Deputeti Tom Doshi, duke dalë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda | Foto: Malton Dibra/LSA

Deputeti Shqiptar Shpallet ‘Non Grata’ nga Departamenti Amerikan i Shtetit

Deputeti shqiptar Tom Doshi u bë zyrtari i dytë i lartë shqiptar pas ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla që u shpall i padëshirueshëm në Shtetet e Bashkuara bashkë me familjen e tij.

Deputeti Tom Doshi i Partisë Socialdemokrate u shpall të martën person i padëshirueshëm bashkë me familjen e tij nga qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Doshi, 52 vjeç, biznesmen dhe politikan me eksperiencë të gjatë si deputet i tre partive politike të ndryshme, u shpall i padëshirueshëm për shkak të “angazhimit të tij në korrupsion domethënës”.

Sipas deklaratës, “Departamenti e shpalli publikisht” z. Doshi si të padëshirueshëm dhe të palejuar për të hyrë në territorin e Shteteve të Bashkuara.

“Ligji lejon që, në rastet kur Sekretari i Shtetit ka informacion të besueshëm se zyrtarët e huaj janë përfshirë në korrupsion domethënës ose dhunim të rëndë të të drejtave të njeriut, këta individë dhe anëtarët e familjes së tyre nuk lejohet të hyjnë në Shtetet e Bashkuara”,” thotë deklarata.

“Ligji kërkon gjithashtu që Sekretari i Shtetit të dizenjojë zyrtarë të tillë publikisht ose privatisht zyrtarë të tillë dhe familjet e tyre. Përveç dizenjimit të z.Doshi, Departamenti dizenjon publikisht edhe bashkëshorten e z.Doshi, Xhovana Dhosi, vajzën e tij të rritur Briana Doshi, djalin e tij të rritur James Doshi dhe fëmijët e tij të mitur,” vijon më tej deklarata.

Në shkurt 2018, ish-Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë Adriatik Llalla u bë zyrtari i parë në botë që u shpall i padëshirueshëm në SHBA në mënyrë publike për të njëjtat arsye.

Doshi ishte deputet i Partisë Socialiste në vitet 2009 dhe 2013 ndërsa u përjashtua nga Partia Socialiste në vitin 2015 me duartrokitje nga ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, pasi akuzoi publikisht Ilir Metën, aktualisht President i Republikës, për një komplot vrasjeje ndaj tij. Pavarësisht përjashtimit nga socialistët, Doshi arriti të rizgjidhet deputet në vitin 2017 nën siglën e Partisë SocialDemokrate në qarkun e Shkodrës.

17 Prill 2018 - 09:31

Gjergj Erebara | BIRN | Tiranë 17/04/2018 - 09:31
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend