Rahovec

Në emisionin e drejpërdrejtë të debateve zgjedhore “Zgjedhjet Lokale 2013”, të gjithë kandidatët për kryetar të Rahovecit, pothuajse njëzëri thanë se do t’i subvencionojnë vreshtarët, e në anën tjetër, bujqit ankohen se po u kalbët rrushi.

Ajo për të cilën këta kandidatë u pajtuan të hënën është që të gjendet mundësia për ta depërtuar rrushin në tregun e jashtëm, pasi që prodhim ka mjaft.

Kandidatët kanë shpalosur programet e tyre, me të cilat ata mendojnë të qeverisin në katër vjetët e ardhshme.

Smajl Latifi, kandidat i AAK-së për kryetar të Rahovecit, aktualisht kryetar i kësaj komune, ka thënë se prioriteti i tij kryesor është mbështetja e bujqësisë, duke i subvencionuar bujqit.

Latifi e kishte premtuar më herët ndarjen e trojeve për familjet e dëshmorëve, e që deri më tash nuk e ka përmbushur në tërësi premtimin.

Por ai tha se brenda mandatit të ardhshëm do ta kryejë edhe këtë punë.

Ndërsa në programin e Sinan Ejupit, kandidat i AKR-së për kryetar të Rahovecit, pikat kryesore janë në arsim, shëndetësi, kulturë, infrastrukturë, bujqësi dhe ekonomi.

Irfan Cana, kandidat për kryetar të Rahovecit nga Iniciativa Qytetare “Ndryshe”, tha se programi i tij do të përqendrohet në fushën e bujqësisë, siç është pemëtaria, shpezëtaria, perimtaria dhe blegtoria.

Komunë me demokraci dhe transparencë, ekonomi dhe bujqësi të zhvilluar, shëndetësi dhe arsim më cilësor, zhvillimin ekonomik, janë pikat kryesore të programit të Fahrehin Shehut, kandidat i LDK-së për postin e të parit të kësaj komune.

Shehu para LDK-së ka qenë në AKR, të cilën parti ai tha se e ka lëshuar me arsyetimin se nuk e kanë respektuar si personalitet dhe njeri që di të menaxhojë.

Po ashtu, ai tha se AKR-ja i pati premtuar se do ta ndërtojë një fabrikë për zarzavate për fëmijët jetim, të cilin premtim nuk e kanë realizuar, prandaj tha se ka dhënë dorëheqje.
 
As te Dervish Çadraku, kandidat i Vetëvendosjes për kryetar të Rahovecit, nuk ka munguar prioriteti në bujqësi, duke e hulumtuar tregun e jashtëm për produktet e Rahovecit, lehtësira tatimore për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, arsim të zhvilluar, ujë të mjaftueshëm për të gjithë qytetin dhe fshatrat që nuk kanë ujë.

Po ashtu ai premtoi se do të kujdeset për kulturë, rini e sport, që sipas tij, i mungon shumë këtij qyteti.

Shëtitje nëpër parti kishte bërë edhe Çadraku, i cili ka qenë një ndër themeluesit e LDK-së, pastaj ka qenë pjesë e PDK-së deri  në vitin 2010, për të cilën parti tha se i ka shkelur të gjitha rregullat dhe është një parti centraliste.

Ndërsa partinë kandidat i së cilës është tani – Vetëvendosje, nuk ngurroi ta lavdërojë.

Nëse edhe kjo parti i shkelë rregullat si partitë tjera ku ai ka qenë, Çadraku tha se do të shkojë në shtëpi, sepse në Kosovë nuk ka asnjë parti tjetër serioze ku ai do ta gjente veten.

Kandidati i vetëm serb për kryetar të Rahovecit në këto zgjedhje, që vjen nga Hoça e Madhe, Bojan Nakalamiq nga partia Nova Snaga (Forca e Re), tha se do ta shqyrtojë mundësinë që rrushi i Rahovecit të depërtojë edhe në tregun e Serbisë.

Bojan Nakalamiq në zgjedhjet 2007-2009, ishte zgjedhë nënkryetar i Rahovecit në kohën kur Qazim Qeska ishte kryetar.

Ai ishte shkarkuar nga ky i fundit, për arsye që Nakalamiq tha të mos i dinte, duke thënë se ka qenë vendim personal i ish-kryetarit Qeska.

Por kundër-kandidati i tij, Smajl Latifi, i tha atij se është shkarkuar pikërisht për korrupsion, meqë, sipas Latifit, ishin shpenzuar mbi 5 mijë euro dreka a darka.

Idriz Vehapi, kandidat i PDK-së për kryetar të Rahovecit, nuk qe pjesë e debatit.

Eksperti i ëmbëlsirave

Fahredin Shehu i LDK-së, ndonëse nuk i ka në qejf bizelet, gruaja e tij, Nashide Shehu, tha gjatë prezantimeve të familjarëve të kandidatëve, se ai është ekspert i ëmbëlsirave.

Fatime Latifi, gruaja e Smajl Latifit, tha se Smajli nuk ka problem me ushqim, porse më së shumti i pëlqejnë sarmat.

Për dallim nga shumë bashkëshorte të kandidatëve, Vasfije Cana, gruaja e Irfan Canës nga Iniciativa Qytetare “Ndryshe”, tha se e ka përjetuar me gëzim të madh hyrjen në politikë të burrit të saj.

Ajo tha se burri i saj hobi e ka leximin dhe si përparësi të burrit të saj ceku inteligjencën e tij, kurse si dobësi, tha se ai nervozohet shpesh.

Gruaja e Dervish Çadrakut, Xhevahirja, tha se bashkëshorti i saj është njeri me karakter shumë të fortë dhe se  i han të gjitha ushqimet.

Ajo ths se përparësi e tij është vullneti për punë, e për mangësi tha se Dervishi dëshiron t’i kryejë të gjitha punët përnjëherë.

Gruaja e Sinan Ejupit nga AKR, nuk u paraqit në prezantimet e familjarëve. Ejupi tha se bashkëshortja nuk ka shprehur vullnet për ta realizuar intervistën.

As Idriz Vehapi nuk kishte pranuar t’i intervistohet bashkëshortja dhe në fund nuk erdhi as në debat.

Ndërsa, kandidati serb, Nakalamiq, tha se nuk e ka parë të arsyeshme dhe të nevojshme intervistën me gruan e tij.