Ekspozitë personale e Saimir Stratit në Suharekë

Ekspozita do të hapet, sot në mbrëmje duke filluar nga ora 19:00, në Qendrën për Edukim Kreativ “Shtëpia e Fellbahut” në Suharekë.

Ekspozita titullohet “Esra” dhe hapet në kuadër të edicionit të sivjetmë të festivalit “Festari”.

Saimir Strati është mik i ‘Festari’ dhe për ta sjellë nuk ka qenë vështirë, pasi siç ka thënë pwr Kallxo.com, artisti Refki Gollopeni, zëdhënës i festivalit, Strati ka parë dhe ka ndjerë nga afër vlerat kulturore dhe humane të festivalit të kulturës dhe verës.

“Saimiri është patriot dhe kontribuon në zhvillimin dhe përmirësimin e imazhit shqiptar në arenën ndërkombëtare”, ka potencuar Gollopeni.

“Artisti i rekordeve”, siç njihet ndryshëm Strati në këtë ekspozitë paraqitet me një ndërthurje personale mes detit dhe vreshtës, shkruan kuratorja e ekspozitës, Vlora Demiri, për ekspozitës që hapet sot në shtëpinë “Shtëpia e Fellbahut”.

“Mozaikët e kësaj ekspozite arrijnë të thyejnë kufirin mes këtyre dy pozitave të largëta gjeografike, t’i bashkojnë ato në një ndjenjë të vetme, unike. Copëzat e këtyre mozaikëve jemi ne, njerëzit e rëndomtë, së bashku me hallet dhe brengat e larmishme që na rrethojnë dhe preokupojnë”, ka potencuar Demiri.

Skulptori Saimir Strati ka shënuar disa rekorde në librin e rekordeve Guinesi, për vepra të punuar, duke përfshirë edhe mozaikun me portretin e Nënës Terezë, të punuar në Muzeun e Kosovës.