Kryeministri, Edi Rama, duke folur gjatë një konference shtypi më 9 tetor 2018. Foto- LSA

Edi Rama kritikohet për propozimet për ligjet kufizuese për mediat online

Katër organizata ndërkombëtare të lirisë së medias i dërguan një letër të hapur kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, duke kërkuar që ai të tërheqë propozimet për ligjin, të cilat ata besojnë se do të kenë ndikim ‘shtypës’ te mediat online.

Federata Evropiane e Gazetarëve, Qendra Evropiane për Lirinë e Medias, PEN International dhe Reporterët Pa Kufij, kritikuan të mërkurën ligjet e reja kufizuese për mediat online në Shqipëri.

Ligjet u propozuan nga kryeministri shqiptar, Edi Rama si pjesë e përpjekjes së tij kundër “shpifjes”.

Në një letër të përbashkët dërguar Ramës, grupet pohojnë se iniciativa e kryeministrit është “kundër praktikave më të mira dhe shkon kundër rekomandimeve të OSBE-së, gjë që ngre shqetësimin tonë më të thellë”.

Aty thuhet se nëse parlamenti i kalon projektligjet e tanishme, “ato do të dëmtojnë seriozisht rrjedhën e lirë të informacionit dhe do të kenë efekt shtypës te mediat online dhe do të kufizojnë të drejtën e qytetarëve shqiptarë për të pasur qasje në informata”.

Në fillim të dhjetorit, qeveria shqiptare propozoi ndryshime në dy ligje që parashikojnë regjistrimin e mediave online dhe rregullimin e përmbajtjes së lajmeve për një sërë arsyesh, duke përfshirë lajme “të njëanshme”, lajme që “dëmtojnë moralin publik” dhe “botimet që mund të nxisin vepra penale”.

Mosrespektimi i ligjit do të rezultonte me gjoba deri në 1 milion lekë [8,000 euro] dhe madje edhe me mbyllje të faqeve.

Pasi ndryshimet u paraqitën në një dëgjim publik të hënën në Tiranë, ekspertët dhe organizatat e medias shprehën shqetësime rreth shkeljeve të mundshme të Kushtetutës, rrezikut të censurës dhe një efekti të mundshëm të shtypjes së lirisë së shprehjes në internet.

Në letrën e së mërkurës, grupet gjithashtu i bënë thirrje Ramës “të heqë dorë menjëherë nga nisma për të ndryshuar dy projektligjet në fjalë dhe për të përfshirë gazetarët, organizatat e shoqërisë civile, përfaqësuesin e OSBE-së për Lirinë e Medias, Bashkimin Evropian dhe Këshillin e Evropës në çdo iniciativë në lidhje me të drejtën e lirisë së shprehjes së mediave dhe gazetarëve “.

Rama është ankuar në mënyrë të përsëritur se qeveria është viktimë e “shpifjes” dhe ka sulmuar mediat kritike duke përdorur një shumëllojshmëri të epiteteve, duke i quajtur disa prej tyre sharlatanë, kazanëve të mbeturinave, helme apo armiq publikë.

Në tetor, ai deklaroi se po përgatiste një “paketë anti-shpifje” që do të përfshinte “gjoba të rënda”.

Megjithatë, organizatat i shohin propozimet si një mjet që mund të keqpërdoret kundër mediave të lira.

Projektligji i parë synon të ndryshojë ligjin mbi Autoritetin e Telekomunikacionit dhe Postës, autoritetin që mbikëqyr tregun e komunikimeve, duke e transformuar institucionin nga statusi aktual neutral i përmbajtjes, në atë për të qenë përgjegjës për mbajtjen e një “regjistri të mediave online” dhe duke siguruar që “sipërmarrësit respektojnë detyrimet e tyre ndaj sigurisë kombëtare, sigurisë publike … dhe ligjeve të tjera”.

Ligji obligon faqen e internetit të çdo personi fizik ose juridik që të ketë informata kontaktuese dhe një adresë fizike të publikuar në këtë faqe interneti dhe urdhëroi AKEP-in të mbyllë faqet e internetit në bazë të kërkesës së “Autoriteteve Tatimore”.

Propozimi tjetër synon të transformojë Autoritetin Shqiptar të Medias Audiovizuale, AMA, në një organ policor, të autorizuar për të gjykuar cilësinë e lajmeve dhe moralin publik. Sipas propozimit, botuesit duhet të “respektojnë rregullat etike dhe morale të publikut dhe nuk duhet të lejojnë publikimet … që mund të nxisin vepra penale”.

Një organ i quajtur Këshilli i Ankesave duhet të marrë ankesa ose të urdhërojë mbylljen e tyre nëse gjendet shkelje e ligjit.

Propozimi gjithashtu thekson se gjobat dhe urdhrat e mbylljes duhet të zbatohen menjëherë, pavarësisht nëse faqja e internetit zgjedh ta dërgojë çështjen para gjykatave.