Dega e PDK-së në Prishtinë akuzon Shpend Ahmetin për shkelje të shumta ligjore – Foto: RTV21

Çelaj: Shpend Ahmeti do të Duhej të Përfundonte Prapa Grilave

Shkeljet ligjore të bëra nga Shpend Ahmeti sipas Çelajt janë mosmarrja e aprovimit nga Kuvendi Komunal për projektin e kompleksit “Kodrina” dhe shkelje tjetër është edhe shpallja e konkursit ndërkombëtar pa aprovimin komunal.

“Shkelja tjetër është se aty është e përfshirë edhe prona komunale – 26 mijë metra katrorë për të cilën ai duhet të marrë aprovimin paraprak që të përfshihet prona publike në një projekt e cila udhëhiqet nga një kompani private. Shkelje tjetër është po ashtu që është shpallur konkursi ndërkombëtar pa aprovimin nga Kuvendi Komunal i Prishtinës dhe unë besoj që ka edhe shkelje tjera por këto janë shkelje të mëdha të cilat po të zbatohet ligji ky njeri do të duhej të përfundonte prapa grilave”, tha ai.

Sipas Çelajt, prapa këtij projekti fshihet diçka dhe se përgjigje për këtë çështje duhet të japë Shpend Ahmeti me udhëheqësit e tij sepse edhe memorandumi i këtij projekti përbën shkelje sepse i kanë dhënë monopol vetëm një kompanie.

Ai po ashtu ka kritikuar edhe organet e drejtësisë se po i frikësohen Vetëvendosjes dhe se nuk po veprojnë në shumë denoncime të bëra nga qytetarët dhe vetë PDK-ja.

“Në hetuesi dhe në prokurori kemi informata që ekzistojnë një numër i caktum padish por deri sot nuk ka pasur ndonjë veprim konkret përveç se kryetari Ahmeti dhe disa zyrtarë të lartë të Komunës së Prishtinës janë intervistuar nga organet e drejtësisë dhe për të cilën gjë ka heshtur kryetari Shpend Ahmeti”, tha ai.

Në këtë konferencë për shtyp mori pjesë edhe anëtarja e kryesisë së PDK-së, Mimoza Ahmetaj e cila tha se duke pasur parasysh rëndësinë që ka për qytetarët dhe shkeljet ligjore të cilat Shpend Ahmeti me krerët e Lëvizjes Vetëvendosje që ka bërë për projektin “Kodrina”, kanë vendosur si PDK që ta kthejnë edhe një herë në vëmendje këtë rast.

Sipas planit të paraparë “Kompleksi Kodrina”, do të shtrihet në një hapësirë prej 18 hektarësh, në mes rrugëve “Muharrem Fejza” dhe “Enver Maloku” në lagjen “Mati 1”, ndërtimi i të cilit do të zgjasë rreth 10 vjet dhe se kompania fituese për ndërtimin e këtij projekti është “Tregtia”. /21Media