Prokuroria pa Energji
Prokuroria pa energji
“Drejtësia në Kosovë” sonte transmeton emisionin i cili tregon se objekti i ri i Prokurorisë Themelore të Pejës për një vit nuk ka një gjenerator.
Hulumtimi sjell faktet se si prokurorët nga qyteti që ka shkallën më të lartë të kriminalitetit shpeshherë nuk kanë energji elektrike në objektin e ri dhe atyre u duhet të dalin në “kojshi” për t`i shtypur kërkesat urgjente për caktimin e paraburgimeve.
Prokurorët e Pejës, sipas Agron Galanit kryeprokuror, vazhdojnë të jenë në hall të madh nëse janë duke intervistuar të dyshuar, apo duke kryer punë urgjente të prokurorisë e ndodh të ndërpritet rryma. Puna atëherë duhet ndalur, e prokurorët duhet të gjejnë zgjidhje duke i shënuar deklaratat me dorë, apo diku në “kojshi”.
“E kemi një agregat por nuk i plotëson kushtet dhe nuk kemi mund ta aktivizojmë,” tha Galani.
Në Sekretariatin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, përgjegjësinë për mungesën e gjeneratorit e bartin tek Ministria e Administratës Publike, pasi sipas tyre kjo ministri në projektin e ndërtimit e ka pasur për obligim ta sigurojë edhe gjeneratorin për këtë objekt.
“Drejtësia në Kosovë”, ju sjell edhe deklaratën e Ministrisë së Administratës Publike. Sipas saj, gjeneratori nuk ka qenë i paraparë në projekt dhe se kjo është përgjegjësi e vet Sekretariatit të Këshillit Prokurorial.
Në pjesën e dytë të emisionit ndiqni filmimet nga aksioni ekskluziv i policisë në zbulimin e laboratorëve të prodhimit të vizave false.
Si arritën kontrabanduesit të prodhojnë viza sllovene e polake nga banesat në Prishtinë e Fushë-Kosovë? Çfarë mjetesh janë përdorur dhe sa viza janë prodhuar në këta laboratorë?
“Drejtësia në Kosovë”, transmetohet çdo të premte në orën 21 : 00 në RTK, ndërsa repriza transmetohet të hënën në mesditë.