Jeta në Kosovë debaton për zbatimin e ligjit të punës

Këtë të enjte Jeta në Kosovë transmeton debat për ligjin e punës dhe zbatimin e këtij ligji në terren.

Para debatit, BIRN transmeton intervistë me pilotin kosovar James Berisha si dhe sjell pamje ekskluzive të aterrimit të tij të detyrueshëm në Sudan.

Ndërsa, Jeta Xharra ka intervistuar Andrea Kapusellën, ish-shefin e njësitit financiar të Zyrës Civile Ndërkombëtare. Kapusella është njëri prej dëshmitarëve që e ka kontaktuar EULEX-in lidhur me marrëveshjen e nënshkruar mes PTK-së e Dardafonit, e cila sipas tij është kontratë që e ka dëmtuar PTK-në dhe paranë publike. Lidhur me këtë EULEX-i javën e kaluar ngriti akuzat kundër bordit dhe menaxhmentit të PTK-së.

Çështjet kryesore të ngritura gjatë debatit mbi ligjin e punës janë: Sa po zbatohet ligji i punës nga punëdhënësit kosovar? A ka buxhet të mjaftueshëm për t’u zbatuar ligji i punës? Sa mund të jenë efikas 52 inspektorët e punës që e mbulojnë tërë territorin e Kosovës? Cilat janë ankesat kryesore që i janë adresuar Ministrisë për Punë dhe Mirëqenie Sociale? Si duhet të reagojë shteti në raste te shkeljes së ligjit nga ana e inspektoratit të punës?

Për të diskutuar këto çështje dhe të tjera në lidhje me ligjin e punës, Muhamet Hajrullahu ka ftuar:

Nenad Rashiq, Ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale

Haxhi Arifi, Kryetar i BSPK-së

Rita Hajzeraj – Beqaj, deputete në Kuvendin e Kosovës

Agron Demi, nga Instituti GAP

Gjithashtu, në kuadër të debatit, BIRN transmeton intervista me punëtorët e Fabrikës BITEX në Fushë Kosovë, të cilët thonë se janë larguar nga puna pa ndonjë marrëveshje me pronarët, me ç’rast ligji i punës është shkelur jo vetëm nga pronarët e fabrikës por edhe nga inspektorët e punës.