thotë ai për BIRN.

Bergita, në Institutin e Mjekësisë Ligjore, thotë se hapi i radhës është zhdukja e praktikës së ekzaminimit të himenit nga hetimet për rastet e abuzimit seksual.

“Mjekët kanë pak njohuri për çështjen e himenit, kështu që është e kuptueshme që policia dhe prokurorët nuk kanë njohuri sa duhet dhe prandaj kërkojnë ekzaminimin e himenit” – thotë Fejza për BIRN.

“Ata e kanë më të lehtë të dëshmojnë sulmet seksuale nëse himeni është i sapo shqyer. Por kjo është gabim”.

“Prokurorët duhet t’i përdorin ose shtjerrin të gjitha provat e tjera për ta vërtetuar sulmin seksual” – thotë Fejza.

Naimi, i cili refuzoi ta zbulonte mbiemrin e tij, tregoi se vajza e tij 16-vjeçare iu nënshtrua një testi të tillë pasi u sulmua seksualisht.

“Ishte shumë e rëndë për të dhe për ne” – tha ai. “Për disa ditë ajo nuk ka qenë në gjendje të flasë me ne”.

Bergita thotë se në kërkesat e parashtruara nga prokurorët për teste të tilla ajo mund ta shohë ndikimin e normave tradicionale në shoqërinë kosovare.

“Ndonjëherë është e vështirë për një person të dalë përtej vetvetes gjatë ushtrimit të një profesioni” – thotë ajo.

Në përgjigje të kritikave, Bahri Hyseni, koordinator për rastet e abuzimit seksual në Prokurorinë e Kosovës, thotë për BIRN se “kërkesat e prokurorëve për ekspertizë mjekoligjore në Institutin e Mjekësisë Ligjore janë të bazuara në Kodin e Procedurës Penale dhe nuk e cenojnë integritetin gjinor të viktimave të abuzimit seksual”

Abuzim i bazuar në nder

Jo të gjithë janë dakord me fushatën kundër testimit të virgjërisë.

Vesel Xhemaili nga fshati Poklek i Drenasit është ‘pleqnar’, një rol ky tradicional si ndërmjetës në mosmarrëveshjet familjare.

Në rastet kur një burrë kërkonte divorcin pasi nuk ishte pasur gjak në çarçaf pas natës së dasmës, “kërkonim ndihmën e mjekëve, kryesisht në klinika private” – thotë Xhemaili. “Pastaj çështja zgjidhej”.

“Unë jam kundër testimit të virgjërisë, por testimi ishte ndonjëherë opsioni i vetëm” – thotë ai.

“Ndikimi më i keq ishte divorci, i cili e lë gruan në pamundësi të zgjedhjes për të gjetur partnerë normalë”.

Xhemaili, i cili e ka trashëguar rolin e tij si pleqnar, thotë se kjo kulturë është ende prezent në diasporë. Por, ai thotë se në Kosovë, “ky numër ka rënë ndjeshëm, gjë që tregon se po zhduket kjo traditë”.

Bergita shton se kjo praktikë përbënte “abuzimin e bazuar në nder” me të cilën një grua abuzohet psikologjikisht, fizikisht dhe emocionalisht në emër të nderit të familjes.

“Për shumë vite kjo ishte një armë në duart e burrave për t’i shtypur gratë”.

Artikulli fillimisht është publikuar në Balkan Insight.